TIRANË

Një grua 35-vjeçare ka rrëfyer historinë e jetës së saj në emisionin “Jeta pa filtër” në News24 i autores Ervisa Lula. A.L thotë se që herën e parë që e pa ish-bashkëshortin nuk mendonte se do të ishte e lumtur, por pranoi e detyruar nga prindërit e saj të cilët e donin atë si dhëndër për shkak se kishte para: “Raporti jonë ka filluar që në moshën 16-vjeçare, mamaja ime më prezantoi me të dhe sipas traditave që kemi nga zona jonë e malësisë, ajo më thoshte do fejohesh e do martohesh. Shkollën e vazhdova deri në tetëvjeçare.

E durova për shumë vite dhunën sepse nuk pata kurrë mbështetjen e familjes sime, nëse burri më qëllonte kishte të drejtë pasi sipas nënës sime e kisha unë fajin se flisja”. Në shtatzëninë e dytë është dhunuar barbarisht nga i shoqi nga muaji i tretë deri në të tetin ku dhe e humbi fëmijën. Ja si e kujton A.L: “Isha vetëm 21 vjeç, e kam përjetuar shumë keq. Aty u ftohëm edhe më shumë, për shkak te debateve me vjehrrën me kunetërit më ka rrahur deri në atë gradë sa dështova. Provuam të jetonim vetëm të dy bashkë, fillova punë si estetiste, por gjërat shkuan akoma dhe më keq.

Raporti seksual ka qënë gjithmonë i dhunshëm, kur unë nuk doja ai bënte shumë gjëra me mua. I thoja vetes se ditët mund të kaloheshin me të, por netët ishin të tmerrshme. Ka qënë shumë i dhunshëm, na qëllonte me rrip pantallonash mua dhe vajzën.” Ngjarja më e rëndë që do ta bënte të largohej përfundimisht nga shtëpia ishte abuzimi seksual i vajzës 13-vjeçare nga djali i xhaxhait. Sipas asaj që i ka treguar vajza djali i kunatit shkonte në shtëpinë e tyre të shtunave, e ngacmonte seksualisht, e prekte, e puthte, e zhvishte pa dëshirën e saj, madje i kërkonte me dhunë edhe lekë. Kishte 1 vit që ai shkonte në shtëpinë e tyre.

Vajza rrëfeu të vërtetën dhe kushëriri pranoi gjithçka, por ish- burri jo vetëm nuk i doli në mbrojtje, por i ka kërkuar të largohet nga shtëpia, ndërsa kunati e ka justikuar sepse ata ishin fëmijë. E rëndë është dëshmia e vajzës: “ Kur kam parë akte dhune në familje jam ndier shumë keq, babin e takoj çdo të shtunë, ai më ka rrahur ndërsa kushëriri më ka ngacmuar seksualisht. Pas divorcit ndihemi më të qetë.” – thotë ajo.

Në rolin e psikologes autorja Ervisa Lula ka bërë një analizë të asaj që ndodh e asaj që përjetojnë viktimat e dhunës në familje. Ajo ka dhënë mbështetjen e saj për 35-vjeçaren dhe vajzën e saj duke marrë përsipër trajtimin psikologjik të tyre falas.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb