DIVJAKE-Vajza e madhe e mësuesit të arrestuar për përdhunim thotë se nuk ia fal kurrën e kurrës këtë veprim të atit. Ne nje interviste per Gazeten Panorama, Ana, e cila është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, është kthyer në vendlindje për t’i qëndruar pranë të ëmës dhe vëllezërve pas prangosjes së babait, Demir Hoxha. Por, edhe pse ka dëgjuar për akuzën e ngritur nga Policia, 30¬vjeçarja dyshon te ndonjë “trill” për shkak të punës si mësues.

Si jeni ndier kur morët vesh për arrestimin e babait tuaj?
Jam e traumatizuar, e trishtuar dhe shumë e mërzitur nga gjithë kjo histori. Askush nuk do të donte të ndodhej në këto pozicione dhe në situata të tilla të turpshme dhe të rënda. Unë jam e bija e Demirit dhe gati sa s’më ra tavani mbi kokë kur mora vesh arrestimin e tij. Akoma më e rëndë ka qenë kur kam marrë vesh motivin e arrestimit. Kam besuar dhe shpresuar se ka qenë një keqkuptim, se ka qenë një ngatërresë dhe gjithçka do të sqarohej shpejt dhe babai do të dilte. Ai ka punuar një jetë të tërë në arsim dhe ka qenë gjithmonë njeri i respektuar. Të arrijë deri këtu?! Nuk di ç’të them për të vërtetën e kësaj ngjarjeje dhe akoma nuk e besoj dot, nuk mundem. Jo pse është babai im, por është e vështirë për ta menduar.
Keni bërë një analizë, një vlerësim se deri ku mund të shkojë e vërteta e gjithë kësaj historie?
Nëse është e vërtetë, unë nuk do t’ia falja kurrën e kurrës dhe e dënoj ashpër një gjest të tillë, një veprim të tillë përtej çdo parashikimi. Gjithmonë, nëse është e vërtetë, gjatë gjithë jetës do të kisha mbajtur qëndrim distancues dhe të ashpër, sepse jam nënë vetë, kam dy fëmijë dhe e kuptoj mirë se ç’do të thotë diçka e tillë. Por ama, e them me zë të lartë se, pavarësisht se mund të ketë të vërtetë në këtë histori, unë nuk e braktis kurrë babanë tim, nuk e mohoj kurrë dhe nuk do ta quaj kurrë të vdekur.
Pse e përmendni shpesh “nëse është e vërtetë”, kur burimet zyrtare shprehen se ai (Demiri) e ka pranuar?
Sepse dyshoj, sepse nuk besoj se e ka bërë. Dyshoj se ia kanë sajuar dhe asgjë nuk është e vërtetë. Kam një parandjenjë, por edhe besim, duke njohur babanë tim, tipin e tij. Unë nuk e besoj dhe do të kërkoj që ta dëgjoj me veshët e mi atë që kanë regjistruar dhe që ka thënë babai në bisedën me vajzën dhe vetëm kështu do të bindem nëse është thënë prej tij apo jo.
Kush mund t’ia ketë sajuar? Pse, për çfarë?
Këtë nuk mund ta them me siguri. Por mund t’ia kenë bërë edhe për ta largua nga puna a ku ta di unë. Është gjithë kjo histori e turpshme, e vështirë për ta besuar. Mua më vjen keq për vëllezërit e mi së pari, pastaj dhe për nënën time, sepse po kalojnë momente shumë të vështira dhe po përballojnë ngarkesë të madhe psikologjike. Edhe unë jo më pak, por edhe babai im. Nëse ia kanë sajuar diçka të tillë, unë do të thosha që të bëheshin burra dhe të dilnin ballas dhe të mos merreshin me intriga. Nëse nuk vepronte dot shteti ndaj këtyre intrigantëve, do të dinim vetë të nxirrnim të vërtetën dhe të vendosnim drejtësinë.
Ku e bazoni dyshimi tuaj?
Po, nëse flitet që nuk qenka rasti i parë, por ka pasur dhe një tjetër në janar të këtij viti, pse vajza nuk u ka thënë më parë prindërve të saj, por tani? Pastaj, nëse veprime të tilla kryheshin në shkollë, kaq i zoti paska qenë ky njeri sa nuk e paska pikasur njeri dhe u ka hedhur hi syve? Nuk paska ngjallur dyshime, qoftë dhe njëherë të vetme? Kur u bë i tillë, tani, në këtë moshë në prag pensioni? Të gjitha këto pyetje e duan një përgjigje, ndaj dhe unë e kam të vështirë ta besoj se është e vërtetë, duke pasur parasysh se cili ishte babai im, respektin që ai gëzonte në komunitet. Ja pse unë dyshoj se mund t’ia kenë sajuar gjithçka.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: