Mesfushori i Bazelit dhe Kombëtares është i bindur se Shqipëria e ka të qartë rrugën se si mund të sigurohet kualifikimi pas fazës së grupeve. Taulant Xhaka ka deklaruar për “Supersport” se Shqipëria ka dy ndeshje të rëndësishme ndaj Austrisë dhe Luksemburgut e më pas do të ketë kohë për të menduar edhe Europianin.

“Është faza më e rëndësishme për ne. Shpresoj t’i kalojmë me sukses këto dy ndeshje testuese dhe më pas të shohim. Dëshira është që ta kalojmë grupin, edhe pse e dimë që Franca, Zvicra dhe Rumania janë skuadra shumë të forta. Duhet të luajmë njësoj siç kemi bërë në kualifikuese”, deklaron fillimisht mesfushori i kuqezinjve. Ai është lakuar më së shumti, pasi për herë të parë ai dhe vëllai i tij do të jenë kundër njëri-tjetrit në Europian. Kjo gjë ndodh për herë të parë në një kompeticion të tillë.

“Kam folur me Granitin dhe më ka thënë që i kemi shanset shumë të mira, pasi kemi skuadër të fortë e kompakte dhe askush nuk do ta ketë të lehtë. Edhe Zvicra është favorite, pasi ka lojtarë shumë të mirë. Gjithsesi, ne shohim punën tonë”, shton futbollisti i Bazelit.

“Fanellat janë shumë të bukura dhe shpresojmë të na sjellin shumë suksese. Di që në Francë ka shumë shqiptarë dhe presim që të na përkrahin edhe atje, ashtu si na kanë mbështetur deri më tani”, përfundon Xhaka./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: