Dikur, një nga ish-ët e mëdhenj të kësaj klasikeje të futbollit botëror, Ariel Ortega, në vitet e tij me fanellën e Parmës, do të kujtonte me nostalgji derbin më të nxehtë të planetit: “Kur humbisnim, përdornim tunelet e stadiumit për t’u larguar. Jashtë na prisnin tifozët, ishte e pamundur të përballeshe me ta,” do të thoshte ndër të tjera një nga numrat 10 e Kombëtares së Argjentinës, por që nën hijen e të madhit Maradona, nuk mundi dot kurrë t’i gjente një qoshe të ndritur për fanelën e tij, sikundër pjesa më e madhe e atyre që erdhën pas Diegos.

Luhen dy finale, sot e para në “Bombonera”, shtëpia e Boka Juniors, tjetra dy javë më pas në “Monumental” të River Plejtit. Lajmi i vetëm i keq është se në asnjërin prej stadiumeve nuk do të lejohen tifozëritë kundërshtare sepse në gusht ka hyrë në fuqi një ligj 5-vjeçar në Argjentinë, që ndalon transfertat e rivalëve.

Por le të kthehemi te klasikja e klasikeve, Boka Juniors – River Plejt, për herë të parë në histori në finalen e një Copa Libertadores (Champions League e Amerikës Latine), dy ekipet më të mira të Botës së Re, do të ndeshen për trofeun e madh. Një vend është i ndarë më dysh. Boka, skuadra e pjesës së varfër dhe getove të Buenos Airesit, dhe Riveri, skuadra e pjesës më të ndritshme të qytetit. Ndonëse zanafillën e kanë në të njëjtën lagje, atë të Bokas, në vitin 1923 Riveri transferohet në lagjen e pasur të Belgranos, duke braktisur lagjen e varfër portuale të emigrantëve gjenovezë.

Prej asaj kohe, Boka-River u shndërrua dhe në një përballje mes shtresës së të varfërve dhe atë të pasurve të Buenos Airesit, duke i dhënë jetë rivalitetit më të madh futbollistik në planet. Adrenalina është e lartë, egërsia e rivalitetit dihet, askush nuk kërkon të tejkalohet masa, që shpesh është shndërruar në dhunë masive që ka pushtuar rrugët e kryeqytetit Buenos Aires, aq sa vitin 1968 është regjistruar dhe tragjedia më e madhe e futbollit argjentinas, kur në “Monumental”, në “Puerta 12”, 71 tifozë mbetën të vdekur dhe 150 të tjerë të plagosur. Mjaftoi djegia e flamurit të Riverit nga ana e tifozëve të Bokës, që të ndodhte tragjedia ku pjesa më e madhe e viktimave ishin adoleshentë.

Sa për kujtesë, herën e fundit që dy skuadrat janë ndeshur në turet eliminatore të Kupës Libertadores, ndeshja nuk ka përfunduar. Ajo u ndërpre në pushim pasi në tunelin që të çon në dhomat e zhveshjes ishte hedhur me shumicë spraj djegës, ndërsa herën e parafundit një nga aktorët e mëdhenj të këtij derbi, Karlos Tevez u ndëshkua me karton të kuq sepse festoi si pulë pas një goli në “Monumental”, mu përpara syve të tifozëve të Riverit. Apo kur Matias Almejda puthi logon e Riverit mu poshtë tribunës së tifozëve të Bokas dhe u largua nga stadiumi pas ndërhyrjes së policisë, ndaj të cilëve Almejda përdori grushtet dhe shkelmat.

Ndërhyrjet janë të ashpra, kartonët e kuq fluturojnë lumë, sherret masive mes lojtarëve janë më të shpeshtë sesa golat e shënuar! Bëhet fjalë 90 minuta ku rivaliteti nuk është më sportiv, është përtej tij, është jetësor! Askush nuk do humbjen dhe të gjithë shkelmojnë fort për ta larguar tej atë. Nëse e kupton atë që ndodh në fushë e përtej, mirë për ty. Nëse jo, as mos u lodh ta kuptosh, pranoje ashtu siç është. Ulu përpara televizorit dhe shijoje të gjithë ndeshjen dhe bëhu gati të presësh me padurim sfidën e kthimit. Sepse kjo nuk është një “klasike” e futbollit, është “Superklasikja”, më romantikja, por edhe më e egra!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb