Dikur shënonte gola të shpejtë, si ai që ka hyrë në historinë e Kupës së Botës si më i shpejti, kur realizoi vetëm në 10.8 sekonda. Tani ecën shpejt vetëm me Uber-in e tij. Sepse jeta e Hakan Shukurit, një prej futbollistëve më të mëdhenj turq të të gjitha kohërave, një institucion i vërtetë për Kombëtaren e tij dhe që la shenjë në Serinë A dhe Premier League, ka marrë një kthesë të veçantë dhe për të mbajtur frymën gjallë shet libra dhe nget një Uber nëpër rrugët e Uashingtonit.

Si mund të vijë ky rrënim, mund të pyesni ju. Shpjegimi vjen direkt nga ish-futbollisti, sot 48-vjeç. “Nuk më ka mbetur më asgjë. Egodani ka marrë çdo gjë që ishte imja, të drejtën time për liri, të drejtën time për t’u shprehur dhe të drejtën time për të punuar”. Gjithçka nisi në vitin 2008, kur Shukur, asokohe 37-vjeçar, vendos të varë këpucët në gozhdë dhe futet në politikë. Por pasi u bashkua me partinë e Erdoganit dhe pasi u zgjodh deputet në vitin 2011, marrëdhënia me kreun turk ndryshoi totalisht. Shukuri ishte një nga mbështetësit e mëdhenj të Fetullah Gylen, lideri i lëvizjes dhe fillimisht aleat politik i Erdoganit, por që u akuzua si armik nga ky i fundit. Ndaj Shukurit, si shumë anëtarëve të tjerë të lëvizjes politike, u prenë mandatet e arrestit.

Ish-futbollisti flet sesi pasuritë e tij u konfiskuan dhe në vitin 2015 u arratis drejt Shteteve të Bashkuara, duke lënë në Turqi të atin, i cili përfundoi në burg. “Partia më ftoi të isha pjesë e saj duke përfituar nga popullariteti im. Më pas nisën armiqësitë. Gjuajtën me gurë në butikën e gruas sime, fëmijët e mi u ngacmuan në rrugë, kam marrë kërcënime pas çdo deklarate që bëja. Pas u largova burgosën tim atë dhe çdo gjë që kisha ma konfiskuan. Ishte një moment i vështirë për familjen time. çdo kush që kishte të bënte me mua, e pësonte ekonomikisht”.

Por Hakan Shukur, që sot nget një Uber, nuk është i ri në këto punë “normale”. Nnjë vit më parë shërbente kafe në Kaliforni, por edhe aty pati probelme. “Kam menaxhuar një kafene për pak kohë, por kishte persona të çuditshëm që vinin në barin tim. Kur vendosa të futesha tek AKP, Turqia ishte një vend konform standardeve të Bashkimit Europian, por politika e Erdoganit e çoi vendin në drejt Lindjes së Mesme dhe jo drejt Europës”. Ish-futbollisti me origjinë shqiptare, është akuzuar se ka marrë pjesë në grushtin e shtetit të vitit 2016, për të cilin ishte akuzuar Gyleni. “Cili ishte roli im? Deri më sot askush nuk ka qenë në gjendje që ta shpjegojë. Kam bërë vetëm gjëra të ligjshme në vendin tim. A mund të ma thonë se çfarë krimi kam bërë? Jo, dinë vetëm të më quajnë tradhëtar dhe terrorist. Jam një armik i qeverisë, jo i shtetit dhe i kombit turk. E dua flamurin tim dhe vendin tonë”. Në fund një mesazh ndaj Erdoganit. “Kthehu drejt demokracisë, tek e drejta dhe te të drejtat e njeriut. Interesohu për problemet e njerëzve. Bëhu presidenti që Turqia ka nevojë”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb