Në panelin e ngritur enkas për emisionin “Dritare me Rudinën” që u zhvendos këtë mbrëmje në një prej resorteve turistike më në zë të Golemit, “Prestige Resort” ishte i ftuar edhe Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik, i cili e vlerësoi resortin si një nga vendet e zgjedhura nga të huajt, e ku nuk ka asnjë dhomë bosh.

“Ja këtu në hotel nuk kemi asnjë dhomë bosh, pra padyshim vitin tjetër presim rritje. Këtu janë nordikë të gjithë. Flasim për turizëm cilësor. Ne po shkojmë drejt këtij standardi, të rrisim pjacën, turistët nordikë janë ndër turistët më cilësorë që ka Europa, pastaj gjermanë dhe anglezë. Jemi në tratativa me gjermanët, ata janë tërhequr pak nga trazirat politike. Edhe italianët janë tërhequr pak, për shkak edhe të atyre që shkruajnë mediat. Por pavarësisht kësaj, dhomat e këtij hoteli janë plot.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi pranoi gjatë emisionit se ende në Shqipëri ka probleme me turizmin, por shtoi se masa edhe më të forta do të ndërmerren në të ardhmen.

“Turizmi është si industritë, ka rregullat dhe parimet e veta mbi të cilat ngrihet. Ne kemi pasur kontakte me shumë kompani të huaja të mëdha që sjellin turistë në Shqipëri. Ne mbetemi atraktivë për ta, por duhet të vijmë në përmirësim e sipër. Unë jam ndjerë në një pozicion jo të mirë për atë që komentojnë turistët e ardhur një vit më parë. Nuk mjafton vetëm bukura e detit, ndaj kemi krijuar Task Forcën, për të ditur çfarë bëhet me higjienën, rrugët, ata rojet e plazhet. Ne e dimë sa të rëndësishme janë revieë-të e turizmit”,- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb