Ish-futbollisti i njohur brazilian minimizoi pretendimet e bujshme, të cilat i ngriti javën e kaluar, se bashkombasi i tij, Neymar, do të transferohet në Madrid, te “armiqtë” e skuadrës katalanase.

Sidoqoftë, Roberto Carlos e mbajti, gjithashtu, derën hapur për një kthim të mundshëm në Madrid. Ish-mbrojtësi i “Los Blancos” qartëson se ajo që tha mbi këtë çështje ishte vetëm shaka, sepse nuk është në gjendje të marrë Neymarin nga Barcelona te Real Madridi.

Në një intervistë me “Punto Pelota”, javën e kaluar, ish-madridasi pohoi se do të ishte në gjendje të bisedonte me 23-vjeçarin dhe të siguronte diçka të bujshme përpara “El Clasicos”. Por, ish-ndërkombëtari brazilian ka bërë hapa pas në këto komente, duke shpjeguar se nuk ishte krejtësisht serioz në ato që tha. “Unë thashë diçka si një shaka, por dikush e mori seriozisht, – tha Roberto Carlos për “Intereconomia”. – Ama, është e vërtetë se Real Madridi, gjithmonë nënshkruan me lojtarët më të mirë në botë.”

Javën e kaluar, 42-vjeçari kishte pohuar: “Unë mund ta sjellë Neymarin te Real Madridi. Ai është ende shumë i ri dhe jam i sigurt se vitin e ardhshëm do të përfundojë edhe më lart në garën për ‘Topin e Artë’”. Carlos është aktualisht duke kaluar kohë në kryeqytetin spanjoll, ku po shikon ekipin e drejtuar nga Zinedine Zidane, një mik i afërt dhe personal, por ka hedhur poshtë thashethemet për një lëvizje të menjëhershme në stafin teknik të klubit madrilen. “Jam i lumtur që Real Madridi mund të jetë i interesuar për të më dhënë mua një punë, por jam këtu vetëm për të parë trajnimin e skuadrës dhe për të mësuar, – shtoi ai.

Jam gati për të filluar studimet e nivelit të lartë për të stërvitur. Unë kam kaluar tashmë pesë vjet stërvitje në Turqi, Rusi dhe Indi. Por, kam edhe shumë për të mësuar. Dua t’i hedh hapat në kohën e duhur e jo të nxitohem, sepse trajningu ka nevojë edhe për eksperiencë.” Gjatë qëndrimit 11-vjeçar në “Santiago Bernabeu”, Roberto Carlos ka luajtur mbi 400 ndeshje për Real Madridin dhe është përfshirë në sërën e yjeve të tillë si Zidane, Luis Figo dhe Ronaldo.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: