TIRANE-Interpretimit të ndjerë të baladës së saj të dashurisë në “Kënga Magjike” i shkoi për shtat dhe fiziku në formë. Rosela Gjylbegu tregon per ‘PanoramaPlus’ se si humbi 8 kilogramë për gjashtë muaj, si dhe detaje nga regjimi i saj i përditshëm për trup të shëndetshëm dhe humor të mirë.

Nuk kaloi pa u vënë re eleganca jote në festivalin “Kënga Magjike”. Në ç’mënyrë arrite formën e duhur fizike?

Faleminderit, pasi më vjen mirë për këtë që ju thoni! Mund të them thjesht kujdes, regjim dhe sigurisht impenjimi për disa muaj për realizimin e këngës “Rri me mua”, e përgatitjet për të dalë në skenë më ndihmuan shumë. Të gjitha këto bashkë bënë që unë të arrija një formë të mire fizike.

Flisni për “regjim”. Cilat janë rregullat që u nënshtrohesh në mënyrë rigoroze?

Për të qenë e sinqertë, unë prej vitesh kujdesem që të ha shëndetshëm. Mirëpo, gjithçka mendoj se lidhet me gjendjen time emocionale dhe psikologjike, pasi para dy vjetësh e gjysmë unë humba babain tim, moment shumë i vështirë për mua. Besoj e kuptoni që kur humb një njeri aq të rëndësishëm, humb diçka nga vetja. Siç duket, nga stresi nga pagjumësia e nga një periudhë shumë e ngarkuar emocionale, i rifitova ca kilogramë më tepër. Pra, jo nga ushqimi i tepërt, por nga prishja e regjimit apo e një ekuilibri mes gjumit, ushqimit dhe gjendjes sime emocionale. Më pas kuptova që duhet të bëja kujdes dhe kështu fillova të rigjej ekuilibrin e përditshmërisë sime.

Dhe cila është menyja e ekuilibruar e ushqimeve që konsumon?

Menyja ime është e bazuar te zarzavatet e freskëta, të pjekura në furrë apo të ziera. Supa, sallata, pak fileto pule apo peshku janë të përditshme në menynë time. Mundohem të ha pak e shpesh. Edhe nëse ndonjëherë ha diçka më shumë në vaktin e drekës, nuk ha darkën. Pra, mundohem të kombinoj shqimet në atë mënyrë që të mos jetë e tepërt. Kam filluar palestrën dhe po përpiqem të kujdesem për veten.

Deri tani i je nënshtruar ndonjë diete specifike, para respektimit të një regjimi stabël?

Nuk i praktikoj fare dietat, sepse janë të pashëndetshme psikologjikisht. Thjesht po përpiqem të organizoj apo kombinoj mënyrën e të jetuarit sa më shëndetshëm dhe në ekuilibër me gjithçka. Duke u përpjekur të mendoj sa më pozitivisht, duke punuar e duke bërë ato gjëra që më plotësojnë e që dua.

Aktualisht sa kilogramë ke humbur nga pesha jote dhe për sa kohë t’u desh për këtë?

Kam humbur 8 kilogramë për një periudhë gjashtëmujore dhe ndihem shumë mirë. E thashë që angazhimi për festivalin “Kënga Magjike” ka ndikuar shumë, pasi unë kur kam aktivitete dobësohem. Gëzoj si fëmijë ato ditë nga adrenalina, qejfi dhe emocioni. Unë humbas shumë gjatë asaj periudhe, e kështu më ka ndodhur gjithmonë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb