TIRANË

Ish-deputeti i PD-së, Genc Pollo, reagon pas vendimit të Kuvendit për të zgjedhur me 83 vota pro kreun e AMA, Armela Krasniqin, pavarësisht apelit të BE dhe OSBE për ta shtyrë këtë vendimmarrje në muajin shtator, në nisje të sesionit të ri parlamentar.

Sipas Pollos, “injorimi sot i apelit euroatlantik (OSBE përfshin edhe Amerikën e Veriut) për të ndalur emërimin e shefes së AMA-s nuk ishte veçse një përsëritje e kronikës së një kapjeje të paralajmëruar”.

Reagimi i Pollos:

Dr. Victor Frankenstein, personazhi qendror i romanit “Prometeu modern” të anglezes Mary Shelley (v.1818) krijoi një përbindësh në laborator; ai besonte naivisht se do të mund t’a kontrollonte plotësisht krijesën e tij. Por përbindëshi i fuqishëm filloi të kërkonte gjëra të pamundura nga krijuesi i tij Dr Frankensteini; pastaj e kërcënoi atë e më pas fillloi të vriste njerëzit e dashur të tij, në fund edhe nusen e doktorit natën e dasmës.

E di që çdo krahasim çalon; por nuk di parabolë tjetër nga letërsia europiane që do t’i përshtatej më mirë raportit të krijuar midis ndëkombëtarëve euroatlantikë e pushtetarit në Tiranë (parabola vlen edhe për ndonjë tjetër korruptokrat në Ballkan).

Ata u kujdesën t’a ushqejnë e t’a rrisin duke bërë sikur nuk ja shihnin cenet. Por kur cenet u zunë sytë e nuk fshiheshin dot ndërkombëtarët filluan me ndonjë kritikë a kërkesë. Hazër-xhevapi i korruptokratit ishte “a ç’më çani veshët!”;

15 kushtet për shtet ligjor i injoroi e i prezantoi si kapriçiot e disa politikanëve në Europë; kjo e fundit prapë mbylli sytë, zuri hundën me dorë dhe tha se sikur ok janë.

Dështimin fillestar me vaksinat pushtetari ja la në derë BE-së me akuza të padëgjuara. Veç një shtet serioz reagoi me nerv ndaj paturpësive. Të tjerët pëshpëritën të squllur.

Marrëveshjen zgjedhore me opozitën e shkeli edhe pse e ndërmjetësuar ndërkombëtarët. Këta të fundit kur reaguan nuk bënë më shumë se një gëk-mëk të mekur.

Prandaj edhe injorimi sot i apelit euroatlantik (OSBE përfshin edhe Amerikën e Veriut) për të ndalur emërimin e shefes së AMA-s nuk ishte veçse një përsëritje e kronikës së një kapjeje të paralajmëruar. Dhe e dëmtimit të mëtejshëm të reputacionit e të influencës reale të komunitetit euroatlantik.

Mbrojta e lirisë së medias duhet të ndodhë e do të ndodhë në fushëbetejën shqiptare. Por ndërsa korruptokrati i ditës është armiku i madh i lirive lipset të vrasim pak mendjen edhe për rolin e “nëpunësve syleshë të perandorisë”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb