Italia, e përballur me një fluks migrantësh që kalojnë Mesdheun, u bëri thirrje partnerëve të saj europianë për “solidaritet”, ndërsa mirëpriti disa prej tyre.

Ministrja e Brendshme italiane, Luciana Lamorgese, në një njoftim për shtyp bëri thirrje për “ndërhyrje strukturore në sistemin për menaxhimin e fenomenit brenda Bashkimit Europian”.

Në fund të një takimi virtual me homologët e saj europianë, ajo kërkoi “aktivizimin e mekanizmave konkretë dhe solidarë, përfshirë ato urgjentë”, në modelin e atyre të parashikuar në marrëveshjet e Maltës në 2019, që bënë të mundur zhvendosjen migrantë në një duzinë vendesh, përfshirë Francën, Gjermaninë, Portugalinë, Rumaninë dhe Finlandën.

Midis 1 janarit dhe 11 majit, gati 13 000 migrantë kanë zbarkuar në ishujt Lampedusa dhe Sicili nga brigjet e Afrikës Veriore, tri herë më shumë se në vitin 2020 në të njëjtën periudhë dhe 10 herë më shumë se në 2019, sipas të dhënave të qeverisë italiane.

Më shumë se 2 000 migrantë mbërritën gjatë fundjavës në Lampedusa, ku qendrat e pritjes janë të mbingarkuara.

Moti i keq në Mesdhe pritet të ngadalësojë largimet nga Libia dhe Tunizia në ditët në vijim, por autoritetet dhe OJQ-të presin një fluks rekord migrantësh këtë verë, që nga viti 2015.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb