Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 44-vjeçarin Dëfrim Shabani, tekniku i ashensorit që ra disa ditë më parë në një pallat tek zona e Astirit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Prokuroria ka kërkuar për Shabanin arrest me burg me afat 1 muaj teksa gjykata ka pranuar pretencën.

Sipas prokurorisë, në lidhje me ngjarjen janë pyetur dhe dy personat që akuzohen për ngjarjen në fjalë shtetasit Dëfrim dhe Dritan Shabani të cilët fillimisht kanë dhënë shpjegime si persona që tregojnë ngjarjen dhe më pas janë pyetur në cilësinë e personave ndaj të cilit zhvillohen hetimet.

44-vjeçari i arrestuar Dëfrim Shabani ka shpjeguar se ka qenë tek ashensori para tre ditësh për një defekt që ka pasur të cilin sipas tij e ka riparuar, por nuk ka bërë kontrollin teknik të ashensori.

Pritet që ashensori t’i nënshtrohet ekspertimit nga ekspertë të fushës me qëllim përcaktimin e shkakut të ngjarjes. Shabani akuzohet për veprën penale “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Ngjarja ndodhi pak para mesnatës së 11 shtatorit, ku si pasojë e shkëputjes së ashensorit u plagosën dy persona.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: