Pavarësisht besnikërisë dhe vullnetit për t’i shërbyer Sigurimit të Shtetit, në radhët e armatës së agjentëve dhe bashkëpunëtorëve të fshehtë kishte që tradhtonin duke prishur paktin me Policinë Sekrete.

Mënyra si reagonte kupola e Sigurimit ndaj këtyre “besëprerëve” zbulohet për herë të parë në pohimet e Kadri Hazbiut gjatë hetimeve në vjeshtën e vitit 1982. Në librin e studiuesit të njohur Kastriot Dervishi, “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, pasqyrohet jo vetëm mekanizmi i sjelljes ndaj kësaj kategorie, por edhe legjendimi i zhdukjeve pa gjurmë të atyre që ndërruan mëndje për t’i shërbyer Sigurimit të Shtetit.

Kadri Hazbiu Gjykim
Kadri Hazbiu

Nga aq sa pranon për herë të parë ish-ministri më jetëgjatë i Ministrisë së Brendshme, pjesa më e madhe e tyre janë vrarë pas shpine në shenjë hakmarrjeje dhe janë trajtuar si të arratisur jashtë shtetit. Ka pasur të tjerë, dëshmon Hazbiu, që janë eliminuar me urdhër, por në të gjitha rastet historitë e tyre janë legjenduar me situata nga më të ndryshmet, për të fshehur të vërtetën mbi misionin dhe tragjedinë e tyre. Të tjera deponime të ish-kreut të Policisë Sekrete zbardhin të tjera mistere për ngjarje e ndodhi të panjohura më parë.

Pyetje: Ç’problem tjetër keni për të thënë i pandehur?
Përgjigje:
 Kur kam qenë ministër i Mbrojtjes, në muajin prill-maj të vitit 1981, sekretarja e kolegjiumit që regjistronte diskutimet që bëheshin në mbledhje të ndryshme ose në kolegjiumin e Ministrisë, më ngriti problemin se kishte vështirësi të merrte të gjitha diskutimet, pasi mikrofoni që kishim nuk kapte diskutimet që bëheshin nga gjysma e sallës e poshtë. Për të zgjidhur këtë problem, kam biseduar me tradhtarin Feçor Shehu dhe i kam kërkuar të më ndihmonte me një mikrofon nga ato që përdorte Ministria e Punëve të Brendshme për punë operative, mbasi nuk kishim mundur të gjenim mikrofona të përshtatshëm. Këtë mikrofon, i thashë tradhtarit Feçor Shehu, ose të na bënte kalim kapital, ose ta blinim sipas rregullave. Feçori ra dakord dhe më dërgoi specialistin Dalan Hajdari, i cili e pruri pajisjen që kërkova.

Me të ishin edhe shokë të tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të sektorit përkatës operativ. E takova Dajlanin që ta vendoste mikrofonin dhe të shtrinim kabllon deri tek vendi ku ishte magnetofoni që regjistroheshin bisedat dhe diskutimet në mbledhjet. Dalani më tregoi se e kishte vendosur mikrofonin në mënyrë të padukshme në mesin e tavolinës. Vendin ku u vendos mikrofoni dhe mënyrën se si u vendos, e panë edhe sekretarja Eli Kokushta, Zija Beqiri, Ismet Isufi. Këtë e morën vesh edhe zëvendësministrat.

Mbas vetëvrasjes së tradhtarit Mehmet Shehu, unë kam kërkuar nëpërmjet Faurdin Poçarit, që ndodhej në zyrën e Feçor Shehut ose të ndonjë tjetri, që të vinte tek unë Dalan Hajdari. Këtij i thashë që të kontrollonte zyrën time, paradhomën, sallën e mbledhjeve të kolegjiumit, zyrën e shefit të Shtabit dhe të shefit operativ me aparaturat e posaçme që kanë ata, për të parë se mos kishte vendosur mikrofona të tjerë sekret që nuk i dinim ne.

Dalani më tha se këtë kontroll nuk mund ta bënim në sallën e kolegjiumit pa hequr mikrofonin që kishte vendosur më parë. Unë i thashë që ta hiqnin farë atë dhe të bënin kontrollin. Kështu u bë dhe rezultoi që në asnjë nga ambientet e kontrolluara nuk kishte mikrofona të tjerë. Dajlani nuk e vendosi më mikrofonin që hoqi. Unë i thashë të njoftonte tradhtarin Feçor Shehu për kontrollin që bëmë. Vendosja e këtij mikrofoni, që është pajisje sekrete e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në zyrën time të mbledhjeve nuk duhej të ishte bërë, sepse personat që e morën vesh këtë punë, nuk janë të autorizuar të njihen me mjetet teknike sekrete që përdor Ministria e Punëve të Brendshme.

22.10.1982
Pyetje: I pandehur, përse na keni kërkuar?

Përgjigje: Unë kam për t’iu thënë disa çështje, të cilat mendoj se janë të vlefshme në lidhje me veprimtarinë armiqësore të tradhtarit Mehmet Shehu për ta sqaruar atë. Kur më bëri dorëzimet e Ministrisë së Mbrojtjes, ndër të tjera tradhtari Mehmet Shehu më dorëzoi edhe disa çelësa, të cilët ishin në një kasafortë, brenda së cilës ishte një sirtar edhe ai, i mbyllur dhe më tha se brenda në sirtar ishte një kuti në të cilën ndodhej një dokument që u interesonte shumë jugosllavëve. Tradhtari Mehmet Shehu më tha se këtë dokument mund ta hapja vetëm me urdhër të komandantit të Përgjithshëm. Përmbajtjen e këtij dokumenti dhe vendin ku ndodhej e dinte edhe Veli Llaka e Kiço Mustaqi. Pasi vrau veten tradhtari Mehmet Shehu, unë u kujtova për këtë dokument dhe më shkoi mendja të verifikoja nëse ishte në vend apo e kishte marrë tradhtari Mehmet Shehu. Thirra të dy shokët që kishin dijeni për këtë problem, por ata, kur panë çelësat, më thanë se më mungonte çelësi i sirtarit.

Për të sqaruar ku ndodhej çelësi, pyeta shokun që kishte marrë çelësat, që i ishin gjetur tradhtarit Mehmet Shehu pas vetëvrasjes. Ai m’i dërgoi ato. Veli Llaka dhe Kiço Mustaqi kur i panë në tufën e çelësave, njohën çelësin që më mungonte. Me lejen e udhëheqësit të partisë e hapëm sirtarin dhe kutinë e verifikuam që dokumenti ishte në vend. Unë për këtë ndodhi u thashë shokëve që ishin me mua kur hapëm kasafortën, të mbanin një procesverbal. Mendoj se armiku Mehmet Shehu çelësin e sirtarit ku ruhej dokumenti që përmenda më sipër, e ka marrë me qëllime të caktuara.

Me anë të tij, kontrollonte nëse ky dokument do të kërkohej nga udhëheqësi kryesor i partisë, sepse për ta marrë atë do të duhej të kërkonim çelësin tek ai(Mehmeti) ose, nëse do ta hapnim me mënyra të tjera, do të thoshte se sekreti është nxjerrë nga ne, për problemin që bëhej fjalë në dokument, dhe kështu nuk do të merrej vesh që këtë sekret ua kishte bërë të njohur jugosllavëve tradhtari Mehmet Shehu. Këto mendime ia kam thënë partisë.

26.10.1982
Pyetje: Na shpjegoni i pandehur ç’dini rreth vrasjes së Qamil Lleshit?
Përgjigje:
 Unë kam marrë vesh pas Plenumit të 11-të të K. të Partisë se ishte vrarë Qamil Lleshi, të cilin nuk e kam njohur personalisht, por di që ka qenë oficer. Atëherë u fol se me këtë vrasje implikohej Hajdar Aranitasi, që ishte në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit. Vrasja e Qamil Lleshit nuk ishte e lidhur me punën që kryeja unë në atë kohë. Unë nuk kam biseduar ndonjëherë me Hajdar Aranitasin për këtë problem. Di që në një rast, në një mbledhje përfaqësie për caktimin e kandidaturave për në Plenumin e KQ, kur është propozuar Hajdar Aranitasi, është ngritur edhe problemi i vrasjes së Qamil Lleshit, por u tha se këtë problem e ka sqaruar partia.

Pyetje: Çfarë veprimesh të tjera të paligjshme keni kryer në kundërshtim me vijën e partisë?
Përgjigje:
 Veç atyre që kam shpjeguar në proceset e mija të mëparshme, dua të flas për veprimtarinë e gjyqit special të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Unë nuk e di se mbi çfarë baze ligjore ka funksionuar ky gjyq, por unë e gjeta të krijuar nga Mehmet Shehu pranë Sigurimit të Shtetit në sektorin e Hetuesisë të Ministrisë së Brendshme. Në atë kohë kur unë kam qenë zëvendësministër, rreth viteve ‘48-‘49, Hetuesia që kishte gjyqin special varej nga Mihallaq Ziçishti. Në atë gjyq dënoheshin bashkëpunëtorët tradhtarë të Sigurimit, si dhe oficerët e tjerë të Ministrisë së Brendshme që kryenin faje në lidhje me punën operative. Në rastet që më kujtohet, ka qenë dënimi i një personi nga krahina e Kurbinit me mbiemër, me sa më kujtohet, Lleshi, i cili, duke qenë bashkëpunëtor i Sigurimit në drejtim të bandave, kishte vrarë disa persona për motive personale.

Ky person u kap me kombinacion dhe, pasi u bënë dy-tre ditë hetuesie me të, u dënua me “vdekje” nga gjyqi special. Vendimi u ekzekutua me urdhrin tim, por u legjendua sikur ky kriminel ishte vrarë në pritë. Veprim i paligjshëm ka qenë edhe vrasja e një bashkëpunëtori që ndodhej në arrati, i cili nuk donte të vazhdonte bashkëpunimin me organet e Sigurimit. Ky u vra në pritë nga Zylfi Saliu dhe Halil Zeneli, të cilët u gjykuan dhe u dënuan për këtë veprim të paligjshëm. Këtë çështje, me sa më kujtohet, e ka hetuar dhe gjykuar Hajdar Aranitasi. Theksoj se nuk më kujtohet se nga varej gjyqi special, nga Ministri apo Mihallaq Ziçishti. Për saktësi duhet parë praktika e vrasjes së bashkëpunëtorit që ndodhej në arrati në zonën e Kukësit./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: