Këngëtarja e njohur Valbona Mema ishte e ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola”, ku me anë të fotografive rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim për jetën e saj profesionale, por edhe për atë private.

Valbona rrëfeu se gjatë rrugëtimit të saj në jetë ka humbur shumë njerëz të zemrës së saj, por si sprovën më të madhe cilësoi humbjen e bashkëshortit dhe forcën që duhet të gjente për të vazhduar përpara për të rritur e vetme dy fëmijë, “Nuk mund të dorëzohesha në atë humnerë ku u vendosa. M’u shkëput gjysma e trupit tim. Mora një vendim që edhe karriera ishte shumë e rëndësishme, por edhe familja”.

Këngëtarja është nënë e lumtur e një vajze dhe një djali, “Dy fëmijët janë bekim për mua, janë gjithçka, janë jetë, janë këngë, janë çdo gjë që më mbushin shpirtin dhe më japin forcë për të ecur përpara”.

Teksa u shfaq një fotografi kur këngëtarja është nderuar me çmimin “Mjeshtre e Madhe”, këngëtarja tha se ia dedikon Sokolit, bashkëshortit të saj të ndjerë, “Bëri gjithçka për mua. Ishte mësuesi i jetës sime dhe i artit gjatë viteve që ishin bashkë”.

Si pikën kulminante të karrierës së saj, Valbona cilësoi albumin e saj të parë në vitin 2001, “Dalja e albumit tim të parë, ‘Dua ta them’. Me humbjen e Sokolit doja të thosha gjithçka, sepse ai ka dhënë shumë në atë album, më ka ndenjur shumë pranë dhe në momentet e fundit të jetës ka xhiruar videoklipet e fundit me mua. Edhe pse shpirti im nuk ishte i qetë, unë para atij buzëqeshja. Ai album mbart vlera, është traditë, një album që çdokush e mbante në familjen e tij”.

Shumë emocionues ishte momenti kur Valbona i dedikoi disa fjalë zemre bashkëshortit të saj të ndjerë. “Unë jetoj me të, jetoj me dashurinë e tij, me gjithçka më ka falur. Do doja ta takoja, më ka marrë malli”.

Një vend të rëndësishëm në jetën këngëtares zënë edhe kolegët e saj, “Miqtë janë shumë të rëndësishëm për mua. Njeriu nuk duhet të jetë vetëm”. Valbona u emocionua kur në program u shfaq një videomesazh nga këngëtari Sinan Hoxha, me të cilin ajo ka një lidhje shumë të ngushtë, aq sa fëmijët e saj e thërrasin dajë.

Këngëtarja zbuloi se shumë shpejt do të vijë pranë publikut me projekte të shumta muzikore, disa prej të cilëve do të jenë bashkëpunime.

Gjithë mbrëmja në “Dola te Ola” u shoqërua me muzikë të bukur, të interpretuar nga Valbona Mema dhe vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: