SARANDË- Policia e Sarandës ka shpallur në kërkim tre shtetas të dyshuar për rrëmbimin e 37-vjeçarit Ridvan Lamaj, prind i dy fëmijëve 3 dhe 11 vjeç. Nga dëshmitë e deritanishme, rezulton se të dyshuarit janë A. O., 28-vjeç, banues në Sarandë; F.M., 31-vjeç, banues në Sarandë dhe V.I., 28-vjeç, banues në Lezhë.

Të tre janë persona me precedentë penalë e të skeduar në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Policia ndërkohë ka zbuluar se në orën 22:10 të datës 18 qershor, A.O. ka udhëtuar drejt Francës përmes aeroportit të Rinasit ndërkohë që dyshohet të jetë strehuar më pas në Holandë, ndërsa për dy të tjerët vazhdon kërkimi policor brenda vendit.

Burime që nuk duan të identifikohen shprehen se Ridvan Lamaj është rrëmbyer fillimisht në thellësi të bulevardit të Sarandës. Automjeti tip fuoristradë “BMË X5”, ngjyrë e bardhë ka hyrë në bulevard gjatë kohës që ai ka qenë i populluar me qytetarë e turistë dhe në afërsi të bar “Q…” kanë dalë disa shtetas që e kanë marrë 37-vjeçarin. Automjeti ka përshkuar sërish bulevardin dhe në afërsi të fundit, Ridvan Lamaj dyshohet të ketë arritur të dalë nga mjeti, por është kapur nga rrëmbyesit.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se gjatë rrëmbimit dyshohet të jetë përdorur edhe pistoletë, ndërkohë që dyshimet janë se Lamaj është qëlluar edhe me thikë. Dëshmitarë të skenës kanë qenë shumë persona, por dëshmia më me vlerë mësohet se është e një turisti kosovar dhe familjarëve të 37-vjeçarit.

Prej asaj dite, fati i Lamajt nuk dihet ndërkohë që policia ka nxjerrë në terren edhe një grup kërkimi për të. Një nga pistat ku hetohet është edhe ajo e torturimit të 37-vjeçarit deri në humbje jete, çka mund të jetë edhe arsyeja pse Ridvani nuk po gjendet dhe një nga autorët u largua menjëherë drejt Francës. Hetimet janë përqendruar në një konflikt mes 37-vjeçarit dhe autorëve të dyshuar, të nisur mbi një vit më parë për një ngarkesë me lëndë narkotike të trafikuar drejt Greqisë.

 

(m.k/GSH/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb