Mbesa e ish-diktatorit të Italisë, Benito Musolini, ka fituar mandatin e dytë si këshilltare bashkiake e qytetit të Romës. Ajo pati rritje votash, krahasuar me zgjedhjet kur fitoi mandatin e parë.

E rreshtuar përkrah partisë ekstremiste “Vëllezërit e Italisë”, Rachele Mussolini siguroi mbi 8200 vota në zgjedhjet lokale të 3 dhe 4 tetorit, më shumë se çdo kandidat tjetër dhe shumë më tepër se 657 votat që mori në zgjedhjet e mëparshme, të vitit 2016.

Ajo tha se suksesi i saj në Romë është për shkak të punës së palodhur dhe jo mbiemrit të saj. “Kam mësuar të jetoj me mbiemrin tim që kur isha fëmijë,” tha ajo për La Repubblica.

Para se të bëhej këshilltare në vitin 2016, ajo tha se asaj i ishin kërkuar vetëm intervista për shkak të mbiemrit të saj.

“Në të kaluarën intervistohesha vetëm për shkak të emrit të familjes. Ndërsa gjatë mandatit tim si këshilltare filluan të më pyesin mbi nismat që kam promovuar. Kam punuar me të vërtetë shumë”, deklaroi Rachele Mussolini.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb