30 vite pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria ende është e ndarë mes nostalgjisë për të shkuarën dhe frikës së rikthimit të saj.

Propaganda dhe arti që sistemi la pas, është aq e fortë sa çon deri në mohimin e krimeve dhe mekanizmave shtypës.

Në një përpjekje për të informuar brezin e ri, një Kamp Ndërkombëtar të rinjsh mbahet në kampin burg të Spaçit nga Shoqata për Drejtësi e Paqe.

“Ne nuk kërkojmë që të bindim ndokënd por duam të informojmë që në të ardhmen të kemi edhe procesin e pajtimit. Procesi i pajtimit nuk vjen nëse ne kemi mungesën e njohjes. Ne nuk mund t’u kërkojmë ish të burgosurve politikë që të falin, kur nuk njohim sakrificat e tyre dhe persekutimin e tyre. Askërkush nuk kërkon falje e problemi është se këta nuk po ndihen as fajtorë”, është shprehur Luigj Mila.

Të rinj nga Europa dhe Shqipëria bëhen pjesë e kampit veror, ku të mbijetuar të Spaçit tregojnë jetën e përditshme në të, dënimet e ridënimet.

Përmes rrëfimeve, del në pah absurditeti i dënimeve në një vend diktatorial, ku nuk kishte të drejtë të zgjidhje, as shkollën, as punën, por së pari nuk kishe të drejtë fjale.

Angjelin Daberdaku, ish i dënuar në Spaç shprehet: “Ne në Spaç punonim shumë e hanim pak. Turni ishte tetë orësh ushqimi ishte minimal dhe ne duhet të plotësonim normën. Falënderoj Zotin që mund të them sot atë që nuk thuhej në 50 vite.

Ndërsa Xhavit  Lohja, ish i dënuar në Spaç ka thënë: (Kur u bë revolta e Spaçit) Maji 1973 ishte vapë. Nuk durohej dhe një moment thosha me vete, le të pi pak ujë e le të më vrasin. Pas Revoltës këtu u bë më keq.

“Ne dilnim dy e nga dy për të ngrënë në radhë. U dënova 20 vjet sepse u arratisa dhe më sollën për ta kryer dënimin në Spaç”, ka thënë ndër të tjera Zenel Dragu, ish i dënuar në Spaç.

Në konferencën hapëse në Tiranë përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Tiranës në praninë e Nuncit Apostolik, kërkoi përfshirjen në arsim të njohurive mbi diktaturën. Ndërsa fokusi i fondacionit gjerman  “Maksimilian Kolbe” është pajtimi.

Kampi i Spaçit gjendet në zonën e Mirditës ku njëherësh, në godinat e lëna pa kujdes, jetonin 1400 të dënuar kryesisht për politikë, rreth 50 veta në një dhomë. Në sesionet e mbajtura u sollën në vëmendje ngjarje qëndrese si revolta  e Spaçit.

Ardita Repishti, familje e përndjekur është shprehur: Është e rëndësishme që përmes Spaçit, një burg ku veç të burgosurve politikë për të thyer qëndresën u vendosën edhe të burgosur ordinerë, diktatura u kundërshtua dhe mbase dimensioni i lirisë u fitua brenda një burgu. Brenda një burgu u ngrit flamuri dhe një burg arriti të frymëzonte ndjesi të dëshirës për të qenë të lirë në një burg të madh siç ishte Shqipëria e gjitha e izoluar.

Si vend kujtese, si ish burg dhe kamp ku intelektualë të vendit kaluan vite të tëra dënimi, si dëshmi  e një të shkuare jo fort të largët që ka lënë pas shumë trauma, prej vitesh bëhen përpjekje për ta kthyer në muze.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb