NGA FATMIRA NIKOLLI
Një mëngjes dhjetori të vitit 1998, një burrë i gjatë, i bëshëm, në të 70-at, troket në derën e Teatrit të Operës dhe kërkon drejtorin Vaso Tole. “Pashë një palë sy që qeshin”, kujton sot muzikologu, kur ka rëndë dakord të rrëfejë këtë takim të pothuaj 20 viteve më parë, në kujtim të 15-vjetorit të vdekjes së tij. Atë ditë, ndërsa bartte në vete brengat e kohës së humbur në 5 vite burg e të tjera internim, endej në korridoret e sallat të Teatrit të Operës, duke kënduar para një salle bosh dy vargje nga të parat që i vinin në mendje.

I lindur në 19 korrik të 1926-ës, ai do ta mbyllte jetën e tij të mundimshme më 7 shtator të 2001. Kish qenë një artist i madh, që në komunizëm provoi suksesin e harresën, provoi skenën dhe hamallëkun, pas dënimit për agjitacion propagandë. Ka qenë gjatë një turneu në shtetet “demokratike” të Europës komuniste, kur Lukë Kaçaj me një repertor me mbi 100 pjesë në 5 gjuhë ‘dekorohet’ si Shaljapini shqiptar në “Balshoj Teater” të Moskës dhe ka interpretue Don Bazilion nga “Berberi i Seviljes”.

Vaso Tole kujton në një intervistë për “GSH” takimin e bisedat me të, duke e nisur bisedën me vlerat e bas baritonit shqiptar, që pat një kontribut të madh në ndërtimin e operës shqiptare.

– 15 vite nga vdekja e tij, si mbahet mend Lukë Kaçaj?
Lukë kaçaj u përket atyre kontributeve që lidhen me ndërtimin e bazave profesioniste të shkollës shqiptare të pas viteve 1950, të cilët e justifikuan plotësisht me talentin e tyre ngritjen e bazave të muzikës sonë profesioniste dhe në mënyrë të veçantë të ndarjes sipas fushave: Çesk Zadeja në kompozicion, Rifat Teqja në dirigjim, Gjoni Athnas në kanto dhe Lukë Kaçaj si bas bariton.

Ai kishte shumë cilësi të rralla. Për periudhën që lidhet me kontributin e tij si artist, unë nuk kam dëshmi personale, por përmes të thënave nga kolegë të tij dhe nga njerëz të nderuar siç ishte për shembull, Çesku, i cili kishte bashkëpunuar me Lukën edhe gjatë përgatitjeve të muzikës së filmit të Skënderbeut. Dihet që Lukë Kaçaj aty është zëri i rapsodit të vjetër që takon Skënderbeun bashkë me një fëmijë.

Kuptohet që këndon ashtu nën zë, i impostuar si një plak i vjetër, por dallohet timbri dhe kapaciteti i tij. Zadeja më thoshte që megjithëse vinte pa një formim muzikor të mirëfilltë, ka bërë një progres me hapa galopantë dhe në pikëpamje të vlerave arriti të renditej e të bënte emër në të gjitha vendet e ish-demokracive socialiste, bëhet fjalë pra për nivele të jashtëzakonshme. Ai krahasohej me nivele të mëdha të artit, që u bënë fenomenalë në ish-Bashkimin Sovjetik.

– Si i mbeti emri “Shaljapini” shqiptar?
Shaljapini është niveli më i lartë i shkollës ruse të këndimit. Si duket, ngjashmëria e tij vokale me Shaljapinin dhe për më tepër, do të thosha se ishte timbri i zërit që e bënte të veçantë.
Duhet të kemi parasysh se këto janë të ndara, mund të këndosh, por varet se çfarë ngjyre zëri ke, e Luka, e kishte këtë zë shumë të veçantë.

Më pas kontributet e Lukës lidhen me krijimin e dhënë në ndërtimin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kam kujtimet e Albert Paparistos, që ka qenë drejtori i parë i TKOB, mbas krijimit. Në këtë pikë duhet sqaruar që njeriut i mbahet mend dita e lindjes, jo dita kur është shënuar në gjendjen civile.

Nga ky këndvështrim, shteti e pa të arsyeshme ta shpallte më 1956-ën krijimin e Operës, por si ardhje krijimtarie e si kontribut, ajo është e vitit 1953, që shënohet me operën “Rusalka”. Roli kryesor, i Rusalkës qe luajtur nga Jorgjie Truja dhe këtu një histori të këndshme. Truja ka dy vajza, njëra e ndoqi në art e kjo ishte Takuina. Takuina përveçse ishte e bija e Jorgjies, në jetë ka luajtur edhe rolin e vajzës së Rusalkës, me të ëmën në opera.

Ka me dhjetëra role të Lukës deri në momentin e fatkeq që u godit ‘për agjitacion e propagandë’. Mbase arsyeja e dënimit duhet parë fiks, por në rrethet artistike kjo qarkullon, e që erdhi si pasojë e qëndrimit që kishte mbajtur në situata të caktuara.

Mbase duhet parë dosja, por ajo që është fakt, është ndërprerja e dhunshme e karrierës artistike, internimi dhe fatkeqësitë familjare, ai nuk mundi dot të kishte një familje e trashëgimtarë. Në pikëpamje të vlerave, meqë karriera iu ndërpre në momentin e kulminacionit të tij më 1973. Zërat e bas baritonëve janë të destinuat në mosha të thella.

– Pasi kanë rolet e baballarëve?
Po, fiks. Është një detaj shumë i rëndësishëm, sepse një karrierë e ndërprerë diku në moshën 40-vjeçare, është një karrierë e prerë fiks në mes. E para, zëri është në kulminacionin e tij dhe e dyta, për shkaqe të specifikës që përmende, rolet e bas baritonëve janë role të moshës së mesme e lart e kjo do të thotë se ai nuk kufizohet si një tenor, ose si një soprano, që janë zëra të personazheve të rinj, çifte të dashuruara. Ndaj, tenorët dalin shpejt nga skena dhe sopranot po ashtu. Në këtë kuptim, kjo ishte vërtet një karrierë e ndërprerë në mes.

Në ato pak regjistrime muzikore që disponojmë, sepse ka regjistrime të tilla, absolutisht që ka një gjenialitet në të kënduar. Luka kishte një rremp (nismë e pozicion të kënduari) që te Luka dallohet Luka, ai nuk ngatërrohej me asnjë. Kishte një profilizim të roleve dhe megjithëse janë role të stërkënduara si Don Bazilio te “Berberi i Seviljes” Rosinit, gati-gati të formatuar nga të tjerët, kur dëgjon Lukën, dëgjon Lukën. Pra, kishte një sens shumë personal të interpretimit dhe e dyta, nuk kishte kufizime të regjistrit të tij muzikor, që të ndikonin në kualitetin e këndimit.

– Pra, nuk kishte kufizime te ndonjë prej roleve?
Jo, nuk kishte. Zëri i tij nuk e pengonte. Një tjetër aspekt për të cilin flasin bashkëkohësit, që i citoj se janë të besueshëm, ishte fakti që Luka kishte një anë tjetër pozitive: ishte aktor i mirë. Për shkak të një pamjeje fizike të mirë, që një artist duhet ta ketë, prej një diksioni shumë të qartë të shqipes dhe gjuhëve të tjera, Luka përveçse këndonte mirë, edhe aktronte mirë. Madje, ai ka aktruar edhe si aktor në film. Filmi i bazuar mbi romanin “Dasma” të Kadaresë, ku luan rolin e babait të nuses që martohet në aksion, ka një episod të shkëlqyer, ku portretizon një malësor shumë bukur. Duket sikur del nga historia.

– Ndërkohë, ju e keni takuar dhe biseduar me të nga afër, në fundin e vitit 1998. Si e mbani mend atë takim?
Agron Çobani do të bënte një film dokumentar për të dhe më kërkoi disa regjistrime dhe donte të dinte nëse teatri ishte i predispozuar për ta pritur. Sigurisht, isha i ushqyer me ndenja për të. Ka qenë fundi i 1998-ës, ose fillimi i 1999-ës. Ka qenë dimër, sepse e mbaj mend që Luka ka ardhur me pallto.

– Kjo ishte hera e parë që e takonit?
Po, hera e parë. Më kujtohet që më merr sekretarja në telefon dhe më thotë se ju kërkon Lukë Kaçaj. Unë nuk e dija që ishte këtu, e dija që ishte në Itali, sepse atë kohë shkonte e vinte nga Italia pas daljes nga burgu e ardhjes së demokracisë. Unë zbres me vrap te dera dhe shoh një burrë të madh. I them “a nuk ke turp që kërkon takim me drejtorin e Operës?!”. “Pse të kem turp”, – më thotë? “Sepse, ti duhet ta hapësh, duhet ta shtysh derën, jo t’i biesh asaj i thashë”. Aty kam parë një palë sy që qeshën dhe me zërin e tij shprehu dëshirën për të biseduar.

– Çfarë ju tha për veten?
Kemi biseduar gjatë, por disa janë biseda që mbetën aty.

– Çfarë thoshte për kohën e dënimit, për reagimin e miqve?
Priste më shumë. Ai tha se nuk ia merrte mendja që mund të përfundonte aq keq, në kuptimin që priste të kishte një lloj mbështetjeje nga artistët e nga miqtë kur u dënua. Kishte pezm për atë gjë.

– E ndjente ende, ndjehej vetëm?
Ai ndjehej i lënë vetëm. Kisha menduar tha që kisha krijuar një realitet, sepse i shërbeja artit e skenës. Nuk ma merrte mendja tha që do të më poziciononin, aq egër. E ndjeva nga kjo që ishte një lloj egoje, që mund të ketë ardhur e mund të ketë dëmtuar dikush. Luka shprehu dëshirën të vizitonte teatrin. Bëmë një vizitë në teatër, në çdo kolektiv artistik, shkuam në dhomat e provave, kemi vajtur te arkivi, se ai donte të dinte nëse janë ende te dosjet e shfaqjeve fotot dhe emri i tij, nëse ishin mbajtur dhe po, ishin mbajtur.

Mbas vizitës, dolëm e qëndruam në skenë. Ka ndenjur aty në skenë, ndezëm dy drita të vogla dhe ka improvizuar diçka, një nga ato që kishte në kokë. Ishte i kënaqur. Takimi tjetër ishte disa ditë më vonë, që erdhi bashkë me ekipet e xhirimit dhe ka kënduar diçka të vogël për filmin.

– Pra, hera e tij e fundit në Opera ishte në një sallë bosh?
Ishte një skenë bosh, ku ishte vetëm ai dhe ishte me një spektator, që isha unë. Si drejtues i teatrit të atyre viteve, më ra pesha mua t’u jepja një mbështetje artistëve tanë më të çmuar. Më lejoni të përmend për shembull që, veç “pritjes” modeste për Lukën, për t’i treguar respekt ndaj tij edhe si themelues i Operës, kemi bërë një aktivitet edhe për Tonin Guraziun, që është pianisti i parë shqiptar, i persekutuar e nga Gurazinjtë e Shkodrës dhe madje ka bërë koncert në Opera. Një koncert siç mund ta bënte ai, një burrë mbi të 80-at sa mund të luante ai në piano. Ka qenë kënaqësi e madhe, gjë që do doja ta bëja edhe për Lukën, nëse ai do kishte dëshirë, qoftë edhe si bashkëbisedim.

– Pse nuk donte?
Jo se nuk e donte, nuk ishte i qetë, nuk ishte i sistemuar, nuk gjeti një lloj trajtimi, as kushte materiale. Në atë moshë do që të ketë disa kushte që të mos ketë shqetësime të jetës së përditshme që të mund ta bëjë, si Guraziu apo Dhora Leka. Dhorës, e persekutuar dhe e internuar, i vumë premierë në skenë veprën e saj, që kishte në sirtar “Një vjeshtë me stuhi” me regji të Gaqo Çakos. Të njëjtën gjë bëmë për Kristaq Paspalin. Mbas viteve 1990 gjenin tek Opera edhe rininë e dikurshme, edhe famën, edhe suksesin, edhe brengën.

Edhe kontakti me Lukë Kaçajn ishte në këtë klimë, pjesë e kësaj aradhe që donin të aktivizoheshin ose të mbanin lidhjen me institucionin. Është fat për mua që kemi një dokumentar për të.

– A ka lënë letra Lukë Kaçaj dorëshkrime?
Ai nuk ka shkruar shumë, por ka pasur një korrespondencë me një dashamirës italian, një mik i Lin Delisë. Ai e mbështeste në nevojat materiale, sepse Luka nuk mund të punonte në atë moshë. Janë pak letra, në italisht.

LETRA
Fragment nga letra e fundit e Lukë Kaçajt e datës 11.01.1997 dërguar z. Armando Nicoletti në Itali
“Kanë kaluar tre vjet që jam kthyer në vendin tim. Ende deri më sot jam duke u endur si një nomad, për rreth katër qyteteve, ku banojnë miqtë e mi, sepse nuk më kanë dhënë ende shtëpinë time.

Nuk e di ende se kur do të ma japin, që më në fund dhe unë të gjej pak qetësi. Në këtë moshë pothuajse 72-vjeçare është shumë e vështirë të jetosh në këto kushte. Si pasojë kam qenë shumë i sëmurë dhe sinqerisht ju them se kam menduar që ka ardhur çasti i vdekjes sime.

Është kaq e vërtetë sa kam thërritur priftin të më japë sakrimentet e shenjta. Më vjen keq, sepse kam konstatuar që edhe në praninë e qeverisë së tanishme nuk pres asgjë të mirë, sepse është një regjim i gjithi neokomunist.

Kënaqësia ime më e madhe në këto tre vitet e fundit ka qenë inaugurimi i Kishës së Fretërve Françeskanë, ku kam filluar të këndoj që kur kam qenë fëmijë dhe që ka qenë transformuar nga komunistët në një kinema. Në koncertin e organizuar, për këtë rast, me datë 28 tetor, kam kënduar romancën e Fieskos nga opera Simone Boçanegra të Guseppe Verdit… Prej më se 35 vitesh jam duke pritur me ankth çastin e lehtësimit të dhimbjeve të mia. Nuk e di kurdo të jetë”.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: