Nga Shpendi Topollaj
Me ata që kanë kaluar një pjesë të madhe të jetës së tyre në burg, ngjet diçka e çuditshme: për gjithçka që tregojnë, të japin me saktësinë më të madhe, datën, orën, kohë qëndrimin në hetuesi, në burg, në birucë, metrat katrore të çdo mjedisi ku kanë ndenjur, nenet e kodit penal, gramaturën e ushqimit, emrat e shokëve, të gardianëve e të tjera vogëlima që për atë që është i lirë, thuajse nuk kanë fare rëndësi. Kushtet e izolimit, shkëputja e plotë nga bota që i rrethon, mos marrja e asnjë informacioni për sa ngjet jashtë, përgjegjësia absurde dhe me pasoja të rënda, për gjëra gati qesharake, u mpreh si duket shqisat aq shumë, saqë vetëm syrit të tyre nuk i shpëton gjë, por dhe e fiksojnë një fjalë, një shuplakë, një dhuratë të thjeshtë të shokut, qoftë kjo dhe një bisht cigareje, aq thellë në tru, sa të mos e harrojnë kurrë. Dhe çudia më e madhe është se edhe pse atyre u mungon thuajse çdo lajm nga jashtë telave me gjemba, përsëri kur tregojnë diçka, i vendosin ngjarjet në një sfond aq real, sa shpesh edhe ti që i dëgjon edhe pse ke qenë i lire, përsëri nuk i ke ditur. Mënyra sesi ata i mësojnë të rejat, është sa e përpiktë, aq dhe e mistershme në të njëjtë kohë.

Seç kanë një teletajp të padukshëm që punon ditë e natë me kapacitet të plotë, duke transmetuar gjithfarë lajmesh. Teletajpi i tyre gjithashtu parashikon ngjarje të rëndësishme. Ai bën analiza dhe nxjerr përfundime, duke i përgatitura ata për të ardhmen. Që të mos zihen në befasi, të mos tronditen, të mos dëshpërohen, por dhe të mos gëzohen para kohe. Ata i nuhasin që larg vendimet e një Plenumi, synimet e fshehura të një ligji, firmosjen e një amnistie, kohëzgjatjen e dënimit të tyre lidhur me koniunkturë politike në vend e në botë.

Ata më mirë se çdo analist, dinë të lidhin represionin ose tolerancën e përkohshme, me vizitën e një udhëheqësi të ndonjë fuqie të madhe, fjala vjen, në Kinë a Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata, natyrisht shpresojnë, por me ëndrra e iluzione të kota nuk rrojnë. Pra, kurrë nuk e gënjejnë veten. Ndaj dhe duke më folur për qëndresën e hekurt të legjendës së burgjeve Adem Allçit, miku im Ashim Gjoka që kishte qenë gjithashtu për vite të tëra i burgosur i ndërgjegjes, më tha një ditë:

– Kur një shok i yni e pyeti Ademin sesa vjet je dënuar, ai i dha një përgjigje filozofike: Jam dënuar njëqind vjet, kam bërë njëqind, më kanë ngelur dhe njëqind. E njihja Adem Allçin qysh kur doli nga burgu. Më kishte prezantuar me të shoku im Petro Çela që kishte qenë një oficer i shkëlqyer dhe që krejt papritur kishte përfunduar në pranga. E kishin arrestuar në mënyrë demonstrative, m`u në mes të Shijakut, duke e akuzuar se kishte vënë në dyshim politikën e Partisë për ushtrinë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Unë që e kisha shok të afërt e dija fort mirë, se nga të gjitha dashuritë e Petro Çelës, ushtria zinte vendin e parë. Në burg qe lidhur fort me Ademin dhe këtë miqësi e ruajtën edhe pasi u shemb diktatura dhe u liruan të gjithë të burgosurit politikë. Më tregonte për karakterin e fortë dhe trimërinë e Ademit, për shpërthimin e burgut të tmerrshëm të Burrelit nga ai, por vetë Ademi, sado që e pyesja, më shmangej. Zemra e lodhur dhe e munduar e Petros, pushoi së rrahuri shumë shpejt. Kjo i shkaktoi dhembje të madhe Ademit.

Qysh atëherë, i mësuar me shokë, u lidh ngushtë me Ashimin. Pinim ndonjë kafe bashkë, e ngacmoja, por përsëri nuk më thosh asnjë fjalë për vete. Kur Ashimi më tha atë shprehjen e goditur e të mençur të Ademit, ju luta që ta bindte atë që të më jepte përgjigje përsa do ta pyesja, se kjo qe jo vetëm një homazh edhe për dy shokët e tij Dhori Gërnjotin dhe të ndjerin Sazan Hadëri që kishin marrë pjesë së bashku me të në shpërthimin e mureve dhe telave me gjemba të burgut, por dhe një detyrë qytetare ndaj brezave, duke u treguar se dhe në Shqipëri, kishte njerëz që u ndeshën dhe u përleshën me përbindëshat komunistë.

Dhe ai pranoi. Ja ku e kisha përpara atë burrë pesëdhjete gjashtë vjeçar që dukej më i ri se ç`ishte në të vërtetë, të gjatë e muskulor, si një trajner atletike, me një shenjë plage midis vetullave si ata heronjtë tek “Iliada”, në dukje i papërqendruar, por që e gjithë pamja e tij fliste se në të ri, kish qenë shumë i fortë, i vendosur dhe energjik.

Linte përshtypjen e njeriut me shumë vullnet, që as i trembej kërcënimit e as i nënshtrohej lajkës. Më shumë se rebel, më shumë se kryengritës, atë e tërbonte padrejtësia, gjë që vihej re dhe tani, veç se jeta e kish “pjekur” dhe e kish bërë më të përmbajtur.

Pasi e thithi dhe një herë cigaren, kur e gjykoi se qe momenti që diçka duhej të thosh, bëri dhe një përpjekje të pa sukses, për ta shmangur bisedën nga vetja.

– Sa mirë ke bërë – më tha – që ke shkruar për Gjergj Titanin. E meriton plotësisht. Ishte i zgjuar dhe kurajoz. Përherë kundërshtonte për çdo poshtërsi që bënin ndaj nesh. Na frymëzonte dhe ne të tjerëve.

– Ashtu është, – ndërhyra – por sot dua diçka nga jeta jote. Për shembull, ku dhe kur ke lindur.

– Në mars të vitit 1942 – s`ju durua Ashimit.

– Në fshatin Viçidol afër Tropojës së Vjetër. – plotësoi Ademi. – Kurse origjinën e kisha nga Batusha e Kosovës, një fshat pranë Gjakovës. Na ndoqi serbi dhe erdhëm në Shqipëri aty nga vitet njëzet – tridhjetë. Qemë gjashtë fëmijë, pesë djem dhe një motër.

Unë isha i parafundit. Shkollën shtatë vjeçare e kreva në Tropojë. Më tutje nuk ma dhanë të drejtën për të vazhduar, kështu që deri në vitin 1962 u mora me punët e bujqësisë në shtëpi. Në Kosovë kishim qenë në gjendje të mirë ekonomike. Në familje ishim rritur me ndjenjën e urrejtjes për komunistët të cilët gjatë luftës e ca vjet më pas e bënë serbin zot shtëpie këtu dhe ia lanë atyre Kosovën.

Por edhe komunistët shqiptarë nuk na donin. Goditjen e parë e mori familja e motrës e cila qe e martuar me Idriz Hoxhën. Ai me dy vëllezërit, Hysenin dhe Abedinin dhe babanë e tyre Zenelin, që ishte një burrë që s`i gjendej shoku, si dhe djali i motrës time Beqiri, përfunduan burgjeve. Në këtë situatë, mua më ngritën ushtar dhe më çuan në Brigadën e Pestë të këmbësorisë, në Gërhot të Gjirokastrës.

Pasi kishin kaluar nja katër a pesë muaj, vjen të më takojë im vëlla Elezi që ishte nja gjashtë vjet më i madh se unë. Pa e zgjatur shumë, më thotë se kishte ardhur të më merrte me vete, pasi e kishin ndarë mendjen që të arratiseshin. Do të shkonim të jetonim te njerëzit tanë në Kosovë. Sajuam një gënjeshtër dhe mora ca ditë leje.

Qëndruam nja dy – tre ditë në shtëpi dhe pasi e pleqëruam edhe një herë e lamë që kufirin ta kalonim vetëm unë me Elezin. Me datë 4 Prill 1963 u nisëm. Vendin e veshur me ahishte e gështenja e njihnim shumë mirë. Në orën dymbëdhjetë të ditës, në piramidën gjashtë, në Qafë të Pëllumbit, kaluam kufirin dhe shkelëm mat`anë. S`patëm ndonjë pengesë, gjersa arritëm në qytetin e vogël Panashet, që është pranë Gjakovës dhe jo më shumë se një orë e gjysmë larg kufirit. S`kishim nga t`ia mbanim, kështu që u paraqitëm drejt e në milici. U thamë se na kishin burgosur tërë burrat e familjes së motrës dhe tani radhën e kishim ne, ndaj dhe ikëm.

Se dimë nëse na besuan, por pasi na bënë disa pyetje të trasha ose më mirë që i dinin edhe pa na pyetur ne, si për shembull kush është Kryetar i Degës së Brendshme në rreth etj., na çuan pas tre ditë e net hetuesie në Gjurakovs në Pejë, ku qe kampi i përqendrimit e ku na lanë plot dy muaj.

Këtu gjeje njerëz të çdo kallëpi e çdo kombësie. Fill pas kësaj, na thirrën dhe na pyetën se ku dëshironim të venim për të jetuar. Ne s`kishim punë në asnjë vend, ndaj thamë se do të vendoseshim në Kosovë. Mirë, na thanë, do t`ju shpiem në një vend të preferuar dhe pasi na lidhën dhe na hodhën në kokë nga një batanije, me një makinë na nxorën në Qafë Morinë. S`u besuam syve. Komunistët, s`ka shejtan që i kupton. Kacafyten me njëri – tjetrin gjoja për probleme ideologjike, hahen si qentë dhe pastaj, fare pa pritur merren vesh për bukuri. Nuk na keqtrajtuan rrugës për në Kukës. Kur hymë në Degën e Punëve të Brendshme, ku hijerëndë na priste Kryetari Ndue Gjini, një burrë me të vërtetë i keq, pamë se qenë arrestuar edhe nëna dhe tre vëllezërit e mi. Dhjetë ditë nuk futa gjë në gojë.

Mendohesha dhe thoja me vete se kisha kaluar një provë të vështirë; s`kisha treguar atje se isha ushtar se do më mërzisnin me pyetje që s`do t`u përgjigjesha kurrë, kisha rrezikuar jetën time dhe të familjes, kisha humbur të ardhmen, por ama një gjë e kisha fituar; kisha vërtetuar se nuk e njihja frikën dhe kjo më shtonte bindjen se komunizmin mund ta urreja akoma më shumë.

Të liq ishin ata, ndaj ata duhej të ma kishin frikën mua. E dija se tani e tutje po të mbetesha gjallë, veç guximit, nuk do të kisha armë tjetër. Dhe kjo armë nuk më tradhtoi kurrë. Gjyqi u bë në Shkodër pas nëntë muajsh. S`të thashë se më kishin marrë në kufi të lidhur me 29 maj 1963.

Na gjykoi një gjykatë ushtarake e cila me vendimin Nr. 14 datë 7 shkurt 1964 na shpalli fajtor, duke na dënuar, mua me njëzet vjet privim lirie, kurse vëllanë tim me njëzetepesë. Nga Shkodra na çuan në Laç, ku punohej për të ndërtuar Uzinën e Superfosfatit. Këtu qëndrova një vit e gjysmë. Kur e krahasoj me vendet ku vuajta dënimin më pas, Laçi më dukej shumë më i lehtë. Pastaj më transferuan në Rubik.

Edhe atje punohej, por ama ishte një tmerr i vërtetë. Tmerr në çdo pikëpamje. Gjashtëqind të burgosurit ishin skllevërit e komandantit të kampit, kolonelit nazist Bajram Korvafa nga Kuçi.

– Shkruaje këtë emër. – ndërhyri Ashimi – Kishte shumë që bënin detyrën dhe ne s`kemi gjë me ta. Por për ata që i tejkaluan të drejtat që u jepte ligji e që na shihnin e trajtonin si kavie, s`kemi pse t`i ruajmë deri atje sa të mos u zëmë emrin në gojë.

E mori fjalën përsëri Ademi:

– Dy gjëra i deklaroja gjithmonë: Nuk e dua P.P.SH. – në, dhe për ju nuk do të punoj kurrë. Atëherë më masakruan. S`ish e vështirë ta bënin këtë. Qe mëngjes. Ora pesë. Ra çanga. Unë s`u ngrita menjëherë, sipas tyre. Më ofendoi oficeri. Më shau rëndë. S`durova dhe e godita. Menjëherë u futën policët, të cilët më lidhën.

Që atëherë e kam dhe këtë shenjën. Më vunë hekurat. Isha bërë bishë. Qe mllefi i grumbulluar gjatë gjithë asaj kohe. E nxora dorën nga prangat, duke lënë lëkurën në ato hekura. Me dorën e zhveshur që kullonte gjak i godita dy policë. U rashë me pranga në kokë. Nuk dija më ç`të bëja. Ata ranë pa ndjenja. Pastaj erdhën shumë policë dhe ushtarë. Më lidhën përsëri dhe më lanë një muaj në birucë. Biruca! Edhe sot më zë tmerri kur e kujtoj.

Edhe shtazët kur i mbyllin në kafaz, ma do mendja se vuajnë shumë. Po njeriu? Se njeriun e lodhin dhe e torturojnë mendimet, brengat e shpirtit. Uria dhe të ftohtit edhe durohen. Por poshtërimi kurrë. Kam qenë mbi njëqind kile. Tani e shihja se po firoja e tretesha fare. Meit duhej të isha bërë. I vdekur e i pavarrosur. Ose më mirë, i varrosur për së gjalli. O Zot, mos më lër të harroj!

Erdhi dita e ri dënimit. Këtë nuk do ta kuptoj kurrë. Të jesh dënuar që djalë i ri me njëzet vjet burg, dhe të jenë të pakënaqur duke të dhënë edhe tetë të tjera. Përfundimisht, e ndava mendjen. Jeta ime këtu kishte mbaruar. Tani e tutje jetoja kot. Sa për të vuajtur. Ky qe fati im dhe duhej t`i bindesha.

Më hipën në auto-burgun e frikshëm dhe një mbas dite dhjetori të vitit 1965, u gjenda në oborrin e burgut të Burrelit. Këtu gjeta të tjera bisha. Që ulërinin e shanin pa pushim. Më kontrolluan imtësisht, ashtu kot, veç për forcë zakoni, se çfarë do kisha. Nga burgu vija e në burg shkoja. Si po vente kjo jeta ime.

Dhe mos kujtoni se unë nuk e doja atë, dhe nuk kisha dëshirat e mia rinore. Por ajo, s`e di se ç`kishte me mua që më kishte zënë me shkelma. Burreli, ish ç`ish. Kisha dëgjuar për të. Por është krejt ndryshe me të dëgjuar. Kur më futën në qeli, pashë burra të vjetër. Jo të vjetër, por të vjetruar. Bile mund të them se pashë kufoma që akoma vazhdonin të endeshin në këtë ferr të vërtetë.

Dikur kishin qenë të rinj, të zot e të pushtetshëm. Tani, veç t`i shihje. Ishin katandisur për t`u dhimbsur. Si bëhet njeriu, ose më mirë, si e shpërfytyrojnë njeriun. Në një qeli ishin rreth njëzet vetë. Kish aty veteranë të burgjeve. Unë isha ende pionier para tyre. Qenë të gjithë intelektualë. Burra që dikur u jepnin mend të tjerëve. Por që tani nuk u duheshin as për vete.

Mua më pritën shumë mirë. Shihej që u vinte keq për mua. U mësuam me njëri – tjetrin, ashtu sikurse u mësova dhe me kushtet e llahtarshme të jetës atje. Sa i fortë është njeriu. Në fillim e pata të vështirë. Pastaj u mësova diçka dhe fillova të urinoja në sy të tyre te qypi që kishin vënë për këtë punë. Në banjo vihej me orar. Dy herë në ditë. Mendo, më fal për këtë, kur të zinte barku. Do defekoje aty në sy të atyre burrave. Kjo e bënte dënimin tonë akoma më të rëndë. Qypit, në daç thuaj edhe oturakut, i vinim përsipër një si karton që të mos mbante erë dhe për t`a zbrazur, na lejohej vetëm në mëngjes. Edhe hundët sikur na u mësuan me erën e keqe. Edhe për ajrosje, dy herë në ditë na nxirrnin. Kurrë nuk e mësuam përse nuk na nxirrnin fare kur kalonte andej ndonjë udhëheqës i lartë. S`e di çfarë rreziku përbënim ne për ta.

Pas një viti, më 1966 – ën, s`u mor vesh përse, më dërguan në burgun 313 në Tiranë. Më lanë tre muaj dhe si duket u bënë pishman; më kthyen përsëri atje ku isha, në Burrel. Këtu takova dy të burgosur të rinj. Njëri ish Dhori Gërnjoti nga Korça.

– E kam njohur – i thashë – aty nga viti 1964. Erdhi para shkollës së Oficerëve i veshur sportiv dhe më pyeti; se a e dija ku rrinte ekipi i Boksit të “Partizanit”. Ishte goxha djalë. Brun. Qethur shkurt. Dhe dukej shumë i urtë. Kisha dëgjuar për të, por sidomos për të atin, Rafael Dëshnicën, një emër i madh ky i viteve tridhjetë.

– Edhe unë – e mori fjalën përsëri Ademi – e kisha njohur qysh në Rubik. Pastaj, bashkë me Elezin, vëllanë tim, i çuan në Elbasan. Tjetri, qe një djalë nga Fushbardha, të cilin e quanin Sazan. Sazan Hadëri, i cili kish tentuar të ikte nga kampi i Laçit. Të dy ishin dënuar nga njëzetepesë vjet, pasi kishin dashur të arratiseshin nga Shqipëria. Në Burrel i kishin sjellë në 16 Qershor 1967. Na futën në një dhomë, dhomë që ne e quajtëm, dhoma e rinisë. Ndiheshim disi mirë, por për dreq na sollën një çoban nga Korça, i dënuar si ordiner, por që ishte spiun. Emrin, s`ka rëndësi…! Turpi le t`i mbesë atij. Dikur, si krijuam besimin te njëri – tjetri, lidhëm fjalën që të organizonim daljen nga burgu.

Nuk jam në gjendje të them se në këtë moment, kjo qe e vetmja rrugëdalje që na u imponua, apo qemë trima, apo qemë të çmendur. Ndofta, dëshpërimi i madh të bën të zgjedhësh këtë mundësi gati absurd, e cila përmblidhte edhe rrugëdaljen e vetme, edhe trimërinë, edhe çmendurinë. Diskutuam gjatë dhe e lame për të nesërmen në kohën e apelit. Unë, paraprakisht shkrova një letër që ia drejtoja Enver Hoxhës. Tekstin e saj nuk e harroj kurrë: “Jemi një grup të rinjsh që sonte kemi vendosur o të jemi gjallë e të lirë ose të vdesim, por burgun e Burrelit do ta shpërthejmë”.

Fjalët e tjera nuk po i them. Shava rëndë. E futa letrën në zarf dhe sipër shkrova adresën. Kur të nesërmen në darkë, ora 7.30, erdhi oficeri i rojës për të bërë apelin, me njërën dorë ia dorëzova letrën, me tjetrën e godita fort me grusht. Dëgjova që tha: “Adem, edhe unë shqiptar jam dhe mbetem në besën tënde”. S`kish kohë për t`u menduar shumë. I rrëmbeva kapelën dhe e vura në kokë. Gjithashtu i mora çelësat. Dhori dhe Sazani u morën me policët e tjerë.

Eca nëpër korridor dhe hapa derën që të nxirrte në oborrin e brendshëm. E dija që ruhej me roje të armatosura, deri me mitrolozë të lehtë dhe me prozhektorë. Për çudi, në oborr ishim vetëm tre vetë. Me mua kishin dalë dhe Dhori me Sazanin. Me të tjerët nuk e di se ç`ndodhi. Kapelja e atij oficerit nuk më ndihmoi dot. Ushtari na pa dhe na qëlloi me një breshëri të gjatë automatiku. Si mace hipa në tarracë.

– Si tigër! – e ndreqi Ashimi.

Ademi qeshi:

– Dakord, si tigër. Dhe i zgjas dorën Dhorit e Sazanit. Na qëllonin nga të katër anët tani. Harrova të them, se ruajta arsyen dhe vetëkontrollin, sa të fikja dritat e brendshme duke hequr siguresat. Ish krijuar një pështjellim. Në kohën që po hidheshim nga pesë – gjashtë metra në oborrin e jashtëm,

plumbat e morën në trup Sazanin. Ra i vdekur mbi një kanal. Për ta ndihmuar s`mundja. Kish dhe rrethime të tjera me tela me gjemba që i përshkonte një fije korrenti, e cila nuk kishte lidhje me siguresat që hoqa. Telat me gjemba mbaheshin mbi ca kolona betoni. Kapërceva nga një kolonë në tjetrën. Kuptohet që sot, nuk mund ta bëj këtë gjë.

E keqja, halli të bën dhe akrobat. Dolëm jashtë burgut unë me Dhorin. Por ishte shpejt të gëzoheshim. Vrapuam gjersa hymë në vresht, por e pamë veten të rrethuar e të ndjekur nga forca të shumta. Dëgjova Dhorin që duke rënkuar më tha: “Vazhdo Adem, unë nuk mundem më. Jam plagosur në këmbë”. I vetëm, duke m`u marrë fryma, eca nëpër errësirë. Vendin nuk e njihja fare.

Ecja kuturu. Diku ndalova se po ndieja shumë etje, për të pirë ujë në një pellg bretkosash. Kur u përkula, pashë se nga shpatullat po më rridhte shumë gjak. Bobo, thashë, dhe kjo më duhej. Por për fat, as vetë s`e di se si kishte ndodhur, por duhej të qe ndonjë plumb qorr se nuk më kish shpuar tej për tej. E kam shenjën këtu, por nuk ka rëndësi se s`është vendi të ta tregoj.

Kam ecur nja tre – katër orë, gjersa u futa në një arë misri. Së largu ndjeva zhurmën e helikopterëve. I kishin nisur nga Tirana. E kuptova se shpërthimi i burgut nga ana jonë, i kishte tronditur së tepërmi ata të udhëheqjes. Tërë Korpusi i Burrelit, bile dhe gra e fëmijë, ishin ngritur në këmbë. Aty nga ora dy a tre më kapën. Kur u gdhi, të lidhur pas tankut, më ekspozuan në qendër të qytetit dhe unë të dëgjoja se ç`thoshin për mua para popullit që gëzohej tek më shihte në atë gjendje të vajtueshme. Se si bëhen njerëzit nga njëherë. Tek e tek, mund të jenë shumë të mirë. Po ndonjëherë, me t`u bërë bashkë, kalojnë në histerizëm.

S`di nga vjen kjo. Ndofta nga frika. Ndofta nga servilizmi kolektiv. Ndofta nga një diçka e brendshme e trashëguar qysh nga lashtësia, nga arenat e gladiatorëve… s`e di. Veç e di mirë se ata siç bëheshin cope kush e kush të na kapte, ashtu dhe tani kush të bërtiste më shumë kundër meje. Në birucat e Degës Punëve të Brendshme në Burrel, erdhi vetë zëvendësministri, bile dhe ministri, dhe më ulërinin: “Trego shokët!” Dorë nuk më vunë. Unë veç thashë: “S`kishim punë me të tjerët. Donim lirinë dhe u vumë në kërkim të saj. Sekush e di vetë se ç`bën. Sikurse dhe përgjigjet po vetë për sa bën”.

Gjyqi u bë në Burrel më 19 Gusht 1967. Dënimi: me vdekje, me pushkatim. Unë e prisja këtë. Shpresoja t`i falnin jetën Dhorit, duke marrë parasysh familjen nga vinte. Se sa për moshën e re, ata as që donin t`ja dinin. Më shumë për të u mërzita. Jeta ime më dukej fare pa kuptim. Në fjalën e fundit, Dhori me zë të qetë, duke qëndruar ulur nga plaga në këmbë, tha: “Po deshët, na falni jetën”. Unë ju drejtova, pa leje kuptohet: “Pusho Dhori! Më mirë të na vrasin, se s`ka burrë që e fillon nga e para”.

– Jo, – ja priti Ashimi – ti ke thënë: Na vrisni sa më shpejt, se nuk mund ta fillojmë nga e para.

– Njësoj është. Jo Ali Hoxha, por Hoxhë Alia. – u nxeh Ademi – Sido që të jetë, përfunduam njëzeteshtatë muaj në birucat e Degës së Brendshme, duke pritur përgjigjen nga lart. Gjykata e Lartë e la në fuqi vendimin. Ne vazhdonim të mbaheshim të lidhur duar e këmbë.

Kështu ishte rregulli; keq e kishim kur hanim bukë, por më keq kur shkonim në banjo. Një polic na mbante litarin, e tjetri na ulte pantallonat. Kishim dhe shumë vizitorë, oficerë, policë, civilë që vinin e na shihnin, siç shihet një kafshë e rrallë. Donin të dinin si mund të ishin ata që çanë burgun e llahtarshëm. S`mund të gënjej, se më vret Zoti.

Edhe këtu gjendeshin njerëz të mirë si…

– Farudin Shehu nga Tepelena. – shpejtoi ta kujtonte Ashimi.

– Po Farudini, një gardian tepër njerëzor. Aq njerëzor, sa më linte të flisja me Dhorin. Mos çaj kokën, i thosha. Një herë vdes burri. Ja kështu, gjersa një natë në orën tetë u dhanë te dera disa burra. S`e mbaj mend sa. Disa kishin ardhur nga Tirana. Njëri na u drejtua: “Presidiumi i Kuvendit Popullor mori parasysh kërkesën tuaj dhe ua fal jetën”. Unë s`kisha bërë ndonjë kërkesë. Kërkesa ime qe letra që i kisha dërguar Enver Hoxhës para shpërthimit të burgut.

Nuk mund t`u them se u gëzova që m`u fal jeta. Në këtë drejtim isha krejt i mpirë. Më gëzoi një gjë tjetër; që më doli ëndrra që kisha parë një natë më parë. Ju ndofta nuk e besoni, por mua kështu më ngjau vërtetë. Ëndrra, aty në birucë ku qëndroja i lidhur nga duart e nga këmbët, thuajse nuk shihja asnjëherë, por atë natë m`u bë sikur isha në bjeshkë. Përpara m`u shfaq Ali Maliqi, që e kishin marrë ata të sigurimit në Elbasan, ku vuante dënimin e gjatë.

– Kish bërë – plotësoi Ashimi – gati të gjithë dënimin. Kish mbetur për të bërë veç një muaj e katër ditë.

– Tamam një muaj e katër ditë. Nejse, ai kishte qenë në mos gaboj, eksponent i Ballit Kombëtar.

– Jo, – s`iu durua Ashimit – mos i ngatërro, i Legalitetit.

– Po, i Legalitetit. S`janë njësoj?

– Si qenkan njësoj.

– Dakord! Ndodhesha përpara këtij burri. Unë isha i tëri mbuluar me blozë. Qymyr, si i thoni ju? U lava atje dhe bloza binte. U pastrova i tëri. S`mu durua. Dhori! – thirra, – do na falet jeta. Shpëtuam. Sidoqoftë, pa gjë nuk dolëm; na e kthyen me nga njëzetepesë vjet të tjera. Tani e kishim bërë hak burgun e Burrelit. Këtu ndodhi një fatkeqësi e paparashikuar. Më 7 nëntor 1968 sollën si komandant burgu Najaz Demirin.

– Edhe këtij – nxitoi Ashimi – t`ia përmendësh emrin.

– T`ia përmendësh se qe një kriminel i vërtetë. Gjatë luftës kishte qenë zëvendëskomandant i Brigadës së Kosovës. Kështu thoshin. Por si i pashpirt, nuk ja gjeje shokun. Na e nxiu fare jetën. E kemi mallkuar me gjithë shpirt. Gjithmonë kam pyetur veten sesi mund të ketë në botë njerëz të tillë. Në vitin 1973, kur kërkoheshin djem të fortë për të punuar në Uzinën e Ballshit, më zgjodhën dhe mua. Por unë qeshë betuar të mos punoja, se më dukej se u shërbeja atyre. Në burg mund të më mbanin, por për të punuar, s`më detyronin dot.

Kurrë nuk ia kam përtuar punës, por kështu ndihesha disi me personalitet, më dukej vetja i pavarur e dinjitoz para tyre. Shqip, kështu i sfidoja ata. Edhe kur bëja grevë urie. Më mbajtën një vit dhe si e panë se nuk më mposhtnin dot, më kthyen përsëri në Burrel. Në vitin 1985 (asnjëherë nuk më harronin), më degdisën në Spaç. Po as këtu s`dilja në punë. I plasa. E ndienin veten të fyer e të pafuqishëm.

Më provokonin, më ndëshkonin, por dhe më ruheshin. E provoi dhe shefi i Policisë së Rrëshenit, të cilin ngaqë s`e durova dot, e godita m`u në mes të kampit, para të gjithë të burgosurve. Ndofta njëzet policë m`u vërsulën. Çfarë s`më punuan. Më lanë pastaj të vdisja. Vetëm kur e panë se nuk isha nga ata që vdesin kollaj, më çuan në spital në Tiranë, ku ndenja njëzet ditë, një për çdo polic dhe përsëri në Burrel.

Deri më 30 Prill 1990, kur u liruan të gjithë të burgosurit politikë. Dola bashkë me Gjergj Titanin që siç të thashë në fillim, për të po, ia vlen të shkruash, jo për mua. Veç hyra njëzetenjë vjeç e po dilja nga burgu dyzetetetë vjeç. Ç`më kishte mbetur? Unë isha si gjithë të tjerët. Po tani mjaft, se u bëra llafazan. U lodha edhe ju.

– Aspak Adem Allçi. – i thashë unë – Të dëgjova me shumë interes dhe për gjithë sa më tregove, ma shtove më shumë respektin dhe nderimin për ty, për vuajtjet e tua, për të ritë e tu që s`e gëzove një ditë, për guximin e qëndresën tënde heroike, për aktin e shpërthimit të burgut simbol tmerri, duke u shndërruar vetë në simbol rezistence e trimërie.

Ademi porositi sërish një gotë raki dhe qeshi në mënyrë të papërcaktuar. Fytyra e tij më shumë se deri tani, i ngjante së tepërmi me atë të heronjve homerikë, të cilët sapo kanë dalë fitimtarë dhe janë të gatshëm të nisin një betejë të re. E çara në mes të vetullave, sikur i bije tani më shumë në sy. Shikimi i tij nuk përqendrohet dot.

Mjekra pak e dalë sikur i zgjatet më shumë. Ai qëndron para meje madhështor. Ashtu siç qëndron vetëm ai që ka fituar shumë beteja, jo me ushtri, pra me armët e të tjerëve, me gjakun lumë të të tjerëve, por fare thjeshtë; me krahët e tij, me guximin e burrërinë e tij, me durimin e tij, e mbi të gjitha, me urrejtjen e tij.

Për një çast, fytyra e atij burri mori një pamje më të butë. Qeshi ndryshe. Qeshi siç qesh një fëmijë i padjallëzuar dhe e mbylli këtë bisedë:

– Të faleminderit o mik, që po mundohesh duke shkruar për mua. Më fal se fola shumë. Por nuk rri dot pa të treguar edhe një sekret; dije mirë… nuk t`i kam thënë të gjitha…! /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb