Analisti Dritan Hila, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka komentuar zhvillimet e fundit në Parlament dhe tensionet mes opozitës dhe mazhorancës.

Hila u shpreh se rregullorja e re e vendosur nga mazhoranca është në favor të opozitës dhe Berishës, duke e konsideruar edhe si një “autogol” të kryeministrit Rama.

Sipas tij duke zbrazur sallën nga opozita, kjo e fundit merr vëmendje duke bërë çështjen më të ndjeshme edhe për ndërkombëtarët.

Ai shtoi se tensionet i interesojnë Ramës, dhe nëse opozita kërkon të përmbysë kreun e qeverisë, do të duhet të tregojë pakënaqësinë në rritje të popullatës.

“Rregullorja ndihmon Berishën, sepse duke zbrazur sallën ti e nxjerr opozitën jashtë sallës dhe e bën çështjen më të ndjeshme edhe për publikun ndërkombëtar. Pas kësaj nuk i thua dot që opozita është destruktive, pasi ti vetë e ke nxjerrë jashtë.

Në një farë mënyre është autogol i Ramës. Kjo sjell edhe një problematikë brenda socialistëve, që ka të bëjë me unifikimin e tyre. Zërat e arsyeshëm brenda mazhorancës sfumohen para kësaj opozite, siç mund të jetë Braçe që ka pasur kritika të vazhdueshme edhe për buxhetin.

U kalua një buxhet prej 7 miliardë eurosh dhe nuk u mor vesh gjë sepse ne merremi me karriget që digjen apo jo nga opozita. E gjitha kjo i intereson Ramës, sepse marrja e opozitës me këto tregon dobësi. Nëse do të përmbysësh Ramën, kërkon 3 kushte. Një ndër kushtet thelbësore është pakënaqësia në rritje e popullatës”, u shpreh ai mes të tjerash.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb