Deputeti demokrat Roland Keta ka reaguar pas publikimit të debateve brenda grupit të PD, ku ka patur kritika të shumta ndaj kreut, Lulzim Basha. Deputeti i qarkut të Dibrës, Keta thotë se Basha veproi drejt me zgjedhjet në Dibër dhe se ata që mendojnë si Edi Rama e gjejnë fajin tek opozita. Ai thotë se zona e tij është e mbushur me drogë dhe roje të ardhur nga anekënd vendit.

“Sot kam parë fatkeqësisht që shumë media pranë qeverisë na kishin ndarë në grupe pro dhe kundër Bashës. E para. Unë kam qenë çdo ditë në fushatë në Dibër. Zona ime ishte Selishta e mbushur me drogë dhe roje të ardhura anekënd vendit për ta mbrojtur atë. Presioni ndihej kudo, paratë u derdhën lumë vetëm e vetëm që Edi Rama të krekosej sot si gjeli në majë të plehut”, tha Keta.

Ai deklaroi se Rama ka sfiduar popullin dhe partnerët. Ndërsa thekson se sfida e Bashës dhe çdo shqiptari është t’u kthejë shqiptarëve besimin tek vota.

“Por sot Edi Rama ka sfiduar popullin, opozitën, partnerët ndërkombëtarë, ka sfiduar çdo vend partner që beson se vota e lirë është themeli i demokracisë. Edi Rama i varfëroi dibranet për t’u blerë më pas varfërinë siç bëri më 11 shtator, siç u faktua me zë dhe figurë nga mediat kombëtare dhe lokale. Sfida e çdo shqiptari e opozitës e PD, deputetëve të saj dhe e Lulzim Bashës është t’u kthejë shqiptarëve besimin te vota dhe ta nxjerrë atë nga tregu ku e ka fut Edi Rama”, thotë ai.

Dhe deputetet demokrat e fut veten pikërisht tek ky grup. “Ky është grupi ku unë bëj pjesë. Sepse unë besoj fort se Lulzim Basha bëri gjënë e duhur me Dibrën, veproi drejt dhe i faktoi çdo qytetari, çdo analisti, çdo partneri se si Edi Rama i trajton zgjedhjet. Ky ishte testi se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm ata që mendojnë si Edi Rama e gjejnë fajin te opozita”, deklaron Keta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: