TIRANE – Enti Rregullator i Energjisë publikon të plotë kontratën e re që rregullon marrëdhënien mes Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe prodhuesve me përparësi të energjisë. Sipas rregullores, përveç mënyrës së matjes së energjisë, kontrata e re cakton qartë afatet për shlyerjen e detyrimeve mes operatorëve.

Funksionimi i kësaj hallke është jetik për sistemin, pasi më herët precedenti ka treguar se vonesat në shlyerjen e detyrimeve nga blerësi, që më parë ka qenë KESH-i, kanë sjellë një mal me borxhe. Kështu shitësi, që në këtë rast janë hidrocentralet, do t’i dorëzojnë blerësit OSHEE faturën e muajit brenda datës 10 të muajit pasardhës.

“Blerësi do t’i kryejë pagesën shitësit kundrejt vlerës së faturës mujore. Pagesa do të bëhet brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të faturës nga blerësi. Data e pagesës do të konsiderohet data që nga llogaria e blerësit preken fondet monetare”, thuhet në kontratë. Për rastet kur ka vonesa, kontrata parashikon edhe penalitete. “Nëse blerësi dështon në kryerjen e pagesës brenda afatit të përcaktuar në këtë kontratë, shpërblimi për dëmet e shkaktuara si rezultat i vonesës, konsiston në pagimin e kamatëvonesës në masën e normës së interesit të bonove të thesarit me maturim 1-vjeçar + 0.5% në vit për çdo ditë vonesë të llogaritura nga data në të cilën do të kryhej pagesa”, thuhet në nenin 8, pika tre.

Kontrata mes prodhueseve dhe OSHEE-së ka fuqi 15-vjeçare, duke përfshirë këtu edhe pjesën e marrëdhënies që HEC-et kanë pasur me KESH-in.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: