TIRANE- Regjisori Saimir Kumbaro rrëfehet për “Panoramën” në lidhje me skenat e xhirimit të filmit “Vdekja e Kalit”, ku protagonistët kryesorë kanë qenë aktorja Raimonda Bulku dhe aktori Timo Flloko. Kumbaro tregon skenën e seksit mes Bulkut dhe Fllokos, duke dhënë detaje për mënyrën se si u realizua ajo.

“Për fatin tim në sheshxhirim, erdhi një gazetare e RAI­t. Aktorët, për të treguar që ishin të emancipuar dhe që nuk kishin komplekse të këtij lloji, pranuan që ta realizojnë skenën, por Flloko kishte një kusht: Duhet të përdornim çarçafët e shtëpisë së tij.

Unë nuk e konsiderova fare kusht në fakt, ishte në dobinë e filmit. Siç ju thashë, të ardhurat ishin aq të vogla saqë aktorët nuk janë paguar. Mua realisht më duheshin çarçafë me ngjyra, por nuk kisha ku t’i gjeja. Meqenëse Flloko u ofrua, pranuam dhe e xhiruam skenën”, tregon Kumbaro.

Peripecitë, mundet të kenë qenë më të mëdha përpara viteve ’90, por, të realizosh një film pikërisht gjatë ndërrimit të sistemeve, siç keni bërë ju me ‘Vdekja e kalit’, duhet të ketë
qenë përtej çdo pengese që mund t’ju kenë nxjerrë anëtarët e Byrosë dikur…
Është e vërtetë sepse filmi “Vdekja e kalit’ është realizuar në kushte anormale. Xhirimet kanë zgjatur më shumë se një vit. Kanë nisur kur ishte ende në pushtet Partia Komuniste e kanë përfunduar në arritjet e para të demokracisë. Ishte një kohë kur njerëzit nuk kishin me ç’të ushqeheshin e jo më të mendonin për filma. Vështirësia nuk qëndronte vetëm nga pikë­ pamja financiare, por edhe nga ajo teknike. Bashkë me ekipin, nuk kishim asgjë në dispozicion, përveç 12 km film. Vetëm se duhet të them për të marrë kuajt apo helikopterin, që më duhej për t’i filmuar nga lart, nuk pata pengesa. Mu siguruan këto edhe sepse ata që ishin në pushtetin e vjetër, sigurisht që pa kushtuar ndonjë vëmendje të madhe menduan se isha duke bërë një film si gjithë të tjerët, por rezultoi të ishte, siç u përcaktua edhe më vonë nga një gazetë franceze, një autopsi e diktaturës.

Si nisi ky film, nga u ngacmua?
Ngacmimi erdhi nga historia e një punonjë­ si të Kinostudios, Xhemal Koçit, që kishte shërbyer në fermën e kuajve të ushtrisë. Ishin disa gjeneralë që e kishin shumë qejf këtë kafshë dhe kuajt mbaheshin kryesisht për ta. Xhemali kryqëzonte duart që njëri nga gjeneralët, Petrit Dume, meqenëse ishte i shkurtër, të kishte lehtësi për të hipur mbi kalë. I kishte shumë pasion kafshët. U aprovua si film dhe filloi me sakrifica të jashtëzakonshme, pa grupin e xhirimit nuk do arrija ta bëja këtë film.

Në disa pikëpamje, filmi konsiderohet si i pari që ka thyer tabu…
Ishte edhe momenti kur po realizohej që më lehtësoi. Përfitova nga agonia e sistemit për të realizuar një film pa censurë. Sado që Partia e Punës ishte ende në pushtet, askush nuk ishte i fokusuar në të tillaçështje e ndoshta prandaj më ndihmuan me lehtësi si për kuajt apo helikopterin.

Kali i bardhë, në film, ka një histori më vete…
Kali në film është Naniusi, djali i Nakllonit. Ky i fundit erdhi në Shqipëri përpara prishjes së Shqipërisë me ish­BS dhe është përdorur në paradat ushtarake nga Beqir Balluku. Ishin kafshë të rralla, mjaft të kushtueshme, arrinin shifrën 1 milion dollarë. Në tërësi, filmi është i rëndë. Skena torturash në qelitë burgut, ekzekutimi i kalit, atmosfera e përgjithshme është mjaft e ashpër. Të vetmet çaste që shikuesi mund t’i jetë larguar pështjellimeve të Agron Kurtit, janë skenat e puthjeve mes Timo Fllokos dhe Raimonda Bulkut. Ishte ende herët për ndryshim mendësish.

A e pranuan me lehtësi protagonistët realizimin e kësaj skene?
Jo vetëm nuk e pranuan me lehtësi, por e refuzuan. As Timo e as Monda nuk donin që puthja të realizohej.

Çfarë ndodhi që ndryshuan mendim?
Një situatë krejt e rastësishme. Për fatin tim, në sheshxhirim erdhi një gazetare italiane e Rait. Aktorët, për të treguar që ishin të emancipuar dhe që nuk kishin komplekse të këtij lloji, pranuan që ta realizojnë skenën, por Flloko kishte një kusht; duhet të përdornim çarçafët e shtëpisë së tij. Unë nuk e konsiderova fare kusht në fakt, ishte në dobinë e filmit. Siç ju thashë, të ardhurat ishin aq të vogla saqë aktorët nuk janë paguar. Mua realisht më duheshin çarçafë me ngjyra, por nuk kisha ku t’i gjeja. Meqenëse Flloko u ofrua, pranuam dhe e xhiruam skenën.

Nuk paska qenë shumë e vështirë. Ç’ndodhi gjatë realizimit, tërheqje, ngurrim?
Shikoni, asnjëri prej të dyve, po ma do mendja të gjithë, nuk kanë dëshirë që unë apo të tjerët të flasim për këtë temë, nuk dal dot jashtë dëshirës së tyre.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: