KORÇË

Edhe pse është diagnostikuar me skizofreni të shfrenuar prej 20 vitesh, Rikard Fecanji, sot 37 vjeç jeton nën një çati me nënën e tij, duke ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj saj.  Ky është rrëfimi i frikshëm i një nëne që jeton e terrorizuar dhe detyrohet të denoncojë djalin e saj.

Para 6 ditësh ka qenë hera e fundit kur Luljeta është dhunuar nga i biri, i cili përveçse i sëmurë është përdorues i rregullt i lëndëve narkotike. E gjendur e dobët përballë kësaj situate, me sorollatje të vazhdueshme në dyer institucionesh, Luljeta sot denoncon rastin e saj në media.

“Djali ka 20 vjet që ka përdorur drogë dhe pas shumë kohësh u diagnostikua që vuan nga një sëmundje mendore, skizofreni e shfrenuar. E kemi kuruar dhe në Tiranë dhe në Elbasan. Tani kam 4 muaj që e kam në shtëpi. Unë e di se si, me frikë të më vrasë tani të më vrasë pastaj. Kërkon gjëra që unë nuk mund t’ia plotësoj dot dhe është i dhunshëm. Më rreh, më bën. Kam vajtur tek doktori më thotë nuk e pranon Elbasani. Dhe në polici kam vajtur, vijnë ata ai thotë jo nuk e godas. Më ndihmoni. Jam dhe vetëm, burri më ka vdekur se kur ishte ai, përgjigjej ai, vinte vërdallë, e shtronte. Unë nuk jam në gjendje, jam grua, është 37 vjeç djalë. Ai është i paparashikueshëm. Tani është mirë pastaj nuk dihet. Fle me frikë. Para 5-6 ditësh më ka dhunuar. Policia më dha urdhër mbrojtje. Jetojmë në një shtëpi. Nuk kam vëllezër as motra. Jam jetime. Ata thonë ta detyrojmë të bëjë krim që ta çojnë në spital. Të më vrasë mua pastaj ta çojnë në spital”, rrëfeu nëna e 37-vjeçarit të sëmurë.

Rikard Fecanji, është pacient prej shumë vitesh në qendrën komunitare të shëndetit mendor në Korçë, i klasifikuar për skizofreni të shfrenuar.
Në një komunikim jashtë kamerave me drejtorin e kësaj qendre Roland Lalaj, ai u shpreh për “BalkanWeb” se ky shtetas ka pasur më shume se 15 shtrime në spital psikiatrik.
Ai shton se ngërçi i vetëm është ne spitalin psikiatrik të Elbasanit, pasi janë shumë të rezervuar me shtrimet edhe për shkak të situatës së krijuar nga pandemia.
Kohëve të fundit në qarkun e Korçës, persona që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor janë bërë autorë të krimeve të rënda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb