Nga: FATMIRA NIKOLLI

“Më vjen shumë keq ta them se tashmë raporti im me të është i urrejtshëm. Do doja ta thyej, ta bluaj, ta shkatërroj, ta thërrmoj, ta bëj tallash. Ai më tërheq çdo darkë drejt llumit, kitch-it. Më shkatërron raportin me të vërtetën. Më trazon stomakun. Më bën të urrej vendin tim, njerëzit e mi. Më shëmton peizazhin. Më lë pa lexuar Amos Oz…”
Veprat autobiografike nga Anna Frank, te Sylvia Plath, Marguerite Duras, Maya Angelou, Haruki Murakami, Amos Oz, apo Orhan Pamuk kanë rrëfyer jetët e emrave të mëdhenj të letërsisë, duke u shpërfaqur me joshjen e një vepre letrare.
Romani “Secili çmendet sipas mënyrës së vet” nga Stefan Çapaliku rrok një periudhë 20-vjeçare, 1965-1985, duke ofruar panoramën gri të Shkodrës nën diktaturë, pavarësisht ngjyrimeve ‘fëminore’ që e shtojnë entuziazmin prej padijes së moshës ndaj botës. Një rrëfim për fëmijërinë e rininë, kur shembeshin idhujt e të përunjtët si uji.
Mund ta imagjinoni si një film bardhezi, në një qytet: së pari shohim një djalosh me pantallona të shkurtra e sandale, më pas një grua bionde, mandej një burrë me pizhame me vija, roje të armatosura, një shtëpi të këndshme në një lagje shkodrane, kambana të munguara dhe një botë që është tepër larg për ta prekur, mundemi vetëm ta shohim nga një kuti magjike. Shohim edhe frikë. Diku lexojmë letra drejtuar kryeministrit. Çapaliku thotë se ‘dëshirat mund të t’i deformojnë kujtimet’, por mes tyre është e pamundur të harrosh emra si Zef Zorba, Gjon Shllaku, Kol Ashta, që nuk spiunuan askënd e nuk ishin anëtarë partie.
Gjithçka ndodh në një qytet ku natën shembeshin kisha, ndërsa ditën çdo gjë flitej me zë të ulët të Kafja e Madhe. “Këtu në Shqipëri një artist çmendet më herët se të tjerët, pa e vëne re as vetë”. Çapaliku, shkrimtar e dramaturg, flet në këtë intervistë për “GSH” edhe për raportin me të ëmën. “Mesa duket kjo ka ardhë ngaqë nuk e kam më. Gjithashtu, mund të ketë ardhur edhe pse ajo ka qenë shumë herë më e pranishme se im atë në fëmijërinë time ose sepse në një farë mënyrë ka qenë edhe e viktimizuar në një qytet të huaj për të si Shkodra”. Kemi përballë atë 20-vjeçar, ndërsa jetojmë në këtë tjetrin ku “Uniformiteti dhe frika nga diversiteti të çojnë drejt një shoqërie të mërzitshme dhe të pashpresë”.
– E kishit nevojë për të shkruar këtë roman, apo nevojë për të rrëfyer si u zhbë një qytet, si u la në hije ai dhe një sërë intelektualësh?
Mendoj se nuk mund t’i ndaj njërën nga tjetra të tria këto, apo edhe më shumë se kaq faktorë. Kam pritur mjaft gjatë për ta shkruar këtë roman, deri në çastin kur ndjeva se po më ikte dhe po më linte vetëm, duke u frikësuar si fëmija kur marrin ta lënë vetëm në një dhomë bosh dhe të errët.
– Nëse “Secili çmendet sipas mënyrës së vet”, si çmendet një artist?
Edhe një artist çmendet sipas mënyrës së vet. E keqja është se këtu në Shqipëri, një artist çmendet më herët se të tjerët, pa e vëne re as vetë. Sidomos një artist të teatrit dhe të filmit e çmend kollaj indiferenca e shoqërisë.
– Sa i çmendur duhet të jesh të jetosh pa u vënë re, ose sa i çmendur duhet të jesh që të shpëtosh?
“Jeto pa u vënë re” është sfida e çdo individi në një shoqëri totalitare. Ka mjaft që e zbatojnë këtë këshillë edhe sot e kësaj dite, duke dëshmuar kështu se totalitarizmi vazhdon në forma të reja e të tjera. Për një artist është gati e pamundur të jetosh pa u vënë re. Mund të jetojë një shkrimtar ndoshta që fshehë dorëshkrimet e veta pa mundur të realizojë komunikimin me lexuesit e vet.
– Gjatë këtij kërkimi në kujtesën tuaj, a keni rindërtuar “ngjarje” që ju kanë mbajtur mbërthyer për ditë të tëra, duke ju ribërë të rijetoni ndjesi të harruara?
Edhe unë si gjithë të tjerët jetoj të shkuarën përmes kujtimesh dhe të ardhmen përmes dëshirash. Shpesh ato udhëheqin njëra-tjetrën, pra kujtimet dëshirat dhe dëshirat kujtimet. Mund të duket si e çuditshme, por ja që ndodh. Kujtimet e mosrealizimeve tuaja për shembull, mund të t’i udhëheqin dëshirat për një farë kohe dhe po kështu, dëshirat mund të t’i deformojnë kujtimet. Me siguri që procese të tilla të ndërlikuara kanë ndodhur me mua edhe në ditët kur shkruaja romanin.
– Rrathët tuaj të rrëfimit, nisur nga ju duke u shtyrë me gjerë si rrathë në ujë, janë sa një qasje ndaj qytetit e botës, po aq edhe një largim prej pikës fillestare, që jeni ju?
Në këtë rast nuk mendoj se ka ndodhë kështu për arsye se jam sërish unë, ai që i tregoj edhe ngjarjet e qytetit dhe botës, veçse kësaj here jam i rritur. “Uni” im rritet me ngadalësinë e akrepit të vogël të orës, domethënë pa u vëne re.
– Nëse flasim për rrëfime fëmijërie, bazuar mbi kujtime të forta që lënë gjurmë edhe në karakterin e të rriturit që i bart ato, ju jeni më afër Amos Oz tek “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën” se sa te “Stambolli” i Orhan Pamuk?
Më vjen shumë keq të shpreh këtu injorancën time, por ende nuk kam pasur rast ta lexoj Amos Oz. Nuk di çfarë të them, por teorikisht bildungsroman-i është i njohur që prej njëqind vjetësh.
– Me gjithë karakterin tuaj të fortë, duket se kur flisni për nënën, ju shfaqni një tjetër anë tuajën…
Mesa duket kjo ka ardhë ngaqë nuk e kam më. Gjithashtu, mund të ketë ardhur edhe pse ajo ka qenë shumë herë më e pranishme se im atë në fëmijërinë time, ose sepse në një farë mënyrë ka qenë edhe e viktimizuar në një qytet të huaj për të si Shkodra.
– Kutia magjike, televizori, përshkruhet në librin tuaj si një kontakt me botën, me kulturën e botës së “përtejme”. Më pas ajo u kthye në propagandë dhe sot duket se ka marrë rolin e “radios” si dhunë për veshët, siç e cilësonte Milan Kundera? Raporti juaj me të, si ka ndryshuar? A mundemi ne ta shpëtojmë atë kuti magjike?
Më vjen shumë keq ta them se tashmë raporti im me të është i urrejtshëm. Do doja ta thyej, ta bluaj, ta shkatërroj, ta thërrmoj, ta bëj tallash. Ai më tërheq çdo darkë drejt llumit, kitch-it. Më shkatërron raportin me të vërtetën. Më trazon stomakun. Më bën të urrej vendin tim, njerëzit e mi. Më shëmton peizazhin. Më lë pa lexuar Amos Oz…
– Diktatura dhe censura kanë bërë që emra si Zef Zorba, Gjon Shllaku, Kol Ashta të humbasin zërin dhe të shfaqen a zhduken siç ndodh në librin tuaj. Diktatura e djeshme, a është sot një censurë financiare?
Ata fatkeqësisht vazhdojnë të mbeten në mjegull. Nuk besoj kurrsesi të jetë rastësi. Kjo ndodh se ata thjesht shkruan, përkthyen apo bënë shkencë dhe nuk ishin anëtarë partie, nuk spiunuan kënd, nuk dolën dëshmitarë në rrenë, nuk bënë ekspertiza gjyqësore dhe nga ana tjetër nuk luajtën kurrë viktimën. Thjesht ishin të përunjtë si uji. Fatkeqësisht këto cilësi nuk janë bërë ende model për shoqërinë e sotme shqiptare.
– Kur diktatori vdiq, ju ishit në të 20-at tuaja. Përtej përjetimit të ngjarjes në qytet, si e perceptuat ju? Kujtojmë këtu që jo të gjithë e perceptuan si një lajm të mirë, edhe pse, ju në roman keni një personazh që i paraprin asaj vdekjeje vite më parë.
Në të vërtetë më 1985 unë isha në vitin e parë të Fakultetit Filologjik këtu në Tiranë, kurse në roman gjendem ende në Shkodër. Shoqëria shqiptare ka qenë krejtësisht e ndarë me thikë përballë kësaj ngjarjeje dhe nuk besoj të ketë pasur ndonjë “indiferent”. Megjithatë, frika qe shumë e madhe dhe askush nuk mund të kishte një sjellje tjetër në publik. Unë gjithashtu qeshë i shtrënguar të luaja të trishtuarin. Por gjithsesi, ajo që kam përshkruar në roman në lidhje më vdekjen e diktatorit ka qenë e vërtetë.
– Romani juaj shënjon shkëputje jo vetëm me tokësoren, por edhe me atë pjesë që mund të ishte qiellore. Përkundër bindjeve, qyteti juaj përjetoi mbase më shumë se asnjë qytet, mohimin e Zotit jo si bindje të njeriut, por si bindje të sistemit. Ky njeri i ri, i atrofizuar, çfarë ka prodhuar në demokraci?
Mendoj se modeli i njeriut komunist është pjesë e rëndësishme e identitetit tonë kulturor. Në opinionin tim më së shumti ky identitet kulturor shprehet në nevojën dhe në arrogancën për ta konsideruar tjetrin njësoj si veten. Uniformiteti dhe frika nga diversiteti të çojnë drejt një shoqërie të mërzitshme dhe të pashpresë.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: