PARIS – Studentja holandeze Lieke, studion në Paris që prej shtatorit të vitit 2014 dhe jeton në Rue de Charonne, pranë teatrit “Bataclan”, ku ndodhi një nga sulmet më të përgjakshme të premten e 13 nëntorit.

Vajza ka rrëfyer për “Thë Guardian” se ajo bashkë me shoqet e saj, fillimisht kishin dëgjuar thirrje për ndihmë dhe kishin menduar se në teatër kishte rënë zjarr. Më pas policia u kishte kërkuar çarçafë e batanije për të mbuluar viktimat.

“Ne ishim në banesë duke u përgatitur për të dalë dhe kemi dëgjuar policinë jashtë.
Kur dolëm jashtë pamë policët që hynin dhe dilnin nga teatri. Menduam se ishte një zjarr i vogël, por pastaj kemi dëgjuar gra që bërtisnin e më pas një grua që vraponte jashtë për ta përqafuar një njeri. Policia filloi të bërtiste duke kërkuar çarçafë dhe ne u sollëm disa.
Ne menduam se ata po kërkonin çarçafë për ta shuar zjarrin, por më pas kuptuam se ato iu nevojiteshin për të mbuluar trupat e vdekur”- tregoi vajza.

Studentja rrëfen se ka qenë dëshmitare edhe në sulmet me bomba në Bangkok, ndërsa thotë se po mendon të largohet nga Parisi, pasi nuk ndihet e qetë.

“Këtë mëngjes është shumë qetë. Nuk ka asnjë veturë jashtë. Të gjitha rrugët janë të mbyllura përveç Charonne, por edhe për atje policia duhet t’ju shoqërojë. Ju duhet tu tregoni atyre dokumentet për ta dëshmuar se jetoni këtu. Ky sulm terrorist më detyron të largohem. Kur ndodhi Charlie Hebdo në fillim të këtij viti unë isha në shkollë në qendër të Parisit. Unë gjithashtu isha dëshmitare në Bangkok në gusht kur ndodhën sulmet me bomba. Nga këto ngjarje unë nuk ndihem e qetë të dalë jashtë.”- shprehet vajza.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: