Në studion e emisionit “Me zemër të hapur” të gazetares Evis Ahmeti në News24 u trajtua historia e një 63-vjeçari nga Prishtina, i cili kërkon të gjejë bashkëjetuesen e tij, e larguar nga banesa pa dijeni.

Ragip Gashi tha se ishte njohur me të nëpërmjet telefonit dhe më pas ishin takuar dhe kishin vendosur të jetonin bashkë. Sipas tij, marrëdhënia e tyre kishte qenë shumë e mirë deri në një moment, kur 36-vjeçarja ishte larguar pa i thënë asgjë.

“Unë jam njohur me bashkëjetuesen time nëpërmjet telefonit, pasi ajo më telefonoi e para. U njohëm me njëri-tjetrin dhe njohëm jetën e kaluar tonën. Ajo vinte nga katër martesa të mëparshme dhe nga një jetë shumë e vështirë, plot vuajtje dhe e keqtrajtuar nga familja e saj. Në moment ndjeva një keqardhje ndaj saj dhe vuajtjeve të saj. Madje insistova ta pyes se pse bëri një zgjedhje me një burrë 63 vjeç dhe ajo 36 vjeçe. Ajo më pohoi se bëri zgjedhje të tillë për shkak të vuajtjeve. Unë e respektova dhe ia plotësova të gjitha kushtet, ajo në banesën time nuk punonte. Ka qenë e lirë, ka dalë dhe ka blerë çfarë ka dëshiruar. Ajo shkonte shumë mirë me mua, vetëm se edhe një zhurmë e makinës në rrugë e trembte, madje kohët e fundit u bë agresive filloi të dobësohej. I kërkova të shkonim te mjeku të kontrollohej. Në një ditë kur unë isha në shtëpi ajo është larguar pa dijeninë time”, deklaroi 63-vjeçari.

Ai tha më tej se i ka njoftuar familjarët e saj, por ata e kanë akuzuar atë për zhdukjen e 36-vjeçares.
“Unë i kam njoftuar familjarët e saj për largimin e saj edhe ata më kanë akuzuar mua për zhdukjen e saj.
Kur ajo erdhi të bashkëjetonte me mua, ata nuk kanë qenë dakord sepse nuk më donin mua. Unë i kërkova bashkëjetueses që të lajmërohej, unë vet thirra në telefon vëllain e saj, i cili më tha ‘mos më telefono më’. Më vonë unë u lidha me telefon me nënën dhe me kunatën e saj. Atë ditë kur ajo u largua unë kam qenë shtëpi. Ajo ishte përgatit që të largohej, kishte lënë rrobat jashtë dhe më kërkoi të shkoja në market të merrja detergjente.
Më telefonoi motra ime dhe isha duke folur me motrën, ajo iku atë moment, se mendova mos kishte shkuar te nëna, e telefonova dhe më tha se e kam zgjedhur jetën time, dua të jetoj vetëm dhe dua të jem e lirë. Unë kam marrë informatat e sakta, i mora ‘Facebook’-un pas një jave dhe gjeta bisedat me një mashkull tjetër dhe me një grua tjetër. E ka pritur një grua sepse më vonë ajo do shkonte jashtë kufijve te një burrë tjetër. Ajo ka dhe një vajzë 16-vjeçare dhe e ka braktisur atë duke e lënë të jetonte me ish-burrin e saj. Unë nuk e di pse iku dhe ku shkoi, por edhe familjaret e saj nuk e pranojnë dhe nuk kane komunikim me të për asgjë. Por nuk e di ku ndodhet dhe kush po e mban gjatë kësaj kohe edhe familjarët e saj më kanë bërë me faj mua për zhdukjen e saj. Dua të di të vërtetën e kësaj zhdukjeje”, deklaroi 63-vjeçari nga Kosova.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb