Kukësi është një nga ekipet surprizë të këtij sezoni, një skuadër e formuar totalisht nga e para por që luan një futboll të bukur dhe mbi të gjitha ofensiv. Me 7 pikë në 2 javët e para, verilindorët i kanë bërë një nisje të mirë sezonit por kurrsesi nuk dëshirojnë të ndalen këtu.

Arkitekti i këtij ekipi është një ish i famshëm, një ish “bomber” si Pero Pejiç. Sulmuesi korat është rikthyer në ish klubin e tij, këtë herë në rolin e drejtorit sportiv me një synim të qartë, të rikthej Kukësin tek titulli kampion. Në një rrëfim ekskluziv për emisionin “Sport News” në News24 dhënë moderatores Enxhi Biba, Pejiç foli për këtë projekt, punën e bërë nga ai dhe trajneri Longo.

“Unë e lashë futbollin para 3 vitesh, tani kam detyrë të re, deri tani jam i kënaqur me Diego Longon dhe me golat, në këto 3 ndeshje kemi shënuar 8 gola, nuk janë pak.

Për mua është e rëndësishme të fitojmë kampionatin. Më ndihmoi shumë Kukësi dhe presidenti Gjici. Për mua është e rëndësishme skuadra, do të provojmë të marrim titullin. Ti fitojmë ndeshjet një nga një dhe të provojmë të marrim kampionatin.

Trajneri Diego Longo nuk luan si italian, Kukësi luan një futboll shumë të mirë, loja fillon nga portieri, nuk ka top të gjatë si më përpara. E përgatisim çdo ndeshje shumë mirë. Nuk është njësoj të luash kundër Partizanin dhe kundër Kastriotit. Kam shumë besim te trajneri dhe çunat. Shumica janë të rinj, 23-24 vjeç. Është grup shumë i mirë.

Sezonet e fundit kanë munguar bomberat e mirë, sepse kampionati nuk është i lehtë, është shumë agresiv, me shumë luftë, është e vështirë të gjesh një supersulmues dhe ai kushton shumë. Do punë.

Kukësi nuk luan mbrapa. Ne kemi vizion për çdo ndeshje. Nuk ka rëndësi kë kemi kundërshtar. Luajmë gjithmonë njësoj, deri tani jemi ok”, u shpreh fillimisht Pejiç.

Kukësi si kampion? Kampionati shqiptar është i fortë sepse ka 10 ekipe dhe nga këto 5-6 janë shumë të mira, Dinamo, Kukësi, Vllaznia, Teuta të gjitha janë shumë të mira. Këtë e tregoj dhe viti i kaluar ku luftuan katër ekipe deri në fund për titullin. Duhet ta harrojmë vitin e kaluar, pasi e kemi nisur shumë mire dhe jemi shumë të forte.

Kushtet për titullin kampion? Po jemi gati, kemi marrë 7 pikë në 3 ndeshje. Në ndeshjen e fundit i humbëm pikët kot. Jemi ekip serioz, kam shumë besim te trajneri Longo, punon çdo ditë, jo një orë e gjysmë.

Puna si drejtor teknik? Kur je lojtar është shumë e lehtë sepse vjen punon gjysmë ore dhe ikën. Ndërsa si drejtor teknik vjen në stërvitje duhet të ikësh në klub të bësh disa punë, është më e lehtë si lojtarë.

Pretendentët? Vllaznia e ka treguar që bën futboll shumë të mire, Dinamo duhet të shikohet sepse ka ardhur nga Kategoria e Parë. Partizani më ka surprizuar pak, sot ka dhe derbin, në qoftë se nuk fiton ka presion. Dinamo, Tirana, Kukësi, Vllaznia kanë qenë gjithmonë në garë, në 12 javët e para do të shohim kush e ka seriozisht. Do të shohim në 10-15 ndeshjet sepse kemi disa probleme, dhe do të presim deri në janar të fillojë merkato, por jemi të kënaqur deri tani.

Ndeshja me Teutën? Unë reflektoj shumë që Teuta është ekip i fortë, ne i respektojmë të gjithë kundërshtarët por futbollit luhet njësoj.

Sherif Tiraspol-Kukësi? Ishte në vitin 2017, fituam 2-1 por nuk kaluam turin. Humba penallti dhe pas ndeshjes isha shumë i mërzitur, por ky është futbolli. E pash që mundi Realin, sot të gjitha ekipet luajnë futboll, janë të përgatitura fizikisht.

Për mendimin tim, këtu është një problem që shumica e klubeve nuk shikojnë në mënyrë afatgjatë, por shikojnë për vitin në vit. Kur erdha në 2007 nuk ishte si sot, që nga fusha te tifozët. Sot është shumë më mire ke stadium të reja, dhe Shqipëria në nivelin e futbollit ka bërë përpara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: