Indiania më e re që luan Sakshin në serialin “Bidaai” u bë personazhi më i urryer, me hyrjen e saj në lojë pas vdekjes së Sadnës dhe Ranvirit. 26-vjeçarja, Sulagna Panigrahi e njohur si aktore në film dhe televizion tregon se është shumë e dashuruar me ushqimin, edhe pse pesha e saj trupore është vetëm 54 kg.

Artistja me lëkurë të bardhë, me flokë e sy të zinj komentohet në Bollywood si vajza që duket e bukur edhe pa grim. Po ju sjellim disa fakte interesante rreth vajzës, që përfundoi studimet në Shkollën Publike të Ushtrisë në New Delhi, e nxitur nga i ati ushtarak. Ajo luajti rolet kryesore në serialin televiziv “Amber Dhara” si Dhara dhe “Do Saheliyaan”. Më vonë fitoi rolin e madh si Sakshi Rajvansh në “Bidaai”, ku me djallëzitë femërore ndryshoi krejtësisht rrjedhën e ngjarjeve të serialit. Për ta njohur më shumë këtë “vajzë të keqe” lexoni rrëfimin e saj.

Je kthyer në femrën më të urryer të serialit “Bidaai”. Si ja dole apo je tip i tillë edhe në jetë?
Hmmm. Në fakt para “Bidaai” unë njihesha ajo engjëllorja. Por nuk mund të isha sërish fytyra e pafajshme e roleve të mëparshme duke ju mashtruar se mund të jem në filma vetëm vajza e ëmbël. Regjisorët më kanë vlerësuar për talentin absolut dhe fytyrën ekspresive, gjë që më ndihmon të realizoj bindshëm edhe një rol negativ si Sakshi. Por dua të theksoj se më pare kam pranuar role dhe më keq se ky, siç ishte ai në filmin “Murder 2”. Aty mora përsipër të bëja prostitutën, si një studente që pranonte këtë punë për të plotësuar nevojat e saj ekonomike. Ishte rol i vështirë, pasi në fund të filmit rashë viktimë e një psikopati. Edhe pse rol i vogël, kjo ishte mundësi e madhe për mua pasi vërtet guxova në kinema, por edhe u vlerësova shumë.

Cilat janë tiparët që të bëjnë të spikasësh si aktore?
Portreti im i ëmbël dhe sjellja e thjeshtë më kanë ndihmuar që të bëhem e njohur me shumë role interesante si ai në “Amber Dhara”, “Do Saheliyaan” apo dhe “Bidaai”.

Në jetën jashtë kinemasë dhe televizionit je zonjë shtëpie që kalon shumë kohë në kuzhinë?
Unë në fakt dua të gatuaj. Kur isha fëmijë askush s’më lejonte të qëndroja në kuzhinë, me frikën se rezultati do të ishte thjesht një rrëmujë e madhe dhe asgjë më shumë. Por kur fillova të jetoj vetëm, kuzhina u kthye në laborator për eksperimentet e mia. Dashuroj çdo gjë që lidhet me kuzhinën, që nga larja e perimeve gjithë ngjyra, prerja e tyre dhe gatimi. E vetmja gjë që refuzoj të bëj është prerja e qepëve. Të them të drejtën gatimi është si pikturë për mua, ku më duhet vë në punë fantazinë për t’i kombinuar të gjitha ngjyrat e perimeve bashkë. Kurrë nuk ndjek një recetë të gatshme për ta zbatuar, pasi u besoj instikteve të mia.

Të pëlqen ta shijosh gatimin vetëm?
Jo. Qejfi im më i madh është të ftoj miqtë në shtëpi dhe të gatuaj pjatat e tyre të preferuara.
Ke shumë kohë të lirë për ta bërë këtë, dhe si i kalon orët pa njerëz?

Ndodh rrallë. Ndërsa kur jam vetëm vdes të lexoj libra, ose të ndjek filma. Më pëlqen të lexoj libra “fiction”, por jam duke blerë edhe libra historikë, pasi dua që të lexoj dhe histori të vërteta. Ndërsa për filma më pëlqen shumë të kaloj kohë para televizorit duke ndjekur filma të huaj, veçanërisht evropianë.

Preferon më shumë bisedat me miqtë në shtëpi, apo festat e çmendura?
Zgjedh përfundimisht shtëpinë. Kam frekuentuar festa të çmendura gjatë periudhës së shkollës, aq sa tani ndihem krejtësisht e ngopur. Bisedat bëhen shumë të lodhshme mes muzikës ulëritëse. Kështu që preferoj bisedat me miqtë në shtëpi, duke u argëtuar me lojra.

Po stresin e largon duke qëndruar shtrirë në krevat, apo duke udhëtuar në një vend të largët?
Është bukur të nisesh me makinën tënde për të kërkuar bukuritë e natyrës dhe t’i shijosh, por zakonisht zgjedh alternativën e thjeshtë, krevatin (qesh).

Hobet e tua jashtë kinemasë mund të na i tregosh?
Dashuroj të notoj, të vallëzoj, të merrem me sport dhe të bëj aventura. Madje do t’u them një sekret. Unë kam mbaruar shkollën ushtarake, pasi jam fëmijë e një ushtaraku. Jam rritur mbi tanke dhe imagjinojeni vetë çfarë tipi jam unë…

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: