TIRANË – Vajza 27-vjeçare Katerina J, e cila u rrëmbye mbrëmjen e sotme me makinë në Unazën e Re, është shpëtuar nga policia, e cila ka arrestuar autorin kryesor, 45-vjeçarin Hamdi Berisha si dhe një person tjetër, që e ndihmoi atë. Mësohet se një person i tretë, Shkelqim Berisha, është shpallur në kërkim.

E rrëmbyera, Katerina J. kishte nënshtetësi gjermane dhe Berisha dyshohet se ishte i dashuri i saj. Gazetari Spartak Koka njoftoi se kanë qënë prindërit e vajzës, që kanë denoncuar në Polici, rrëmbimin me forcë të vajzës së tyre në orën 20:00 në Unazën e Re në Tiranë.

Pas sinjalizimit, Policia u vu në ndjekje të autorit, që dyshohej se ishte i dashuri si dhe të bashkëpunëtorit të tij. Ndërkohë, gjeti të braktisur në Vorë, makinën e vajzës, një “Hyundai” me targa TR 1613U.

Autori, gjatë largimit me shpejtësi me makinën e tij, ka goditur dhe dëmtuar një automjet tjetër. Duke shkuar në drejtim të Urës së Limuthit, makina e tij ka pësuar difekt. Si rrjedhim, bashkë me pengamrrësin tjetër, ka vënë vajzën në mes dhe ka nisur të ecë më këmbë përgjatë shinave të trenit, ku dhe është pikasur nga Policia, e cila ka përdorur qentë gjurmues. Rrëmbimi zgjati rreth 50 minuta.

“News 24” disponon pamjet nga Vora, ku vajza, pasi iu mor rrëmbyesve nga duart, është futur në makinën e Policisë për t’u dërguar në Komisariatin nr.6, ku do t’i merret dëshmia. Dy rrëmbyesit janë transportuar me një makinë tjetër policie, në pranga, dhe po ashtu janë dërguar drejt të njejtit komisariat për të dëshmuar.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb