ITALI- Në një intervistë për “Verissimo” këngëtari i njohur italian Tiziano Ferro flet për jetën e tij personale dhe për karrierën.

“Mendoj gjithnjë për dashurinë, do më pëlqente shumë të bëhesha baba. Ëndërroj shpesh të kem një djalë, madje më shumë ëndërroj të kem një vajzë. E imagjinoj si do jetë ky fëmijë në jetën e përditshme, e imagjinoj përkrah meje në një bar teksa pi kafenë, teksa shëtisim apo teksa komunikon me familjarët e mi”, tha këngëtari

Por si do reagonte Tiziano nëse fëmija i tij do ndiqte hapat e tij përsa i përket karrierës. “Në fillim do kisha frikë, do i thosha që është një rrugë e komplikuar. Do shihja tek ai njeriun që do ishte në vështirësi, prej faktit që është im bir. Atij do t’i duhet gjithnjë të jetë në lartësinë time. Por shpresoj të kem kthjelltësinë që të pranoj zgjedhjen e tij si diçka të bukur dhe ti bëhem krah, ta mbështes”.

Ndërsa në lidhje me zgjedhjen e tij, fakti që ka pranuar homoseksualitetin, Ferro nënvizon: “Kam zgjedhur të jem i lirë, duke parë brenda vetes kam kuptuar që ishte më e lehtë të zgjidhja këtë rrugë se sa një tjetër. Nëse kjo mund të jetë një ndihmë për të tjerët jam i lumtur, por që të merrem si shembull…nuk e di”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: