*Presidenti më tha “Mos lejo që të të përdorin për politikë. Shqipëria ka politikanë, ata nuk lërojnë arat”

*Koha që punova me Berishën ishte një përvojë e çmuar

*Kam pasur mbështetje morale nga Basha

*Ndjehem i mrekulluar nga mbështetja që po më bën Kryeministri

*Ky ndoshta është misioni im i fundit dhe nuk e prisja prej Presidentit tonë

*Unë bart bektashianin, bart katolikun, ortodoksin, por dhe myslimanin

Shkrimtari i njohur, Visar Zhiti, kandidat për ambasador në Vatikan, rrëfen për herë të parë ndjesitë e tij pas debatit për dekretimin e tij nga presidenti i Republikës. Pas takimit me presidentin Nishani dje në mesditë, Zhiti shprehet se refuzimi i tij nga kreu i shtetit lidhet vetëm me propozimin për ambasador në Vatikan, ndërsa është i gatshëm ta dekretojë për ambasador në çdo vend tjetër, kudo që të propozohet nga kryeministri Rama. Ai tregon për dhimbjen pas humbjes së djalit të vetëm Atjonin, por dhe takimet me Ramën, Berishën dhe Bashën.

Takimi juaj me Presidentin e Republikës ishte një mundësi për t’ia thënë njëri­-tjetrit të vërtetat në sy?

Jo, ishte një takim miqësor që zgjati rreth një orë, por Presidenti natyrisht bëri edhe punën e tij. Më tha shqetësimet që kishte ai vetë në kryerjen e detyrës së tij, konfliktet që ka me institucionet e tjera, vështirësitë që i kanë krijuar, që mesa shoh krijojnë një lloj kompleksi tek ai dhe në punën e tij.

Arriti zoti Nishani të ndante marrëdhënien tuaj personale me atë të detyrës si Presidenti dhe marrëdhëniet e tij me institucionet e tjera të vendit?

Në gjysmën e dytë të bisedës më tha jo ato që ka thënë në shtyp, në intervistat e tij. Shfaqi respekt për mua, madje më kujtoi se më ka dekoruar, por nuk mund të më dekretonte si ambasador në Vatikan, sipas propozimit të Kryeministrit, sepse sipas tij është bërë normë shkelja e procedurës. Meqenëse është bërë normë, ai ka vendosur ta shkelë këtë normë me mua, pra që të vendosë rregullin e pavendosur deri më sot. Institucioni ku unë punoj, Ministria e Jashtme, jam diplomat karriere dhe kam gradën “këshilltar”, këmbëngul dhe sipas leximit që i bën ajo Kushtetutës, jam brenda rregullit për t’u propozuar te Presidenti dhe është e drejta e tij të më dekretojë ose jo, duke shpjeguar ose mos shpjeguar. Pra sipas tyre, propozon Kryeministri, përgatit dosjen Ministria e Jashtme që e dërgon në Parlament në Komisionin. e Jashtëm dhe pasi merr miratimin aty, i çohet Presidentit për dekretim. Në këtë rast, Presidenti nuk ka rolin e noterit, siç shpesh e thotë edhe ai vetë, por ka rolin e përligjësit të asaj që propozohet. Pra ai i jep fuqi ligjore propozimit.

Nuk duhet të jetë Presidenti pjesë e diskutimit dhe konsultimit?

Kjo e ka brenda diskutimin, sepse ajo diskutohet diku. Diskutimi duhet me gojë apo me shkresë? Nëse diskutimi bëhet me gojë, ajo lë shumë hapësirë për “pazare”, ndërsa me rrugë zyrtare, shkresore dhe ti zyrtarisht përgjigjesh me shkrim po ose jo. Pra Presidenti ka autoritetin e plotë që të shprehet dhe nuk lihet asnjë mundësi kompromisesh të dëmshme.

Si e përjetuat këtë histori debati që krijoi kandidatura juaj dhe refuzimi i Presidentit?

Ka dy aspekte: së pari, i shpreh mirënjohjen Kryeministrit Rama në një kohë shumë të rëndë për mua, shumë të vështirë.

Mos e ka menduar Kryeministri që pas tragjedisë që ju ndodhi me djalin, Vatikani do të ishte vendi më i përshtatshëm edhe për të gjetur një lloj paqeje?

Premtimi i tij për t’u rikthyer në Ministrinë e Jashtme ka qenë i mëhershëm. Siç duket, punët e shumta, priti edhe një radhë së pari për të vendosur me ata që bashkëpunoi dhe bashkëluftoi për të marrë pushtetin dhe së dyti ndoshta “i erdhi radha” edhe atyre që ishin kundërshtarë. Unë e veçoj këtë si emancipim të Shqipërisë dhe të vetë Kryeministrit, i cili guxon të punojë edhe me ata që i kishte të qeverisë tjetër që ai zëvendësoi. E cilësoj si një akt europian.

Kur ka ardhur fillimisht propozimi që ju të riktheheshit në shërbimin diplomatik?

Pasi unë i dorëzova detyrën koleges që më zëvendësoi, zonjës Kumbaro, kam kënaqësinë të them se ministrinë e dorëzova më mirë nga ç’e gjeta dhe kjo është detyra e një ministri. Pa kaluar 2­3 muaj, kam komunikuar me ministrin Bushati, i cili më tha se do të përpiqej që unë të rikthehesha në detyrë. Po kështu, kam pasur rast të takoj dhe Kryeministrin, i cili më tha që do të kthehem në institucionin e MPJ për të kontribuar. Siç ju thashë, konfliktet e shumta, herë tokësore dhe herë nëntokë­sore, e bënë që ky rikthim i imi të zgjatej. Më pas Kryeministri gjeti momentin që të më thotë se kishte menduar, edhe prej përvojës e lidhjeve që kam me Italinë dhe punët që kam bërë me Vatikanin, apo dhe puna në Ambasadën në Romë, kishin krijuar një përvojë për mua që të merrja këtë detyrë.

Ju e pranuat menjëherë propozimin e Kryeministrit Rama?

E pranova propozimin dhe si një ngushëllim dhe njëkohësisht si një detyrë që duhet ta vazhdoja në shërbimin diplomatik.

Propozimi ka ardhur pas tragjedisë së djalit tuaj, Atjonit?

Propozimi konkret për Vatikanin ka ardhur ato ditë. Keni marrë propozime që ju të mos shkonit si ambasador në Vatikan, por në Paris, Romë apo dhe Budapest? Presidenti i ka propozuar ambasadat e tjera për të shmangur Vatikanin. E ka thënë që Visari mund të shkojë kudo, por jo në Vatikan, sepse nuk e di dhe arsyet që jep janë të ndryshme dhe arsyet që ka dhënë nuk kanë qenë asnjëherë të njëjtat. Në fillim u justifikua me procedurën, pastaj ishte mospëlqimi nga një union kishtar.

Rasti juaj ngriti një reagim të madh publik, madje dhe mediat ju mbështetën në mënyrë plebishitare. Si u ndjetë në këtë valë mbështetëse?

Për mua, me gjithë vështirësitë që kam tani, ka qenë mahnitëse mbështetja e madhe, nga profesorë, diplomatë në Shqipëri, por dhe nga Italia, nga Kosova, nga SHBA, shoqata “Vatra”, “Dielli”, “Iliria”, nga arbëreshë dhe nga italianë, por dhe nga njerëz të panjohur. Kjo ka qenë magjepsëse dhe unë shpreh mirënjohjen ndaj tyre. Kam ndjerë brenda vetes një kushtrim ngashërues që u duhet shërbyer këtyre njerëzve me thjeshtësi dhe modesti. Patët një mbështetje dhe nga shkrimtari i njohur Dritëro Agolli…

E lexova shkrimin e tij në gazetën “Panorama” dhe ishte shumë emocionuese fjala e Dritëroit. Madje arrita të bisedoj në telefon me të, e çmoj shumë Dritëroin dhe herë pas here më është gjendur afër. Unë kam dhe një letër prej tij, para se të arrestohesha, kur isha student, kur vuaja për të botuar dhe nënç mohesha dhe nënçmimi i atëhershëm ishte rrezik, gjë që më çoi dhe në burg. Letra e Dritëroit më jepte kurajë dhe fati e solli ishte që unë ta gjeja atë letër në arkivat e fshehura të miat, jo më shumë se para një viti. Kryeministri Rama e cilësoi si ridënim mosdekretimin tuaj nga ana e Presidentit të Republikës. Ia shprehët Presidentit këtë ridënim?

Unë nuk ia shpreha Presidentit këtë, u mundova të isha shumë i kujdesshëm me të, por Kryeministri Rama për mua ka shumë të drejtë. Ky është një ridënim në kushtet e tanishme. Nëse unë pranova të bëj ministrin në qeverinë Berisha, e konsiderova si një nder dhe si një lartësi e një njeriu të persekutuar që vjen nga nëntoka. Ndoshta mua nuk më duhej dhe aq, por i duhej kuptimit apo nocionit, apo asaj që unë përfaqësoja. Unë pyeta bashkëvuajtësit e mi dhe ata më thanë merre këtë post edhe duke e ditur se ishte shumë i shkurtër. Fakti që më jepej mua, ndjehej që kjo qeveri po i afrohej bregut, por miqtë më këshilluan që ta marr sepse shpeshherë disa gjëra janë si alpinisti, që vuajnë në tufan, në kohëra të vështira, kacavirren duke pasur rrezik vdekjen vetëm për të ndenjur disa sekonda në majën më të lartë. Ata nuk shkojnë atje për të ngritur shtëpi, por për të thënë që ne e arritëm atë majë. Miqtë e mi të persekutuar më thanë shko për t’i thënë vetes sonë se edhe ne mund të bëhemi ministra.

Politika dhe qeveria kishte më shumë nevojë elektorale për ju?

Unë gjithsesi e vlerësoj. Koha që punova me Berishën ishte një përvojë e çmuar. Berisha ishte jashtëzakonisht komunikues me mua dhe unë për këtë e vlerësoj.

Gjatë këtyre ditëve që ju diskutoheni për ambasador, jeni takuar me zotin Berisha?

Mund të them se jemi takuar, është bërë dhe kjo bisedë. Cili ka qenë qëndrimi i tij? Berisha ka mendim të mirë, gjersa më zgjodhi për të qenë ministër i tij.

Nuk mund të ndikonte te Presidenti i propozuar prej tij?

Këtë ai e konsideron si punë që i takon Presidentit. Ndoshta në ndonjë rast mund t’ia shprehë dhe t’i thotë mendimin e tij si bashkëpunëtor dhe bashkëluftëtar të një llogoreje, pavarësisht se Presidentit tani i takon të thotë se jam i të gjithëve.

Me zotin Basha, keni komunikuar këto ditë?

Natyrisht kam komunikime të mira, kemi qenë bashkë dhe në fushatë. Unë përgjithësisht nuk u jam shmangur detyrave në këto 24 vjet kur Shqipëria rreket të jetë demokratike. Nuk i jam shmangur asnjë detyre dhe jam me parimin që është më mirë të të kërkojnë, sesa të kërkosh.

Keni pasur një mbështetje nga zoti Basha gjatë këtyre ditëve që debatohet publikisht për emrin tuaj?

Kam pasur mbështetje morale dhe e konsideronte si gjetje të mirë dërgimin tim si ambasador në Vatikan. Këtë mbështetje nuk e kam marrë vetëm nga zoti Basha, por dhe nga deputetë të PD­-së, zonja Topalli, një mbështetje e pakufi, po kështu dhe Aldo Bumçi dhe Kastriot Islami. Por, kaq në unison ishin dhe deputetët e shumicës, që nga zonja Arta Dade, Valentina Leskaj, Ben Blushi, i cili ishte me shumë lëndë në atë që tha, sepse kërkoi të mbrohej laiciteti i shtetit shqiptar.

Ju nuk ju ka munguar mbështetja e të djathtës, pse Presidenti mbajti një qëndrim të pandryshuar deri në fund?

Kjo është pyetja që unë bëj dhe nuk marr përgjigje. Nuk e kam kuptuar këtë qëndrim të Presidentit të Republikës.

A ju bindën arsyet që ju parashtroi?

Jo, nuk tha asnjë arsye nga këto që i kishte thënë gabimisht në TV. Më tha se nuk po i respektohet procedura dhe se do të këmbëngulë që kjo procedurë të respektohet. Nëse më vjen nesër, më tha, një propozim tjetër për ty, do ta firmos menjëherë”. Po pse jo atë që ka ardhur dje?! Sepse është shkelur procedura më tha. Po ndoshta procedura mund të shkelet dhe nesër!!! Nuk e di, domethënë u largova i dëshpëruar prej tij.

Ju kërkoi Presidenti që të takoheshit, apo kërkuat ju që të sqaronit pozicionet?

Për të qenë i sinqertë, unë jam takuar me të gjithë presidentët shqiptarë kur kanë marrë detyrën, që nga Berisha. Herë ka qenë puna dhe herë ka qenë dëshira për t’i uruar si qytetar për detyrën e tyre. Jam pritur nga zoti Rexhep Meidani. Kam pasur rastin të jem me Ibrahim Kodrën me Presidentin Moisiu. Po kështu jam pritur nga Presidenti Bamir Topi.

Pra takimi ishte kërkuar nga ju?

Jo, jo, takimin me Presidentin Nishani e kisha kërkuar shumë kohë më përpara. Menjëherë pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re, unë mbeta pa punë dhe pa të ardhura. Unë, duke qenë ministër, ndoshta do kishte një mundësi sugjerimi apo punësimi nga Presidenti, gjë që ai e bëri me shumë të tjerë pas meje, të cilët sapo ktheheshin nga shërbimi diplomatik, pothuajse merrni rrugën për në Presidencë, pa vajtur më parë në shtëpinë e tyre, fillonin punë në Presidencë. U bënë 3-­4 raste të tilla, ndërsa takimin që unë kisha kërkuar, Presidenti e shtynte vazhdimisht. Ishim takuar në aktivitete, më kishte thënë që do takohemi, dhe së fundi u thirra nga këshilltarët e tij për takimin e së hënës. U thashë këshilltarëve të tij se nëse takimi do të bëhet për të thënë ato që ai ka thënë në shtyp, ky takim është i panevojshëm. Më thanë se takimi është i nevojshëm. Unë shkova. U thirra prej tij për të më thënë më butë, më pak atë që padrejtësisht kishte thënë në shtyp ndaj meje. Them padrejtësisht, sepse u tha që unë e kisha cilësuar kishën inkuizicion ndaj meje. Unë nuk kisha thënë kështu. Unë iu përgjigja letrës së një prifti, George Frendo, duke thënë se një letër e tillë është një letër prej inkuizicioni. Iu përgjigja atij dhe ai pati zotësinë që të kërkojë falje dhe natyrisht unë e fal.

U sqaruat me Presidentin për këtë?

Presidenti tha se nuk është poet i rrallë për mua, duke iu përgjigjur asaj që shkroi Edi Rama. Zoti Rama nuk e tha në kuptimin që unë jam poet i rrallë se kam qenë në burg. Në burg pati shumë miq të mi, bashkëvuajtës që kanë shkruar poezi. Termin “i rrallë” unë e kam dëgjuar dhe nga Ismail Kadare, kur më ka thënë se aktakuza jote është ndër më të rrallat në Europën Lindore, sepse ndër të paktët që je dënuar vetëm për poezi, sepse të tjerët janë dënuar edhe për poezi, por kanë pasur dhe akuza të tjera si arratisje, sabotimi etj.

Presidenti e atakoi këtë cilësim, si “poet i rrallë”?

Nuk e kuptoi ndoshta, ose nuk e kuptuan ata që ia sugjeruan. Ajo që më bëri përshtypje ishte një thënie që më tha Presidenti: “Mos lejo që të të përdorin për politikë. Shqipëria ka politikanë, ata nuk lërojnë arat”. Më duket se ka mbetur nga koha e Enver Hoxhës kur thuhej: “I di Partia këto, populli të mos merret me politikë”. Politika është veprimtari shoqërore dhe arti i së mundurës. Presidenti nuk duhet të ketë frikë nga politika dhe ta bëjë atë art të së mundurës, jo duke më shmangur, por duke më bërë bashkëpunëtor.

Ju jeni goditur rëndë një herë me tragjedinë e djalit dhe tani një goditje që ju e cilësoni të pakuptueshme. Si ndjeheni?

Janë të pakrahasueshme. Kuptohet që i rëndë ishte burgu, shumë i rëndë. Më la pa rini. Ky ndoshta është misioni im i fundit sepse dhe mosha bën të vetën, mund të jetë detyra ime e fundit dhe nuk e prisja prej Presidentit tonë, jo vetëm si President i shqiptarëve, por dhe i atij grupi ku ne ishim së bashku. Nuk e prisja, ashtu siç nuk kam zor ta them se ndjehem i mrekulluar nga mbështetja që po më bën Kryeministri. Siç duket, zoti Rama ka hequr nga trupi mantelin e politikanit dhe ka dalë artisti, ka dalë njeriu. Është fat kur këto janë së bashku në një njeri dhe gjejnë rastin që herë të përdoret njëra më shumë dhe herë tjetra.

Për ju nuk kanë munguar vlerësimet nga Presidenti Nishani?

Sigurisht dhe kjo më ka çuditur. Unë jam dekoruar nga Presidenti Nishani “Mjeshtër i Madh”, titull i marrë para dy vjetësh me rastin e 100­vjetorit. Mendoj se është i tepërt ky dekorim, sepse ose ma ka dhënë gabim, ose e kam marrë gabim. Edhe kjo dekoratë e ka një arsye. Miku im, i ndjeri Amik Kasoruho, e propozoi dekoratën dhe më tha që do të të propozoj me rastin e 100­ vjetorit. Unë nuk e pranova. Ai bashkë me Shvarcin këmbënguli dhe më thanë ti bëj ç’të duash, ne do ta propozojmë. Më mallëngjeu gjesti i dy miqve dhe në emër të tyre nuk thashë dot jo. Unë i kam qenë mirënjohës Presidentit për këtë dekoratë, por kështu siç rrodhën ngjarjet e fundit, Presidenti i Republikës e ka bërë gati të pakuptimtë këtë dekoratë. Unë nuk paskam qenë aq mjeshtër sa të shkoj të ushtroj mjeshtërinë time si ambasador.

Ku po jetoni tani?

Unë jetoj këtu në plazhin e Durrësit dhe jam strukur në jetën time, sepse rri pranë dallgëve, sepse e kam më të lehtë t’ua qaj hallin atyre dhe ato shpeshherë prapësohen prej dhimbjes sime në errësirë. Por unë jam një ish- ­i burgosur politik, jam deputet, jam ministër, jam shkrimtar, i përkthyer në disa gjuhë, jam anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, i kam marrë të gjitha çmimet kombëtare dhe disa çmime mbarëkombëtare dhe 7­8 çmime të marra në Itali. Jam përkthyesi i lutjeve të Nënën Terezës në shqip, i poezive të Papa Vojtilës. Kam nxjerrë së fundmi librin “Lajmëtarët e Europës”, ku kam portretet e disa klerikëve të pushkatuar. Shqipëria është vendi që ka pushkatuar shumë më tepër se gjithkush njerëz të artit dhe poezisë. Unë kam pasur fatin të njoh shumë prej klerikëve në burg, me Zef Simonin me Kolecin, kemi bërë festat fetare fshehurazi në burg dhe është e drejta dhe e fshehta ime që edhe mund të jem kunguar. Duke thënë një gjë të tillë, nuk do të thotë se unë nuk i dua myslimanët apo bektashinjtë, sepse origjina ime familjare është bektashiane. Unë bart bektashianin, bart katolikun, ortodoksin, por dhe myslimanin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: