“Edhe unë kam pësuar ngacmime seksuale, madje më shumë dhe nuk kam denoncuar”, është rrëfimi shokues i aktores Gina Lollobrigida, sot 90-vjeçare, që gjatë emisionit “Porta a Porta” ka komentuar skandalet seksuale që kanë shpërthyer në botën e kinemasë. “Nuk kam pasur kurajën të denoncoja, isha e re”, shtoi ajo.

“Një koment për atë që po ndodh? Besoj se duhet të kishin denoncuar me kohë por nuk kanë pasur kurajën. Por as unë nuk kam pasur”, rrëfen Gina Lollobrigida në “Porta a Porta”. Sa persona mund të denonconte, e pyet Bruno Vespa. “Dy persona- përgjigjet Lollobrigida- dhe do i kisha humbur të dyja punët. Një i huaj dhe një italian”.

Pyetjes nëse bëhej fjalë për ‘ngacmues të rëndë”, aktorja iu përgjigj: “Kur ngacmimi seksual nuk është thjesht një ngacmim por është më shumë…nuk mund ta eliminosh, qëndron brenda dhe kushtëzon karakterin tënd, veprimet e tua janë gjithmonë subjekt i këtij kujtimi”.

“Herën e parë isha e pafajshme, nuk e njihja dashurinë, nuk njihja asgjë. Kështu që ishte e rëndë. Dhe personi në fjalë ishte shumë i njohur. Isha 19 vjeç, shkoja ende në shkollë. Për rastin e dytë më mirë të mos flasim…nuk i kam denoncuar për të mos zbuluar diçka të jetës sime…por ishin dy raste goxha të rënda. Herën e dytë isha e martuar dhe kisha nisur karrierën në kinema”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb