Për Armina Mevlanin, nëse ekziston ndonjë filozofi jete, është ajo se në fund të fundit jeta është shumë e shkurtër dhe është e padrejtë që disa njerëz të vuajnë aq shumë, ndaj u takon atyre që munden të vendosin një ekuilibër.

Gati katër vite pasi nisi historinë e dashurisë me Shkëlzen Berishën, ajo tregon se gjestet e bamirësisë kanë qenë të shpeshta nga ata si çift, por nuk kanë preferuar t’i bëjnë kurrë publike. Moderatorja rrëfen sekretet e shpirtit binjak, dhe ku do të festojnë ndërrimin e viteve.

Atmosfera e Vitit të Ri i afron njerëzit më shumë me njëri-tjetrin. Ku dhe me kë do të festoni?
Gjithmonë Vitin e Ri e kemi kaluar pranë familjarëve dhe miqve më të mirë, ndaj edhe këtë vit nuk do të jetë ndryshe. Rëndësi ka të jemi pranë atyre që duam dhe çdo gjë tjetër shkon shumë mirë.

Zakonisht si ndodh në bisedat për nisma të ndryshme me partnerin Shkëlzen Berisha, ti jep ide dhe ai aprovon apo e kundërta?
Në fakt, që në fillim të marrëdhënies sime me Zenin, një ndër gjërat që më ka bërë shumë përshtypje dhe kam vlerësuar aq shumë është zemra e tij e mirë dhe gatishmëria për të ndihmuar të tjerët, gjithashtu më ka bërë përshtypje fakti që asnjëherë nuk ka dashur t’i bëjë publike. Edhe ai këtë besoj ka vlerësuar tek unë, dhe sigurisht më mbështet sa herë ka mundësi.

Sa pranë je me nënën e tij, Liri Berishën, të cilën e shohim shpesh pranë fëmijëve?
Znj. Liri është një grua shumë e dhembshur dhe e dashur, për këtë arsye ajo ka bërë të pamundurën ta ngrejë dhe ta mbajë këtë fondacion, dhe kjo është diçka për t’u vlerësuar maksimalisht. Nuk e di nëse unë do t’ia dilja aq mirë sa ajo. Por di që në një të ardhme do të mundohem për diçka të ngjashme, pasi unë e vuaj shumë pamundësinë, sëmundjen apo vuajtjen e një fëmije.

Ke plan të bëhesh nënë, kur dëshiron ta kesh fëmijën tënd?
Për shkak të angazhimeve dhe moshës, nuk kam marrë ende një vendim të tillë për të pasur fëmijë. Sigurisht është një ndër gjërat më të bukura dhe një ndër mrekullitë me të cilat Zoti bekon një familje
dhe, si e tillë, dua që të vijë në momentin e duhur në mënyrë që unë t’i dedikohem komplet.

Si do ta projektoje jetën e fëmijëve të tu, ti vetë ke qenë një fëmijë i lumtur e që të plotësohej çdo dëshirë, apo jo?
Në fëmijëri kam qenë shumë e lumtur, sepse prindërit e mi më kanë qëndruar shumë afër. Mesa kanë pasur mundësi, ata kanë punuar dhe s’më kanë lënë të më mungojnë gjërat kryesore që një fëmijë mund të dëshirojë. Në këtë aspekt kam qenë me fat.

Cilat ishin disa nga dëshirat e tua të fëmijërisë dhe të është realizuar çfarë ëndërroje atëherë?
Unë ëndërroja shumë dhe adhuroja të luaja me kukullat, që ende edhe sot i kam ruajtur. Gjithashtu, në çdo aktivitet shkollor kam qenë e para që organizohesha të kërceja, aktroja apo këndoja dhe babi është
kujdesur që këto kujtime t’i kem të regjistruara, ndaj sa herë i shoh, ndihem shumë mirë dhe e lumtur. Besoj shumë në teorinë frojdiane, e cila thotë se çdo gjë që na ndodh në fëmijëri është ajo që më pas ne bëhemi kur jemi të rritur, pra gjithçka është pasqyrim i fëmijërisë. Ndaj do të doja shumë që edhe unë të bëja për fëmijët e mi maksimumin për t’i edukuar dhe për t’u dhënë një fëmijëri të lumtur, atë që në fund të fundit çdo fëmijë në botë meriton. (Panorama)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb