Nga: Fatmir Popja

ELBASAN- Papunësia pothuajse totale, mungesa e strehimit, mungesa e aksesit në sistemin shëndetësor, në atë të Drejtësisë, problemet e fëmijëve me tekstet shkollore, braktisja e shkollave janë problemet me të cilat përballet komuniteti rom në bashkinë e Elbasanit në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI. Fatkeqësisht të gjitha këto probleme të këtij komuniteti shumë rrallë gjejnë zgjidhje dhe aktualisht ky komunitet mbetet ende i përjashtuar dhe trajtimi ndaj tyre bëhet sikur të jenë qytetarë të dorës së dytë edhe pse tashmë ka një ligj të minoriteteve të miratuar nga Parlamenti , ligj i cili pritet të ndikojë në përmirësimin e jetës së komunitetit rom në Elbasan dhe jo vetëm.

Gjatë diskutimeve të zhvilluara gjatë takimit me temë “Punësimi i romëve dhe egjiptianëve përmes programit te nxitjes se punësimit” përfaqësues të këtij komuniteti kanë lëshuar një lumë akuzash ndaj Zyrës Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Elbasan. Ilirjan Berati, një prej përfaqësuesve të njohur të komunitetit rom në Elbasan ka bërë një panoramë të problematikës me të cilën përballet jeta e tij dhe e komunitetit rom në Elbasan , komunitet që popullon një pjesë të madhe të lagjes ” 5 Maj” në këtë qytet dhe jo vetëm. Aktualisht asnjë pjesëtar i komunitetit rom nuk është i punësuar dhe po kaq dramatike është situata edhe përsa i takon rekrutimit të tyre në procesin e formimit profesional. Elbasani ka një Qendër Formimi Profesional ku ndër 879 kursantë nuk ka asnjë rom dhe egjyptian.
31562139_425972164495292_6808843007610060800_n
Më skandaloze sesa kaq situata nuk ka qenë kurrë më parë me pjesëtarët e komunitetit Rom në Elbasan. Madje përfaqësuesit e tyre shprehen se kohët e fundit ndaj tyre është shtuar pesha e diskriminimit. Një deklaratë të tillë romët e kanë bërë para Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajdja i cili shprehu keq ardhjen e tij dhe garantoi se institucioni i tij do përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë që kjo situatë të marrë fund sa më shpejt.

Por, ndërsa për shumicën e problemeve me të cilat përballen romët janë mirëkuptues nuk tolerojnë burokracinë dhe indiferencën e zyrës së shërbimit kombëtar të Punësimit Elbasan. Në emër të një përfaqësie të komunitetit rom të Elbasanit Ilirjan Berati tregon edhe historinë personale sesi ai gjatë 20 viteve ka shkuar me qindra herë te zyra që sot njihet me emrin Shërbimi Kombëtar i Punësimit dhe gjithmonë si të gjithë romëve i kanë përplasur derën në fytyrë.
“Jemi punëkërkues por nuk na ka dhënë kush kurrë as edhe një mundësi. Realiteti është edhe më hidhur sesa kaq. Mjaft familje rome për shkak të varfërisë mbeten pa buke, pa energji, pa ujë.
31641910_425972151161960_3810378260684996608_n
Një pjesë e familjeve rome me zor i çojnë në shkollë për shkak të varfërisë dhe paragjykimi për këtë komunitet mbetet i madh. Prandaj shpesh pjesëtarë të këtij komuniteti për të mbijetuar shkelin ligjin dhe penalizohen jo pak. Por kur sheh që shteti dhe shoqëria të lë në mëshirë të fatit mendon edhe pse në mënyrë të padrejtë. Më mirë në burg sepse ke strehim, ushqim e drita edhe pse nuk punon, për to aty as paguan”- e mbyll rrëfimin Ilirjan Berati, një rom që edhe pse i sëmurë dhe me 60 vite mbi supe ende vijon të trokasë te zyra e shërbimit kombëtar të punësimit me shpresën se një ditë dikush do e marrë në punë. Ai sygjeron se të paktën pemë mund të mbjellin romët dhe të pyllëzojnë kodrat e shkrumbuara vitet e fundit. Dhe jo vetëm kaq por mund të ndërtojnë pritat lumore që të mos përmbyten tokat, të mbjellat e shtëpitë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: