Foto Strakosha zbulon sekretet e Thoma sit. Në një intervistë për “Corriere Dello Sport”, legjenda e portës shqiptare thotë se i biri është më i mirë dhe do të bëjë karrierë të shkëlqyer. Strakosha zgjedh ndeshjen me Greqinë si më të bukurën në karrierë dhe paralajmëron Italinë që do ta ketë të vështirë në Shkodër.

Përshëndetje Foto Strakosha, yt bir na tregoi se vendosi të bëhej portier në moshën 4-vjeçare sepse imitonte babanë e tij, legjendën e Shqipërisë. Po babai kur e kuptoi që i djali do të bëhej një portier për të luajtur në Serinë A dhe në Kombëtare?
Kur ishte 15 vjeç kuptova që Thomas kishte mundësinë e artë për t’u bërë një portier i fortë dhe për të luajtur në nivele të larta. E kuptova mbi të gjitha nga dëshira e tij për të arritur majat nga profesionaliteti që tregonte edhe në atë moshë. Donte të shkonte në shtrat për të fjetur shumë shpejt, të ushqehej mirë dhe t’u kushtonte shumë vëmendje detajeve. Nga këto aspekte, kuptova që mund t’i bënte realitet ëndrrat e tij.

Sa herë në javë flisni në telefon me të dhe si është raporti me një djalë futbollist? Flisni shpesh për sportin?
Prej 3 muajsh ne gjendemi në Romë dhe jemi bashkuar me Thomasin për të jetuar të gjithë së bashku. Për futbollin flasim shpesh, por flasim për shumë gjëra të tjera. E këshilloj tim bir për jetën, ashtu siç bën çdo baba tjetër me djalin e tij.

Si i përjetoni ndeshjet e Thomasit? I shihni në televizor? E bëni analizën e ftohtë apo emocionoheni prej tij?
Unë kam qenë portier dhe e di shumë mirë çfarë do të thotë të luash në atë rol. Ke shumë përgjegjësi dhe stresohem shumë kur e shoh duke luajtur. Sigurisht që jam emocionuar duke e parë atë, por dua të qëndroj i qetë dhe i ftohtë për t’iu përgjigjur si një trajner pas ndeshjeve. Më duhet t’ia them gabimet dhe gjërat që ka bërë mirë, për t’u përmirësuar.

Cila është një karakteristikë për të cilën këmbëngulni shumë që t’ia transmetoni Thomasit?
Ajo që kam kërkuar gjithmonë t’i transmetoj bashkë me bashkëshorten time ka qenë dhe vazhdon të jetë respekti. Duhet të respektojë njerëzit dhe t’i ndihmojë ata që kanë nevojë. Në futboll i them gjithmonë që të qëndrojë me këmbë në tokë, të punojë shumë dhe të mos kënaqet kurrë me atë që ka arritur të bëjë deri ditën e sotme. Duhet të shikojë përpara dhe të bëjë më mirë. Si portier, e këshilloj që të qëndrojë i përqendruar dhe të mos dorëzohet kurrë, ashtu si pas një gabimi dhe pas një pritjeje të bukur.

Cilat janë aspektet në aspektin teknik ku Thomasi mund të përmirësohet akoma më shumë? Po nga ana e karakterit?
Thomas mund dhe duhet të përmirësohet në të gjitha aspektet, sepse në sport gjithmonë mund të mësosh gjëra të reja ditë pas dite, por unë jam i qetë sepse në këtë fushë është në duar të sigurta të një përgatitësi portierësh si Adalberto Grixhoni. Në aspektin e karakterit është mirë kështu. Më pëlqen.

Thomas është i zoti edhe në lojën me këmbë. Kur ishte i vogël, a menduat që ta aktivizonit si lojtar dhe jo si portier?
Kur Thomas ishte fëmijë, i këshillova që të bënte një rol tjetër dhe jo portier. Nuk doja që të ishte në portë, sepse në këtë rol ka shumë përgjegjësi.

Po ju vazhdoni të punoni akoma më skuadrën e Olimpiakosit?
Jo. Nuk punoj më tek Olimpiakosi sepse po jetoj në Romë bashkë me familjen dhe Thomasin.

Në vitin 1999, ju rastisi të përballeshit në Kupat e Kupave me Lacion kur ishit portier i Panioniosit. Çfarë kujtimesh keni nga ato ndeshje?
Nuk kujtoj ndonjë episod të veçantë, por në mendimet e mia vjen kualiteti dhe forca që kishte ajo skuadër, e cila pastaj fitoi gjithçka. Ishte tjetër gjë. Kujtoj gjithashtu edhe tifozët e çmendur dhe fantastikë të Lacios.

Ju ishit kapiten dhe legjendë e Shqipërisë. Cila është ndeshja më e bukur në karrierën tuaj?
Ndeshja më e bukur dhe më e vështira në karrierën time ka qenë ajo e shtatorit në vitin 2004 kundër Greqisë, e cila vinte në Shqipëri si kampione e Europës. Ishte një nga ndeshjet më me emocion në atë kohë edhe për të dyja tifozëritë. Ishte bukur sepse fituam dhe e kujtoj si një emocion të papërsëritshëm.

Thomas do të bëhet më i fortë sesa Foto?
Tomas thotë se i duhet të “hajë bar” për të arritur në nivelet e mia. Flet për stërvitjen, për sakrificën, dëshirën për të luajtur shumë ndeshje. Nuk dëshiron të krahasohet me mua. Unë nëse do të bëja krahasimin, do të thosha se në moshën e tij unë nuk isha në këto nivele. Ai është shumë i ri dhe ka avancuar shumë. Lacio është një ekip i madh, një shoqëri e madhe. Nuk flas për të gjithë karrierën, por im bir është shumë përpara meje. Unë në moshën 22-vjeçare nuk isha në nivele kaq të larta.

Çfarë provuat në debutimin e tij në Kombëtare?
Ta shihja që debutonte në Kombëtare ishte një emocion i bukur dhe unik për mua. Sepse unë për 15 vite e kam mbajtur fanellën e Shqipërisë. Në atë moment pata shumë emocione të mëdha, sidomos në ndeshjen e tij të parë. Nuk mund ta përshkruaj.

Si do të shkojë ndeshja Shqipëri-Itali?
Është hera e parë që Shqipëria luan një eliminatore me Italinë dhe do të jetë emocion i madh edhe për lojtarët shqiptarë. Do të jetë atmosferë speciale në Shqipëri, por do të jetë e vështirë për Italinë. Në skuadrën tonë ka shumë lojtarë që luajnë në Itali dhe do të japin 110% për ta fituar këtë ndeshje. Nuk mund të bëj një parashikim, por jam i sigurt që Shqipëria do t’ia bëjë jetën të vështirë Italisë.

Si u ndiet në momentin kur Thomasi u largua nga Athina në vitin 2012 për të shkuar te Lacio dhe për të takuar Taren?
Ta lija të largohej në moshën 16-vjeçare nuk ishte aspak e lehtë për mua. Ishte një vendim i vështirë që e morëm të gjithë, por ishte për të mirën e tij, për të ardhmen dhe për faktin që dëshiron të bëhet dikush në sport. Ishte e vetmja gjë që kishte në mendje dhe nuk mund të mos e pranonim dëshirën e tij për t’u larguar. Fakti që zgjodhëm Lacion dhe nuk morëm parasysh ekipe të tjera ishte prezenca e Igli Tares. Ai i shpjegoi projektin dhe ne besuam që ky klub ishte i duhuri.

Thomasi ka Bufonin dhe Nojerin si modelet e tij. Për Foto, cili është portieri më i mirë në botë?
Për mua janë të dy portierë shumë të mirë. I pari është Bufon, për karrierën dhe për atë që po bën. Janë shumë pak portierët me kualitetin e tij mes dy shtyllave. I dyti për mua është De Gea sepse është një portier modern dhe luan mirë me këmbë dhe reagon shumë mirë. Për më tepër është nga ata portierë që i jep shumë pikë skuadrës së tij. /PanoramaSport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: