Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, ka deklaruar se nuk ka asnjë mënyrë që presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, të ketë synuar të fyejë integritetin territorial të Iranit.

Në një konferencë për media, presidenti iranian tha se bazuar në njohuritë e tij të kaluara për presidentin Erdoğan, “nuk mund që ai të ketë ndonjë qëllim për të fyer integritetin territorial apo popullin iranian”.

Presidenti Rouhani po ashtu theksoi rëndësinë e lidhjeve turko-iraniane, duke shtuar se të dy vendet punojnë së bashku për çështje të rëndësishme rajonale.

Kjo polemikë u shfaq pasi presidenti Erdoğan javën e kaluar lexoi një poezi në Baku të Azerbajxhanit, ku mori pjesë në ceremoninë për të shënuar suksesin e vendit në çlirimin e Malësisë së Karabakut, rajon i cili ishte nën pushtimin armen për pothuajse 30 vite.

Ministri iranian i Punëve të Jashtme, Javad Zarif, pretendoi se poezia kishte për qëllim integritetin territorial të Iranit.

Në një bisedë të mëvonshme telefonike me Zarif, ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se poezia ishte rreth Malësisë së Karabakut dhe se gjatë komenteve të tij presidenti Erdoğan kurrë nuk e përmendi Iranin, madje as në mënyrë implicite.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb