TIRANE – Erand Sojli është një nga aktorët më të dashur për publikun shqiptar dhe jo vetëm. Së fundmi ai ka qenë i angazhuar edhe me disa projekte në SHBA me një spektakël humori “One man sho”w për të cilin ai dallohet dhe titullohet “Me love you”. Ai njihet si për rolet e tij në teatër ashtu edhe në filma.

Në një rrëfim ndryshe ish-aktori i Portokallisë ka qënë i ftuari radhës në emisionin Chic të Fjodora Fjorës në News24.

“Me love you” ti e prezantove në Boston të SHBA-ve. Një shfaqje shumë impenjative, unë kam lexuar kritikat dhe ishin dy elementë kryesor që më bënë përshtypje. Njëra ishte pritja që i ke bërë bashkatdhetarëve të tu në SHBA, me tapet të kuq. E dyta është se shfaqja zgjati katër orë. Çfarë kë bërë përgjatë këtyre katër orëve?
Shfaqja u trajtua si një event, të cilin e organizova me disa bashkatdhetarë që u shfaqën të gatshëm të më ndihmonin dhe pastaj unë zbraza gjithë arsenalin e ideve të mia. Nga analiza më rezultoi se shqiptarëve nuk i është ofruar diçka ndryshe për sa i përket aktrimit apo show-it etj. Kështu që mendova të jem unë i pari që t’ia ofroj dhe me gjithë ndihmën e madhe që më dhanë në mënyrë vullnetare disa miq të mirë por edhe të tjerë shqiptarë atje të panjohur.

Ky show kishte tre pjesë. Pjesa e parë ishte që unë mendova të pres këta shqiptarë duke i respektuar ata në një formë ndryshe, në atë formë që ata vërtetë e meritojnë. Diaspora është një nga elementët kryesor të shoqërisë sonë e cila mban një peshë të jashtëzakonshme. Pra pjesa e parë ishte pritja në hollin e sallës në tapetin e kuq. Pas kësaj ata u ulën e unë fillova stand up-in për një orë e 30 minuta, duke prezantuar një shfaqje që e kam shkruar vetë.

Shfaqja ishte një skaner i marrëdhënies mashkull femër që në kohën e diktaturës e deri në ditët e sotme. Është pak shumë një leksion komik për brezin e ri. Psh. shumë të rinj që jetojnë andej ose kanë ikur të vegjël ose kanë lindur andej dhe kur dëgjojnë për sakrificat e prindërve habiten dhe thonë “Ju paskeni qenë budallenj”. Qëllimi im ishte të kënaqja të gjitha moshat dhe ia arrita qëllimit.

Në pjesën e dytë i servira një kolazh me këngë të viteve ’80 të Luan Zhegut, të Vaçe Zelës etj për 1 ore e 30 minuta dhe të gjitha këto i këndova vetë. Ndërsa pjesa e tretë ishte një mini koncert me violinë i bashkëshortes sime Rina.

Pse pikërisht ‘Unë love ty’?
Sepse ishte një shfaqje dedikuar dashurisë së shqiptarit për shqiptarin. Dukë bërë krahasimin midis dy kohëve shfaqja ofroi shumë të qeshura, pati nga ata që edhe u përlotën. Një shfaqje për të qeshur e për të qarë.

Çfarë të çoi në SHBA ?
Në jemi artista dhe arti nuk ka kufij, e rëndësishme është të krijosh një ëndërr e ta ndjekësh atë. Në SHBA isha pa dashje, sepse unë kisha një marrëdhënie me një produksion amerikan dhe jam pjesë e një filmi, i cili është në pjesën e fundit të një skenari. Filmi do të xhirohet në Shqipëri me temë Luftën e Dytë Botërore, hebrenjtë. Familja ime lëviz shpesh, ne kemi punuar tre muaj në Shqipëri pastaj kemi jetuar tre muaj në Francë, kështu që fëmijët kanë lëvizur gjithmonë e nuk e kanë pasur problem.

Investimi që ne të dy kemi bërë për fëmijët është se i kemi hapur, i kemi prezantuar me lloj-lloj psikologjish, me realitete të ndryshme sepse në Francë, në SHBA, në Shqipëri ka realitete të ndryshme. Fëmijët e duan shumë Amerikën dhe duan të jetojnë e të shkollohen atje.

Bashkëshortja juaj e cila është aktore ndoshta në SHBA është më shumë e detyruar të rrijë pas fëmijëve?
Rina ka filluar të merret me violinën dhe në show-in tim ajo dha një mini koncert.

“Zoti i masakrës” është një shfaqje fantastike për mënyrën si krijohen marrëdhënie në çift dhe pikërisht se si ndërtohen këto marrëdhënies mes prindërve që duhet të edukojnë fëmijët dhe më pas veten.
Jam i lumtur që kam një rol në një vepër të tillë. Vështirësia me e madhe dhe gracka më e fortë që ka është se gjithçka ndodh në kohë reale. Shpeshherë marrëdhënia aty brenda bëhet kaq normale ose kaq anormale saqë harron që je në një shfaqje.

Kush është shtylla kryesore e Zotit të Masakrës?
E vetmja gjë që bashkon psikologjinë franceze, por që në thelb është globale me atë shqiptare është përpjekja për t’ia vënë fajin njëri-tjetrit. Domethënë ne e kemi në gen që fajin nuk e mbajmë kurrë. Ndryshimi është se këta personazhe e bëjnë me elegancë ngecjen e fajit ndërsa ne e bëjmë në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të dhunshme. Çdo gjë ndodh në sy të spektatorit, nuk keni as mure dhe skenat krijohen në mënyrë natyrale.

Çdo gjë ndodh në kohë reale dhe çdo gjë ndodh aty. Në qoftë se një lëvizje nuk është në sinkron me atë që ishte dje çdo gjë merr fund dhe kjo është sfida.

Ti këtu je çift me një prej aktoreve më të mira, një personazh shumë e dashur siç është Ermira Gjata. Si e keni gjetur sintoninë në çift në këtë rol?
Të them të drejtën kur Kiço më tha që do të jesh çift me Ermirën thashë OK, erdhi një moment më në fund. Sepse Ermira është një kuti e madhe e mbushur me edukatë, me kulturë me dije dhe sa herë ta ‘shkundësh’ nxjerr një pasuri. Edhe pse është më e madhe dhe mua më pëlqen ta quaj “Zysh” Ermira kur del në skenë është dhjetë vjet më e re se unë.

Ajo ka një energji dhe një besim te partneri dhe të merr vesh me sy dhe kjo është mjeshtëri.

Ti gjithmonë nuk rresht së punuari, je duke vënë në skenë ‘Zotin e Masakrës’, por edhe diçka tjetër po gatuan?
Në maj nisin xhirimet e një filmi me skenar timin me titull ‘Testamenti’. Është një film me metrazh të gjatë me regjisor Artur Muharremin, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Shqipëri.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: