TIRANË- Kreu i Këshilltarëve të Djathtë të Partisë Demokratike, Leonard Olli ishte sot pranë banorëve romë, të cilët kërkojnë të strehohen pranë banesave sociale në Shkozë, pasi kanë mbetur të pastrehë nga djegia e banesave të tyre.

Olli kërkoi më shumë mbështetje për ta, ndërsa ftoi vetë kryebashkiakun Veliaj të interesohej për gjendjen e tyre.

“Shteti i ka braktisur totalisht romët, por unë i ftoj të ruajnë gjakftohtësinë, ua kuptojmë hallin që kanë, problemet, faktin që janë braktisur. Personi i parë që duhet të ishte këtu është Erion Veliaj. Nuk jemi këtu për të prodhuar politikë. Zemërimi i banorëve është i qartë”, tha ai.

Olli pranoi se këto janë probleme të mbartura, por sërish kërkoi që kryebashkiaku Veliaj të merrte në dorë “frenat” e këtij problemi. “Veliaj të prekë realitetin, jo të kalojë ditët në Sri Lanka”.

E ndërsa Olli fliste para kamerave, u përball me reagimin e ashpër të një aktivisteje rome, e cila i kërkoi të mos politizojë kauzën e tyre, por e gjithë politika të bashkëpunojë për të mos i lënë këta banorë në mëshirë të fatit.

“Mos e politizoni çështjen, mos i përdorni këto raste, mos përdorni vdekjet. Ik, e mos lejoni njerëzit të vdesin! Nëse vërtet doni të interesoheni, bashkëpunoni me njëri- tjetrin, e mos lejoni të vdesin romët”.

Më tej zoti Olli shtoi se: Duhet të vinin këtu drejtuesit vendorë. Kryesorja është të shpëtoheshin jetët e njerëzve. Apel personave përgjegjës të marren masa”.

Një tjetër banore iu kundërvu zotit Olli, kur i tha se: “Mos fol për romë e egjiptianë, ne jemi shqiptarë”.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: