E ka ndjekur në çdo hap. Fillimisht si djalin e tij, e më pas si njeriun që e mori nën menaxhim. Sot flet për të birin që ka luajtur me PSG-në, Marsejën, Sandërlendin, Gallatasarajin, Lacion dhe Nantën. Është fjalë për Agim Canën, babanë e kapitenit të Kombëtares shqiptare, Lorik Cana.

Në një intervistë për portalin “kolona.al”, babai i Lorikut rrëfen detaje interesante nga karrierën e të birit, si dhe momentin e rëndësishëm në jetën e tij, kur u martua me Monikën.

Si prind, por edhe menaxher i Lorikut, ju jeni në të shumtën e kohës pranë tij. Na flisni fillimisht rreth ardhjes në jetë të Boikenit…
Në fakt, ne gjithmonë kemi pasur një lidhje shumë të fortë me njëritjetrin. Si çdo prind tjetër, që mundohet me të gjitha forcat dhe në çdo aspekt të mbrojë, të edukojë, të rrisë fëmijët e tij, edhe unë gjithashtu jam munduar që të kem një familje të shëndoshë. Dhe, në këtë mënyrë, edhe më përpara, por edhe pas ardhjes në jetë të djalit të Lorikut, Boikenit, kemi qenë shumë të lidhur. Por, gëzimi i fundit familjar është i pamasë. Mund të them i jashtëzakonshëm. Edhe pse gjithnjë kemi qenë të lidhur me Lorikun, mund të them se Boikeni na ka lidhur edhe më shumë, duke na e freskuar ritmin e jetës. Unë si gjysh jam shumë krenar që nipi im i parë është djalë.

Loriku do një familje të madhe, çfarë ju ka treguar?
Loriku ka idenë të bëjë shumë fëmijë. Uroj do jetë vazhdimisht kështu, me fëmijë, me shëndet dhe fat. Boikeni me të vërtetë është një dhuratë e Zotit, një engjëll përmes të cilit e pashë më mirë se çfarë ishte Loriku me ndjenjat e tij, me emocionet e tij. Loriku gjithmonë i ka dashur fëmijët e të tjerëve. Mos të flasim tani për fëmijën e vet. Mezi pret të përfundojë stërvitjet, apo ndeshjet e të kthehet në shtëpi ta përqafojë të birin.

Si jua dha lajmin për lindjen e djalit?
Kjo pyetje më rikthen në kujtesë një moment të veçantë që më prek emocionalisht. Ishte mëngjes e në fakt unë isha në gjumë. Ishte bashkëshortja ime ajo që më dha lajmin. Kur erdhi dhe më zgjoi nga gjumi, ishte shumë e gëzuar. “Agim, ka lindur Monika”. Këto ishin fjalët, të cilat më shtojnë gëzimin sa herë i kujtoj. Me të vërtetë ishte gëzim i madh. E di që e kemi shprehur me lot. Menjëherë kemi provuar që të kontaktojmë Lorikun, por ai ishte në stërvitje dhe ishte e pamundur të flisnim. Sigurisht, urimet u bënë pak më vonë, atë ditë. Më të bukur na e kanë bërë telefonatat dhe mesazhet e miqve.

Në cilën pjesë të personalitetit të tij ka ndryshuar Loriku pas lindjes së djalit?
Faktikisht, nuk ka ndryshuar edhe shumë, por në njëfarë mënyre është ‘izoluar’. Ata persona që e kanë ndjekur Lorikun gjatë gjithë karrierës së tij, e dinë se Loriku që nga mosha 19-vjeçare ka debutuar te PSG dhe ka qenë vazhdimisht në lëvizje. Tashmë janë bërë rreth 14 vjet që luan si profesionist dhe në fakt ka qenë mjaft i lodhur, por edhe vazhdimisht prezent në media, në rrugë, me ndeshje, me streset e tij sportive të karrierës. Janë gjëra që me vullnet dhe me dëshirë i tejkalon njeriu. Pas lindjes së Boikenit, Loriku në njëfarë mënyre është ‘izoluar’ në shtëpi, me një fjalë është afruar më tepër me gruan dhe djalin. Është një kënaqësi dhe një shembull se çfarë marrëdhënieje kanë dhe çfarë dashurie kanë njëri për tjetrin.

Sa shpesh ju vijnë për vizitë tashmë me të voglin e familjes?
Faleminderit Zotit që janë të pavarur. Secili ka jetën e vet, kushtet e veta dhe pavarësinë e vet. Për Lorikun e di që çdo gjë që them është e tepërt, por ka pas shumë nevojë si emocionalisht, sikur fizikisht që të ketë një ‘zmbrapsje’ nga ritmi, stresi dhe euforia që ka pasur deri tani. Gjërat zakonisht planifikohen për një periudhë të afërt se ku do të jesh apo ndodhesh. Lorikut gjithmonë i janë realizuar dëshirat dhe tani po e shijon jetën ndryshe. Loriku së shpejti bëhet 33 vjeç dhe ai po plaket. Po i kalon edhe ‘afati” (qesh). Pas stërvitjeve, në vend që të shkojë në ndonjë restorant apo bar, atë e gjen në gjirin familjar. Sigurisht që takohemi shpesh, sidomos pas ardhjes së Boikenit.

Ju thatë se Loriku po plaket. Ia keni thënë këtë vetë djalit tuaj?
(Qesh) Jo, absolutisht! Është një mënyrë që ne bisedojmë me Lorikun, pasi ne gjërat i marrim me shumë humor, sepse të njëjtën gjë e kam bërë edhe unë, të njëjtën rrugë e kam kaluar si futbollist profesionist. Shpesh më thotë: ‘Babi, gati e përfundova edhe unë’. Pra, edhe atij i ka ardhur koha që të përgatitet për përfundimin e karrierës. Zoti e ka shpërblyer me dhuratën më të madhe në karrierën e tij, që të jetë pjesë e Kombëtares në Europianin e Francës. Është një kënaqësi kjo dhe i jep një lloj morali, si ta them, dhe një forcë që të mobilizohet edhe për një vit, apo ku ta di unë.

Kush vendosi për emrin Boiken?
Emrin Boiken ia ka vendosur Loriku. Ai ka një fat që ka një bashkëshorte shumë të mirë. Është italiane, por ajo është shqiptare, si të them. Është kënaqësi të dëgjosh një italiane kur i flet fëmijës shqip. Është ideja e Lorikut për emrin, por që na ka pëlqyer të gjithëve.

E donte Loriku fëmijën e parë djalë?
Loriku kishte një siguri në vete se Monika do të lindte djalë. Dëshira jonë ka qenë për djalë e Zoti na dëgjoi ndoshta. Unë kam Lorikun dhe dy vajza. Vajza është më shumë për prindin sesa djali. Por, besoj që edhe Lorikut një ditë ndoshta do t’i lindë një vajzë dhe do ta shohë çfarë do të thotë vajzë (qesh).

Tashmë vihet re se Monika jua paska marrë zemrën, me sjelljen dhe mirësinë e saj. Si e pritët në fillim?
Kjo për ne nuk ka qenë një risi. Mos ta teproj, po mundohem të jem modest, por Loriku gjatë karrierës së tij ka pasur mundësi të takohet me lloj-lloj vajzash nga lloj-lloj nacionalitetesh e kulturash. Monika ka qenë e vetmja, e para dhe e fundit që ka jetuar 2 vjet me të. Loriku nuk ka pranuar kurrë një vajzë në shtëpi, sepse nuk mundesh ta sjellësh në shtëpi secilën vajzë dhe t’u thuash prindërve “me këtë do të martohem”. Monika ka qenë e njëjta ashtu si të gjitha të tjerat e mëparshme. Por me kohë lindi edhe dashuria, lindi besimi. Kështu që ajo te ne ka qenë e mirëpritur prej ditës së parë.

Atëherë, kur jua prezantoi Loriku?
Dua të ndaj diçka me ju, që besoj është interesante. Ishte Loriku duke luajtur me Lacion, dhe erdhi me pushime në Marsejë. Bashkëshortja ime mori valixhen për t’ia renditur rrobat në dollap, në dhomën e tij dhe për një moment më thërriti mua. “Shiko se si janë palosur në valixhe rrobat e Lorikut”, më thotë. I thashë që këto Loriku nuk i ka palosur vetë, sepse nuk di, por ia paska rregulluar dikush këtë valixhe. Më pas shkova te Loriku dhe e pyeta: “Lorik, tregoi babit kush ta ka sistemuar valixhen?”. Dhe aty filloi biseda për vajzën italiane, të cilën na e prezantoi pas pak ditësh dhe që sot e ka bashkëshorte. Ishin fat i njëri-tjetrit.

Kthehemi te pjesa e futbollit, çfarë planesh ka Loriku? Edhe sa do të vazhdojë?
Janë disa vendime që duhet të merren pak më vonë, pas kampionatit europian. Kjo, për shkak se Loriku deri në vitin 2017 ka kontratë me klubin e Nantës. Do të vazhdojë me futbollin apo jo, nuk është e sigurt njëqind për qind.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: