NGA ZONJA KATERINA
Përbërësit

1 kg mish të grirë, 1 qepë, 1 domate, ½ filxhan çaji galetë, Kripë, piper, majdanoz, 1 karrotë të zier, 1 spec gogozhare, 100 gr djathë kaçkavall të fortë, 3-4 vezë të ziera, 5-6 patate, 1 litër lëng mishi, 1 lugë pure domate, 3-4 lgj vaj ulliri.

Në një enë vendosim mishin e grirë. Grijmë në makinë grirëse qepën dhe domaten. I grijmë shumë imët gati si pure dhe i shtojmë në tasin ku kemi vendosur mishin e grirë. Shtojmë më pas kripë, piper të zi, majdanoz të grirë imët, 1 lugë vaj ulliri dhe galetën. E punojmë mirë masën e përgatitur siç veprojmë me brumin e qofteve. Nëse kemi kohë mund ta lemë të pushojë edhe 1 orë.

Marrim një letër kuzhine, vendosim masën e përgatitur dhe e hapim në një petë të trashë, rrjeshtojmë në qendër vezët e ziera siç janë të plota, specin e prerë në fije, karrotën dhe djathin e prerë në shirita. E mbështjellim më pas petën me mish të grirë dhe e bëjmë role.

Në një tavë vendosim patatet e prera në forma sipas dëshirës (por të mëdha) dhe sipër patateve vendosim rolenë e mbushur.

Në një tenxhere vendosim pak vaj ulliri dhe sapo vaji të ngrohet shtojmë purenë e domates dhe e kaurdisim lehtë duke shtuar pak lëng mishi që të largohet era e salcës së domates. Shtojmë më pas pjesën tjetër të lëngut të mishit dhe e lemë të marrë valë. E rregullojmë në fund me kripë dhe piper të zi dhe e shtojme më pas në tavën me patate dhe role.

E vendosim tavën në furrën e parangrohur në temperaturën 180-200 gradë Celsius për rreth 1 orë.

Në fund të pjekjes nëse duam i kullojmë lëngjet dhe përgatisim një salcë me 1 lugë gjalpë dhe 1 lugë miell. Kaurdisim miellin me gjalpë dhe shtojmë lëngun e mishit sa të bëhet një salcë e lidhur.

Rolenë e presim në feta dhe e servirim me patatet me salcë.

(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb