Nga: AURORA GOLEMI*
TIRANE – Para dy ditësh Kreu i Bashkisë Erion Veliaj u tregua i ashpër me organizatat e ndryshme të shoqërisë civile që përfitojnë fonde nga Bashkimi Europian, për të ndihmuar komunitetin rom. Por paratë nuk shkojnë në destinacion. Veliaj u shpreh se raportet 500 faqëshe të këtyre shoqatave nuk i lexon askush dhe se romet nuk po ndihmohen konkretisht.

“Kur dëgjojmë recitime se sa para janë harxhuar për këtë komunitet, në fakt nuk janë harxhuar për komunitetin, por për të tjerë që nuk janë pjesë e tij, por që faturojmë pafundësisht ekspertizë për të shkruar pa fund letra, e seminare. Përveçse të tregohemi të disiplinuar në mënyrën se si përdorim fondet, është edhe një moment i madh reflektimi për projekte që kanë duk dhe ofrojnë një rezultat konkret. Ndonjëherë prej kësaj klime dyshuese është bërë aq e vështirë dhe burokracia është bërë aq e ndërlikuar për t’i aksesuar fondet e BE-së”- deklaroi Veliaj.

Në një protestë që zhvillonin lidhur me planin për zhvendosjen e tyre nga Bregu i Lumit, dhjetëra pjesëtarë të komunitetit rom akuzojnë organizatat joqeveritare se e kanë kufizuar punën e tyre vetëm në shkrepjet e aparateve fotografike dhe shpërndarjen e hamburgerëve për fëmijët, por asgjë më tepër.

Protestuesit thonë se janë kontaktuar nga punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët i kanë njoftuar se shtëpitë e tyre do të shemben. Bashkia u ka ofruar banorëve një bonus qiraje për strehim.

Projekti i rehabilitimit të lumit të Tiranës, prek me shume se 70 familje që kanë barakat dhe shtëpitë e tyre në Bregun e Lumit.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: