TIRANË – Kryeprokurori i Shqipërisë Adriatik Lllalla është takuar sot në Romë me Prokurorin e Antimafias italiane, Franco Roberti, për të bashkërenduar sëbashku hetimet në çështjet e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

Prokuroria Shqiptare ka njoftuar sot se sëbashku me Drejtorinë Kombëtare të Antimafias italiane kanë nisur zbatimin në praktikë të Marrëveshjes së Bashkëpunimi, nënshkruar në Tiranë në Nëntor 2014.(Foto arkivë nga takimi)

Në tavolinën e bisedimeve janë shqyrtuar raste hetimore që kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve në të dy anët e kufirit. Në këtë kuadër, Prokuroria Shqiptare dhe Drejtoria e Antimafias së Italisë vendosën ngritjen e Skuadrave të Përbashkëta Hetimore, struktura të cilat kanë histori suksesi gjatë veprimtarisë së tyre ndërmjet vendeve të Bashkimit Europian.

Duke vlerësuar rëndësinë e këtyre hetimeve në zhvillim, Prokurori i Përgjithshëm, z. Llalla gjendet personalisht në kryeqytetin Italian, për të koordinuar bashkëpunimin ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Drejtorisë Kombëtare të Antimafias, si edhe të disa prokurorive rajonale italiane.

Dy strukturat kanë nisur aplikimin e “shkëmbimit spontan të informacionit”, një teknikë që mundëson kombinimin e informacionit në kohë reale, nën koordinimin e zyrave qendrore të marrëdhënieve me jashtë. Kjo teknike ishte një ndër arritjet më të rëndësishme të Memorandumit të Bashkëpunimit të nëntorit të kaluar, e cila mundëson komunikimin dhe më pas goditjen e njëkohshme të grupeve kriminale që operojnë në të dy anët e kufirit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: