John Edward Alite është gangsteri më i famshëm shqiptar. Ai ka qenë krahu i djathtë e John Gotti, bosit të familjes së famshme të krimit Gambino. Në një intervistë për “Klan Kosovën”, Alite ka thënë se gjyshi i tij nga ana e babait ka lindur dhe është rritur në Gjirokastër, ndërsa nëna e tij është nga Tirana. Ai ka rrëfyer gjithashtu se në Shqipëri jeton vëllai i tij Andri, si dhe të afërmit e tjerë më të cilët mban kontakte.

“Unë kam qenë me fat, pasi jam rritur mes disa kulturash. Për nga gjaku jam shqiptar. Ia kam thënë këtë gjë edhe të dashurës time, qysh në fillim. E dua shumë atë. Bëj shaka se si ajo e flet rrjedhshëm gjuhën, ndërsa unë jo. I kam thënë se jam më shqiptar se ajo, sepse jam rritur në një shtëpi me gjyshërit në katin e poshtëm, xhaxhallarët në atë përdhes, prindërit në katin e mesëm, tjetrin xhaxha dhe hallë në atë sipër nesh dhe tezen matanë rrugës”, thotë Alite.

Teksa vijon rrëfimin e tij, Alite pohon se ndihet krenar që është shqiptar.

“Në atë kohë Shqipëria identifikohej me komunizmin dhe kishte shumë pak shqiptarë këndej pari. Kur njerëzit më pyesnin nga isha dhe unë u thosha “nga Shqipëria”, ata s’ia kishin idenë ku ishte ky vend. Më thoshin se isha pak a shumë italian, ndërsa unë ua përsërisja se jam shqiptar. Jam shqiptar dhe gjithmonë krenar për përkatësinë time. Nga ajo mënyrë jetese kam mësuar tradhtitë, gënjeshtrat dhe lëvizshmërinë italiane, ndërsa dija dhunën shqiptare. Ne jemi të dhunshëm. Fatkeqësisht edhe unë u bëra i tillë”, ka pohuar Alite.

Gangsteri shqiptar ka thënë se nuk e di saktë sa njerëz ka vrarë gjatë viteve të tij të kaluara në rrugë. Ai ka deklaruar se zyrtarisht është akuzuar për një numër të caktuar vrasjes, gjashtë sish, ndërsa jozyrtarisht ky numër ka lëvizur shumë. Sipas tij, as ai vend nuk e di me siguri, pasi kjo i ishte bërë natyrë e dytë, njofton Klan Kosova.

“Është vështirë ta di. Has në vështirësi vazhdimisht me këtë numër. Por ligjërisht jam akuzuar për gjashtë vrasje dhe besoj rreth 30 plagosje, 37 besoj se ishte numri për të cilin kam dëshmuar. Jam akuzuar se kam vrarë dhjetëra, pesëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë. Disa nga ata nuk kanë trupa, për ç’arsye nuk akuzohem, por këto janë aspekte ligjore. Kur avokatët e mi morën në duar çështjen dhe dolëm në gjyq, Gotti thoshte se kam vrarë pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë persona për të. Nuk i kam numëruar, sepse ishte pjesë e përditshmërisë sime”.

Alite është shprehur se nuk e ka parë veten si vrasës, por si biznesmen, pasi lidhjet me politikanë dhe zyrtarë të shtetit e kanë bërë të kuptoj se as ata nuk janë të ndryshëm nga gangsterët. Edhe biznesmenët e kanë parë aty si një prej tyre, pasi ata kanë dështuar që dimensionin tjetër, atë të njeriut “në të zeza” ta kenë të dallueshëm.

“Siç u thashë, është si kur bëhesh pjesë e ushtrisë, nuk mban llogari për këto gjëra. Nuk e kam parë në këtë mënyrë. E kam parë veten si biznesmen, dhe me kalimin e viteve, ndërsa forcoja lidhjet me politikanë dhe zyrtarë policor, kur dilja në drekë me drejtorin e policisë e shihja veten si ai, aspak të ndryshëm. Ose një detektiv që vriste me mua. E shihja veten jo më si kriminel të zakonshëm, por si biznesmen legjitim dhe bizneset e mia si të tilla. Isha i përfshirë edhe në komisionim(brokerage) dhe në Wall Street. Një kushëri imi ishte një nga pronarët e një kompanie të madhe aty. Në këto kushte luan në tjetër nivel. Nuk je më bandit rruge, edhe paratë i fiton në tjetër rrugë. Fiton miliona dhe marrëveshjet i ke me milionerë. Kështu fillova të thelloj lidhjet me njerëz shumë të pasur. Për ta isha biznesmen, sepse më shihnin në të tilla rroba. Shumica më shihnin si dikush që po fitonte para. Por nuk e shihnin anën tjetër timen, kur hiqja këto rroba dhe veshja diçka të zezë për të mos u parë, ndërsa në ndonjë vend të errët vrisja dikë. Ky është dimensioni që njerëzit nuk e shohin – ai që mbetet i ndryrë”.

Alite ka thënë se ndjen pendim për disa vrasje, varësisht prej ngjarjes.

“Kam takuar disa nga viktimat e mia, disa familjarë të tyre dhe flas me fëmijët, pasi nuk e kam ndërmend t’ua ndryshoj bindjet të rriturve”.

“Kam vrarë njerëz që kanë përdhunuar femra, për të cilën gjë nuk pendohem aspak. E kam thënë edhe gjatë gjyqit: nëse do të mund t’i ngjallja dhe t’i vrisja prapë, do ta bëja këtë gjë. Kur ia bën këtë gjë një gruaje, meriton të vritesh. Kështu besoj unë. E them shpesh që jetoj sipas rregullave të mia. Dhe sipas tyre, nëse ia bën këtë gjë një gruaje, duhet të vritesh. Nuk ka tjetër rrugë. Për të tillë njerëz nuk kam kurrfarë pendimi.Për të tjerët, natyrisht”.

Ai ka thënë se në këtë “lojë”, gjërat nuk ndryshojnë edhe nëse heq dorë.

Ish-gangsteri ka folur për tradhtinë e shefit dhe të rrethit të tij, për atë që e “shiti tek federalët” dhe vendimin që mori për të bashkëpunuar edhe ai me ta.

Ai ka thënë se “kur dikush më flet për familjen Gotti dhe besnikërinë, u them që nuk ekziston”.

Nisur nga kjo, Alite shprehet se të tjerët duhet të nxjerrin mësim nga njerëzit si ai.

“Mësimi që duhet nxjerrë nga njerëz si unë është: u duhet thënë fëmijëve që të mos bëhen të këtillë. Mund të jetë shumë vonë për mua, për njërin apo tjetrin, por jo për ata”.

Alite thotë në ditët e tij më të mira fitonte 5 milionë dollarë, në vlerë të sotme. Ai është shprehur se megjithatë nuk e di me siguri vlerën e të ardhurave që ka pasur, por se ajo ishte e lartë, pasi njerëz në rangje më të ulëta merrnin nga 10-50 mijë dollarë në muaj.

“Minimalisht kam bërë një milion dollarë në muaj. Por nga dëshmitarët kundër meje, njëri nga të cilët i afërt i familjes Gotti, por që punonte për mua, thoshte se me shumë gjasë kisha më shumë të hyra se kaq. Ai ishte në rangje të ulëta të organizatës dhe merrte prej 10 deri në 50 mijë dollarë në muaj. Është e vështirë ta them me siguri, pasi kam pasur rreth 300 njerëz që kanë punuar për mua, në mënyrë direkte dhe indirekte, ndoshta më shumë. Ka pasur burime të ndryshme, por besoj që në vlerën e sotme kam fituar 5 milionë dollarë në muaj”.

Ndërkaq, ai ka deklaruar se ka pasur shumë biznese që i sillnin të hyra të mëdha, përfshirë klube nate, biznes droge, fajdesh, parkingje të shumta e të tjera.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: