Në emisionin ‘Pikat mbi i’ në News24, analisti Artur Zheji tha se çështja e inceneratorëve është një ndër ato çështje që kanë shkaktuar një dëm të madh ekonomik.

“Çështja e Dumanit nuk duhet të heqë vëmendjen nga inceneratorët. Fakti që eklipsimi i rastit Dumani përbën shqetësim. Inceneratorët godasin direkt personazhe të larta politike, ndërsa për të shkuar nga Dumani tek dërguesit e politikës është shumë më e vështirë”, tha Zheji.

Nga ana e saj gazetarja Klodiana Lala, tha se çështja e inceneratorëve është një çështje shume e madhe dhe një test për SPAK dhe se nuk duhet të fshihet pas çështjes së Nuredin Dumanit, duke lënë pas këtë çështje.

“Dumani ka folur për disa ngjarje të rënda kriminale. Ka tërhequr vëmendje edhe për mënyrën se si e ka bërë narrativën, mënyra se si tregon se dikur ishte mik me Talo Çelën dhe më pas u kthyer në armik të përbetuar. Pra ka tërhequr vëmendje. Por duhet parë edhe mënyra se si qaset media. SPAK nuk duhet ta përdorë Dumanin si armë në duart të veta për të thënë që ne po punojmë dhe përmes tij, po godasim krimin. Por në raport me inceneratorët SPAK nuk duhet ta përdorë si armë për t’i thënë ndërkombëtarëve që ne jemi duke punuar. Sigurisht që është me rëndësi, por nga ana tjetër kemi miliona të vjedhura nga buxheti i shtetit, një megaoperacion, pra një test shumë i madh për SPAK. Sot kemi një ish-ministër dhe një ish-deputet prapa hekurave… Mendoj që në këtë histori janë të përfshirë deri në nivele të larta, deri tek Kryeministri. SPAK duhet të na japë përgjigje për këto dyshime. Nuk besoj që për momentin ka çështje më të rëndësishme se inceneratori. Pra inceneratorët janë rasti më tipik që ka përfshirë nivele të larta të qeverisjes”, tha gazetarja.

Zheji: Rrëfimet e Dumanit kanë shumë gjak, shumë plumba, dhunë. Në këtë pikëpamje duket sikur është një film intrigues…

Gazetarja Lala: Kemi parë edhe dokumentarë për mënyrën si funksionojnë grupet kriminale

Zheji: Bëhen filma, seriale e kështu me radhë…

Gazetarja Lala: Vetëm për pritje përcjellje, bileta shkonte rreth gjysmë milioni euro

Zheji: 500 000 euro vetëm për pritje-përcjellje. SPAK nuk është spektator që presionohet nga gjaku apo plumbat. Dëmi ekonomik që bën Dumani është shumë relativ, ndërsa Zoto Gugallja, kanë marrë miliona euro direkt nga buxheti i shtetit. Pra po ta marrësh në pasojat ekonomike në vend, të drejtpërdrejta janë më të mëdha në rastin e inceneratorëve. Dëmi ekonomik që krijohet me rastin e inceneratorëve është shumë më e madhe, ndërsa vrasjet e kësaj bote të errët e bëjnë Shqipërinë të pajetueshme. Shqipëria është kthyer në një inkubator foshnjesh që përgatiten për të shkuar jashtë. Shqipëria është e pajetueshme sepse ende shqiptarët nuk kanë një bindje nëse drejtësia është apo jo me qytetarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb