TIRANË

Tragjeditë nuk kanë të mbaruar në Shqipëri. Thumana është një prej zonave më të goditura nga tërmeti dhe ende ka persona nën rrënoja. Xhelal Cakoni është një banor i Thumanës që ka humbur 7 persona të afërm, disa prej tyre ende nën rrënoja.

Në një prononcim për gazetarin Enver Doçi, Xhelal Cakoni tha se është një tragjedi e madhe dhe nuk e dinë kur do përfundojë. Ai ka rrëfyer se të afërmit e tij e dinin që pallati ishte i pabanueshëm por nuk kishin ku të shkonin.

“Kam humbur 7 persona. Jam anëtar i familjes Cakoni. Më ka humbur djali i xhaxhait me gjithë nusen dhe me gjithë vajzën. Më ka humbur dhe vajza e xhaxhait me dy çuna, të fejuarën e njërit dhe vajzën. Këtu është bërë një tragjedi aq e madhe sa ka ardhur gjithë bota dhe nuk kanë çfarë të bëjnë. Janë shembur mbi 4-5 pallate, janë rrafshuar krejt. As vetë nuk e dimë se kur do përfundojmë. Kemi akoma njerëz nën rrënoja, disa i kemi në morg në Durrës, disa në Tiranë, disa në Lezhë. Fundi nuk i dihet kur do dalë.
Kanë pasur dëme iu kishte ardhur urdhri mos të hynin brenda. Në tërmetin e parë kanë dalë jashtë, pastaj kanë hyrë prapë brenda dhe i ka zënë tërmeti i dytë.
E kanë dhënë urdhrin se ky është i pabanueshëm por nuk kishin ku të shkonin, prej hallit. Të gjithë kanë ardhur shumë shpjet, fshati i ka nxjerrë të parët.
Pjesa më e madhe janë nga Burreli, ka edhe nga vendi. Ka akoma brenda. Kemi babain që pret fëmijën e vogël që e ka nën rrënojë, do jetë 6 vjeç.
Ka njerëz nën rrënoja. Mund të jenë mbi 5 veta. Disa i nxorën”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb