NGA: ALFRED GURAJ*
Bashkëshorten time e godita për vdekje me thikë në sherr e sipër. Nuk desha ta vrisja, por situata më doli jashtë kontrollit. Teksa po debatonim, ajo më qëlloi e para, ndaj bëra atë që bëra. Jam penduar”. Kështu është shprehur dje para oficerëve të policisë, Shpëtim Goxhaj nga qyteti i Patosit, i cili në orët e vona të mbrëmjes të së dielës ekzekutoi nënën e tre fëmijëve të tij. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit dje bënë me dije se krimi më i fundit në familje ka ndodhur për motive xhelozie. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje 55- vjeçari ka deklaruar se prej shumë kohësh kishte konflikte me gruan e tij 50- vjeçare, Resmie Goxhaj, pasi dyshonte se ajo e tradhtonte. Ndërkohë, mësohet se autori i krimit është tronditur dhe penduar pas vrasjes, ndërsa ka shkuar duke qarë në Komisariatin e Policisë së Fierit. Shpëtim Goxhaj akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, ndërsa pritet që Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit të vendosë masën e sigurisë ndaj tij.

NGJARJA
Mbrëmjen e së dielës bashkëshortët Goxhaj kanë nisur të grinden me njëri-tjetrin në banesën e tyre. Sipas burimeve të mësipërme, dyshohet që kryefamiljari prej disa kohësh ushtronte dhunë psikologjike ndaj gruas së tij, pasi dyshonte se kjo e fundit e tradhtonte. Të gjendur vetëm në banesë, pasi fëmijët në një dasmë, Shpëtim dhe Resmie Goxhaj kanë nisur të debatojnë fillimisht me fjalë. Më pas sherri ka degjeneruar deri në përleshje. Kryefamiljari, dje ka pretenduar se në sherr e sipër, e shoqja ka ngritur dorë kundër tij. I fyer dhe tejet i nxehur, 55- vjeçari ka marrë thikën dhe e ka goditur disa herë bashkëshorten e tij duke e lënë atë të vdekur në vend. Më pas, rreth orës 23:30, ai është vetëdorëzuar në rajonin e policisë së Patosit, ku ka deklaruar se kishte vrarë nënën e tre fëmijëve të tij (dy djem dhe një vajzë).

Menjëherë forcat policore kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për krimin e rëndë në familjen Goxhaj. Ndërkaq, Shpëtim Goxhaj është dërguar në Komisariatin e Policisë së Fierit, ku ka treguar me detaje ngjarjen si dhe motivin e krimit. DESHMIA E AUTORIT NE POLICI “Ishim vetëm në banesë, pasi fëmijët kishin shkuar në një gëzim familjar, në një dasmë te disa të afërm. U grindëm me fjalë. Dhe unë e godita me thikë. Kur pashë se çfarë ndodhi dhe gruan ashtu të përgjakur, u trondita. Për një moment kam ngrirë. Nuk mbaj mend se si kam shkuar deri në rajonin e Policisë së Patosit”, – ka thënë 55-vjeçari Shpëtim Goxhaj. Babai i tre fëmijëve ka pohuar se “pasi kam deklaruar se kam goditur gruan me thikë, më kanë shoqëruar në Komisariatin e Fierit. Pastaj s’mbaj mend asgjë. Nuk doja ta vrisja nënën e fëmijëve të mi”. Nga ana tjetër, burime policore sqaruan se autori i krimit kishte një servis makinash, ndërsa viktima ishte shtëpiake.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: