Horroret e jetimëve nuk kanë të sosur. Një tjetër dëshmi vjen këtë herë nga një ish-banore e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, ku pak ditë më parë doli në pah skandali i abuzimeve seksuale dhe dhuna.

Është Ana, një 23-vjeçare që bën rrëfimin tronditës se është përdhunuar nga një punonjës i kësaj qendre. Ajo ka qenë më pak se 14 vjeç atëherë kur ka kaluar ndoshta vuajtje nga më të paimagjinueshmet. Ana tregon se dhuna nuk mungonte as kur hanin bukë.

Në vitin 2007 kur ishte as 14 vjeç u largua nga kjo qendër. Ajo tregon rastin kur një punonjës i qendrës e kishte marrë në makinë dhe i kishte thënë për të pirë kafe. Ana nuk kishte pranuar i kishte thënë se do takonte dikë dhe atëherë ish-punonjësi kishte tentuar ta prekte. Vajza, atëherë e mitur e kishte kundërshtuar dhe ai e kishte qëlluar me grusht. Nga grushti në stomak Ana kishte humbur ndjenjat.

“Humba ndjenjat dhe kur u përmenda e pashë veten si mos më keq. Ndodhesha në një vend me gur. Në makinë ishte edhe një person tjetër dhe donte të ikte nga frika. Kam qenë e vogël dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur por di të them se atë që e deshi e mori nga unë. Sot jam me pasoja. Ata më lanë aty, një çift më erdhi në ndihmë”, tregon Ana.

Ajo më pas është strehuar në konviktin e shkollës teknologjike por është përjashtuar pasi është konfliktuar me një mësues.

Për të nxjerrë bukën e gojës, Ana më pas është detyruar të prostituojë.
“E kam bërë. Unë e di si e kam bërë se kam rrezikuar edhe jetën. Edhe për llogari timen edhe për të tjerë. Fillimisht më ka futur dikush. Unë nuk i dija mirë pazaret ajo i dinte. Lekët i merrte ajo. Më jepte lekë vetëm për cigare se nuk më binte në mend për të ngrënë. Fitoja 20-25 mijë lekë në ditë. Për një vit më ka trajtuar psikologia. Rrija vetëm, pija vetëm cigare e alkool edhe hashash. Doja të rrija e qetë, të mos mendoja asgjë”, thotë Ana.

E pyetur nëse do të shkonte të denonconte në polici ajo thotë se nëse ka mbrojtje e bën.

“Nëse del një person që të më mbështesë dhe jam gati të tregoj çdo gjë që ka ndodhur”, thotë ajo.

Po nuk mjafton me kaq. Ana tregon edhe episode të tjera. “Roja e derës në shtëpinë e Fëmijës më falte 1 mijë lekë. Unë e merrja si çdo fëmijë. Më vinte nga pas, më prekte, më puthte. Sot e di se çfarë do të thotë ajo puthje, por atëherë nuk e dija. Më puthte, e hapte gojën si oktapod dhe më linte pështymën në fytyrë. Kam informacion që i ka ndodhur edhe vajzave të tjera. Ndoshta sot është më keq. Këto edhe i rrahin dhe nuk i lënë të flasin”, vijon Ana.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: