Nga: AURORA KOROMANI*TIRANE-Grabitet me armë makina e rojës së sig urisë së një kompanie celulare në kryeqytet. Ngjarja është shënuar mëngjesin e ditës së djeshme, në një rrugë dytësore në autostradën Tiranë- Durrës, ku tre persona të armatosur kanë grabitur makinën e një kompanie të ruajtjes fizike. Mësohet nga të dhënat e policisë se autorët kanë arritur të marrin nga dy punonjësit e kompanisë ‘security’ shumën prej afro 800 mijë lekësh dhe më pas janë larguar në drejtim të Vorës. Uniformat blu kanë nisur menjëherë hetimin e ngjarjes, ndërkohë që makina me të cilën janë larguar grabitësit është gjetur e djegur rreth 4 km larg vendit të ngjarjes.
GRABITJA
Rreth orës 10:12 minuta të ditës së hënë, në një rrugë dytësore pranë Laknasit tre persona të armatosur dhe të maskuar kanë arritur të grabisin lekët e një kompanie celulare, teksa ishin duke u transportuar nga një makinë e kompanisë security “O…”. Burime pranë uniformave blu sqarojnë se dy punonjësit e kompanisë së ruajtjes fizike, konkretisht Alfred Bulku, 36 vjeç dhe Nesti Pane, 41 vjeç, kanë qenë duke transportuar lekët e një kompanie celulare në kryeqytet në momentin që makina e tyre tip “Benz” është përplasur nga një makinë tjetër, nga e cila kanë dalë tre persona të armatosur dhe i janë afruar makinës. Të njëjtat burime pranë uniformave blu shtojnë se, nënkërcënimin e armëve grabitësit kanë arritur të marrin shumën prej afro 8 milionë lekësh të vjetra dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë së Komisariatit Nr.6, si dhe forca të shumta policore, të cilëve iu desh pak kohë derisa të nxirrnin dy punonjësit nga makina, për shkak se kishin ngelur të bllokuar brenda mjetit të përplasur. Mësohet se Bulku dhe Pane kanë marrë goditje të lehta gjatë përplasjes, por që fatmirësisht pa probleme serioze. Më pas, policia është vënë në ndjekje të autorëve, por ajo që kanë gjetur ka qenë makina e braktisur dhe e djegur në zonën e Vorës.
DËSHMITË
Burime pranë bluve të Tiranës shtojnë se menjëherë pas ngjarjes janë shoqëruar në komisariat dy punonjësit e kompanisë së ruajtjes fizike, të cilët kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe më pas janë lënë të lirë. “Na përplasi një makinë dhe ne nuk mundëm të lëviznim. Më pas nga makina dolën tre persona të armatosur dhe me maska në kokë, të cilët na u afruan dhe na thanë t’u jepnim lekët ose do të na vrisnin. Qëlluan disa herë në ajër dhe më pas morën lekët. Nuk arritëm të bënim asgjë, pasi kishim mbetur të bllokuar në makinë”, kanë deklaruar dy punonjësit Bulku dhe Pane, gjatë dëshmisë së tyre para uniformave blu. Ndërkohë, në Komisariatin Nr.6 gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar 24 persona, mes të cilëve edhe punonjës të kompanisë celulare dhe asaj të ruajtjes fizike, të cilët do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia e cilëson ngjarjen si momentale, por nuk përjashtohet nga hetimet edhe pista se gjithë skema ka qenë e studiuar mirë, pas informacioneve që grabitësit mund të kenë marrë nga personat që janë të punësuar pranë dy kompanive. Kjo, pasi lëvizja e parave dhe itinerari i tyre dihej vetëm nga një grup i vogël personash, por edhe për faktin se paratë nuk transportoheshin me makinë të blinduar, por me një mjet të çfarëdoshëm.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: