TIRANE – U përfol për një ndarje të Tedi Ngjelës nga Floriana Garo, e pavarësisht heshtjes së të dyve, shprehja e popullit “Ku ka zë s’është pa gjë” duket se ka vend në këtë histori. Jo më foto bashkë, jo më udhëtime bashkë, as dalje publike pranë njëri-tjetrit, asgjë. Floriana nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë histori, por edhe Tedi është treguar i rezervuar, kur bëhet fjalë për çështje personale.

Nga ana tjetër, Sofia Mitre, modelja që për ditë me radhë u “prezantua” nëpër rrjetet sociale si “Vajza që ndau Florianën nga Tedi”, është e martuar. Por jo me Tedi Ngjelën! Vetë ai ka hedhur poshtë zërat që thonë se, “Tedi po përjeton një histori dashurie me modelen Sofia Mitre”. Kjo e fundit jeton në Greqi, së bashku me bashkëshortin. Në “Facebook”, ajo publikon herë pas herë foto me bashkëshortin, çka hedh poshtë pretendimet e mëparshme.

Por, kush është Sofia Mitre? Sigurisht, ajo nuk është një e panjohur për Tedi Ngjelën, i cili më herët ka frekuentuar lokalet e natës me të dhe ish të fejuarën Florianën. Sofia ka ndjekur studimet e larta në një universitet amerikan në kryeqytetin grek. Po ashtu ngjason me Florianan, edhe nga fiziku, por edhe nga angazhimet, pasi merr pjesë në sfilata të ndryshme mode në Greqi.

I kontaktuar nga “Shekulli”, Tedit i është dukur qesharake “lidhja” që kanë krijuar të tjerët për të.

“Sofia është kushërira e kunatit tim. Dhe për më tepër është e martuar”, ka sqaruar ai, duke mos rrëfyer asgjë më tepër për të shkuarën e tij. Ndarja e moderatores nga i fejuari, përflitet se nuk ka ndodhur tani, edhe pse u bë publike javët e fundit, kur u komentua edhe “tradhtia” mes çiftit. Burime të afërta pranë ish-çiftit pohojnë se mes të dyve kishte kontradikta 5-6 muajt e fundit. Duket se historia e dashurisë si në përralla, ku Floriana braktisi Amerikën për dashurinë, nuk do të përsëritet, pasi ajo s’ka dashur të japë sqarime lidhur me këtë ndarje, as për ata që e ndjekin, e adhurojnë dhe duan të mësojnë më shumë për të.

“Jemi parë tek “Austria Club” natën e Vitit të Ri 2010, ndërkohë që unë isha me pushime në Tiranë. Tedi më gjeti në “Facebook” dhe më ftoi të dilnim bashkë. Unë i thashë se ishte e pamundur sepse isha rikthyer në Nju-Jork, ku jetoja në atë kohë… Ai vendosi të vinte në SHBA dhe në fillim të muajit Mars 2010 ne u takuam për herë të parë në një kafene të vogël pranë universitetit tim në Nju-Jork. Çdo gjë nisi atje”, kështu e ka rrëfyer ajo njohjen me Tedin në intervistat e mëparshme.

Më herët, Floriana është shprehur se ka qenë tepër e angazhuar, megjithatë kur i mbetet pak kohë e lirë pa dyshim që preferonte ta kalonte pranë ish partnerit të saj, Tedit. “Ai është drita që mua më udhëheq, më mbështet, më nxit, më motivon dhe më bën të kaloj me lehtësi çdo situatë të vështirë”, ka deklaruar ajo për Tedin, që sot nuk është më pjesë e jetës së saj. Floriana e ka kaluar periudhën e ndarjes pa ndryshuar asgjë. Vazhdon impenjimet e saj në televizion, bashkohet me shoqërinë për dreka, darka apo për të shkuar në kinema, madje së fundmi, merr edhe buqeta nga persona ende të panjohur. “I panjohur”, kështu e ka identifikuar ajo dhuruesin, ndoshta për të fshehur identitetin e personit që po i rrëmben zemrën pas ndarjes.

Statusi i motrës së Tedit në “Facebook” u interpretua si një shpërthim i saj për ish kunatën, Floriana Garo. Përmbajtja e statusit të Ersit ishte një gjendje emocionale e momentit, ose e menduar më parë, por ajo që ra në sy ishte fakti që ai status i dedikohej një personi mosmirënjohës dhe jo të moralshëm. “U bëj thirrje “pabukëve”: boll hëngrët m.. lart e poshtë me shpifje! Ju lutem vazhdoni “zanatin” tuaj të vyer, vazhdoni ëndërroni me presh, vazhdoni me burrat dhe baballarët e të tjerëve, por ju lutem, boll hëngrët m.. me shpifje”, ka postuar Ersi në profilin e saj në “Facebook”. Megjithëse më vonë ajo pohoi se statusi nuk ishte për Florianën, fakti që ky reagim erdhi menjëherë pasi u bë publike ndarja e çiftit, nuk lë vend për interpretime të tjera.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: