PRISHTINE – Kosova ka qenë gjithmonë zgjedhja e parë e Herolind Shalës, edhe atëherë kur vishte fanellën e U¬21 të Shqipërisë, apo edhe atëherë kur grumbullohej nga kombëtarja e drejtuar nga Xhani De Biazi. Lojtari thjesht po priste momentin e duhur për të veshur fanellën e përfaqësueses së Kosovës.

Në një prononcim për portalin “Telegrafi”, mesfushori ka treguar se si kanë rrjedhur ngjarjet gjatë viteve të fundit. Ai i kishte dhënë fjalën Kosovës dhe po bëhej gati të luante me të, kur i erdhi ftesa nga Shqipëria.

“Kosova më kishte nxjerrë biletën për grumbullim dhe i pata dhënë fjalën se do të luaj për ta. Në fund ishte lajmëruar edhe Shqipëria dhe pasi bisedova me trajnerin Albert Bunjaku, ai më këshilloi t’i bashkohem Shqipërisë për ta ndihmuar në kualifikime”, deklaroi Shala.

“Që nga ndeshja e parë me Portugalinë kam qenë gjithmonë i grumbulluar dhe kam pritur rastin tim. De Biasi e ka ditur që unë kam refuzuar Norvegjinë dhe pastaj më ka dhënë leje Albert Bunjaku për t’iu bashkuar Shqipërisë. Kam pasur formë shumë të mirë me klubin gjithmonë por nuk më është dhënë rasti në Kombëtare. Nuk kam qenë një që kam shkaktuar probleme por i kam respektuar gjithmonë zgjedhjet e trajnerit pasi për mua ka qenë e rëndësishme Shqipëria të ketë sukses”, vijon ai rreth eksperiencës së tij kuqezi, ndërsa konfirmon se Kosova ka qenë gjithmonë zgjedhja e tij e parë.

“Ky vendim i imi ka qenë edhe para dy viteve, të luaja për Shqipërinë për ta ndihmuar Kombëtaren deri në pranimin me të drejta të plota të Kosovës dhe të rikthehem tani këtu sepse Kosova ka nevojë më shumë se gjithçka ta ndihmojnë bijtë e saj.
Shoh shumë fyerje ndaj meje Milotit e Albanit, por unë nuk e di që i kam bërë dikujt keq. Sa herë që më është kërkuar kam dhënë maksimumin për Shqipërinë dhe tani jam te Kosova, te një shtet shqipfolës dhe asnjë shqiptar i vërtet nuk e fyen Kosovën dhe ekipin e saj. Si lojtarët e Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës jemi shqiptar, jemi të një kombi por do të mundohemi që dy shtetet t’i bëjmë të fuqishme në futboll”, deklaroi Shala. Sipas tij, përfaqësuesja e Kosovës, me grupin që po krijon, mund të bëjë surpriza në kualifikueset e Botërorit 2018. “Kosova ka pasur nga fillimi një ekip të mirë dhe trajneri Albert Bunjaku është më meritori për këtë grup të lojtarëve. Besoj që do të tregojmë ndeshje të mira dhe t’i befasojmë të gjithë kundërshtarët në grup. Ne kemi nevojë për përkrahje dhe jam i bindur se si Shqipëria ashtu edhe Kosova do t’i kenë tifozët më të mirë në Evropë në ndeshjet që do t’i luajmë ndaj kundërshtarëve tanë”, ishin fjalët e futbollistit 24-vjeçar i cili nuk u përzgjodh nga De Biazi për të marrë pjesë në Euro 2016.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb